Parlamenti mbetet institucioni kryesor i politikës në Shqipëri, përfaqësimi parlamentar mbetet synimi i të gjithë aktorëve politikë dhe aktiviteti parlamentar është burimi kryesor i referimit në media. Asnjë aktivitet tjetër nuk ka më shumë impakt për qytetarët dhe vendin sesa ai parlamentar, asnjë institucion nuk ka më shumë lidhje direkt me qytetarët sesa në rastin e parlamentit.
Jeta parlamentare ka pritshmëri të mëdha, sidomos me krijimin e legjislaturave të reja, qytetarët votues besojnë se çdo përbërje e re parlamentare do të ofrojë më shumë mundësi për mirëqeverisje, mediat tregojnë interes më të madh rreth përbërjes dhe bilancit parlamentar, institucionet e tjera burojnë nga parlamenti ose raportojnë në parlament, raportet ndërkombëtare mbi Shqipërinë e shohin atë si etalon për nivelin e demokracisë funksionale.
Shumica e legjislaturave parlamentare dhe një pjesë e madhe e deputetëve ndër vite kanë pasur vlerësime shumë më kritike sesa pozitive, zhgënjimi qytetar ka bërë që shpesh parlamenti të renditet ndër institucionet me nivelin më kritik të besimit publik, por në tërësi mosbesimi tek politika ka ecje proporcionale me mosbesimin tek parlamenti dhe tek aktorët e tjerë publikë.
Kushtetuta e RSH i njeh parlamentit rol thelbësor në kontrollin dhe balancën e pushteteve, si dhe monopolin e procesit ligjvënës. A e përmbush parlamenti aktual këtë rol? A është parlamenti institucioni që meriton të shihet si tempull i demokracisë? A përfaqësojnë deputetët pritshmëritë dhe sfidat e vendit? A ka parlamenti kapacitete dhe potenciale reformatore? A janë deputetët të aftë të krijojnë të ardhme më të mirë për vendin? A janë deputetët të aftë, me integritet, të ndershëm dhe profesionistë, modele qytetare dhe produkte të legjitimitetit të pakontestueshëm? Cilat janë limitet e aktivitetit parlamentar? Çfarë bëjnë dhe nuk bëjnë deputetët? A duhen përmirësuar baza ligjore dhe administrative lidhur me aktivitetin e deputetëve dhe në tërësi me aktivitetin parlamentar? Cilat janë tiparet kryesore të raporteve midis qytetarëve dhe të zgjedhurve? Rekomandime dhe sugjerime për të ardhmen. Këto janë disa nga pyetjet që marrin përgjigje në këtë anketim me qytetarët lidhur me perceptimin e tyre për parlamentin, deputetët dhe sistemin tonë përfaqësues.
Instituti i Studimeve Politike (ISP) ka përvojë të gjatë në monitorimin e Kuvendit: gjatë 2016-2017 me mbështetjen e fondacionit gjerman Friedrich Ebert, gjatë periudhës 2017-2020 me mbështetjen e ambasadës së Holandës në Shqipëri dhe gjatë periudhës 2021-2022 me mbështetjen e Ambasadës së Zvicrës në Shqipëri. ISP ka monitoruar edhe aspekte të veçanta të aktivitetit parlamentar, siç janë, respektimi i Kodit të Etikës dhe parandalimi i konfliktit të interesit, dekriminalizimi dhe integriteti i kandidatëve për deputetë dhe më pas edhe i deputetëve gjatë ushtrimit të aktivitetit parlamentar, etj.
ISP ka kryer sondazhe dhe anketime të qytetarëve mbi deputetët dhe anasjelltas, të deputetëve për raportin e tyre me qytetarët, si dhe trajnime të ndryshme me deputetë dhe administratën parlamentare, dhe një numër të madh studimesh specifike mbi parlamentin dhe aktivitetin parlamentar.
Instituti i Studimeve Politike (ISP) me mbështetjen e Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, Ambasada e Zvicrës në Tiranë, prej vitit 2022 po monitoron Kuvendin, aktivitetin parlamentar në Shqipëri si dhe perceptimin e qytetarëve për këtë institucion. Qëllimi i këtij monitorimi është njohja, evidentimi dhe promovimi i bilancit parlamentar, rolit të parlamentit, standardeve të transparencës dhe të llogaridhënies, të përfaqësimit dhe të funksionit kushtetues të institucionit të Kuvendit. Projekti aktual shtrihet deri në vitin 2023 dhe në funksion të tij është edhe platforma online www.deputetim.al. ISP beson se monitorimi i Kuvendit dhe i veprimtarisë parlamentare është një kontribut për forcimin e shtetit ligjor dhe një demokracie funksionale në Shqipëri.
Në funksion të kësaj nisme, ISP zhvilloi anketimin online duke u mundësuar qytetarëve të shprehin opinionin dhe perceptimin e tyre konfidencial lidhur me disa çështje që kanë të bëjnë me rolin e deputetëve, pritshmëritë publike, sistemin përfaqësues dhe standardet e transparencës. Kampioni përfshiu 831 qytetarë të moshës +16 vjeç nga 12 qarqet e Republikës së Shqipërisë, shpërndarja në gjini 49% meshkuj dhe 51% femra, me nivele të ndryshme të arsimimit. Si në rastet e tjera të anketimeve të formatit online, për të rritur mundësinë e përfshirjes së qytetarëve në numër dhe diversitet demografik, ISP publikoi linkun në formën e reklamës së paguar në rrjetet sociale facebook, twitter, instagram, linkedin.
Raporti i plotë me gjetjet kryesore mund të lexohet & shkarkohet këtu: