Zgjedhjet nuk janë privilegj i partive, por instrumenti kryesor me të cilin qytetarët zgjedhin përfaqësuesit e tyre në qeverisjen vendore dhe në parlament. Vota e tyre ka rëndësi, vota prodhon legjitimitet e përfaqësim, vota konfirmon kontratën morale me të zgjedhurin dhe reflekton respekt për integritetin e saj.
Nga monitorimi i Institutit të Studimeve Politike (ISP) Shqipëria nuk ka ende një praktikë ligjore dhe sjellje politike të maturuar që i jep prioritet integritetit të votës dhe respektit të qytetarëve edhe në rastet e vakancave në përfaqësim. Rasti më i fundit: me 12 mars 2025 dhanë dorëheqje tre kryetarë bashkish: Ervin Demo (Berat), Tërmet Peçi (Tepelenë) dhe Agron Malaj (Mat). Ata kandiduan dhe u zgjodhën deputetë. Tirana ka situatë tjetër, – pa vendim gjyqësor të formës së prerë ose dorëheqje, legjislacioni nuk ofron zgjidhje. Në rastin e dorëheqjeve të tre kryetarëve situata është më e qartë ligjërisht dhe politikisht.
Bazuar në legjislacionin shqiptar mbi qeverisjen vendore, ligji 139/2015, neni 61, kur jepet dorëheqje këshilli bashkiak njofton Këshillin e Ministrave nëpërmjet prefektit. Në praktikat administrative ky kalim procedural informacioni ndodh në 5-10 ditë. Në vijim, Këshilli i Ministrave bën njoftimin e KQZ, KQZ te Presidenti dhe ky i fundit shpall zgjedhjet e reja lokale në bashkitë përkatëse. Sipas Kodit Zgjedhor, neni 10, kur ndërpritet mandati i kryetarit të bashkisë “zgjedhjet mbahen jo më parë se 30 ditë dhe jo më vonë se 45 ditë nga data e njoftimit të ndërprerjes së mandatit”.
Tani jemi në fundin e muajit gusht, më shumë se 5 muaj pas dorëheqjes, por nga monitorimi i ISP-së ende nuk ka një konsultim dhe ndërveprim institucionalë për datën e zgjedhjeve të pjesshme për kryetar bashkie në këto 3 njësi. Këshilli i Ministrave nuk ka bërë ende njoftimin e vakancës.
Duket procedurë e thjesht dhe klasike, në fakt ashtu duhet të jetë, por mjaftojnë raste e detaje të tilla për të kuptuar hendekun ende të madh midis deklarimeve mbi standardet e shtetit të së drejtës dhe sjelljeve me akte konkrete. Kodi Zgjedhor dhe ligji organik nuk kanë parashikuar në mënyrë të detajuar limitet kohore dhe detyrimet administrative për dërgimin e një letre nga kryeministri te KQZ, dy institucione me distancë vetëm 750 metra midis tyre, si dhe nuk janë paraparë as penalizime kur institucioni nuk përmbush në kohë detyrimin ligjor. Në këtë mënyrë procedura kur/si kryeministria njofton KQZ dhe ky i fundit Presidentin, mbetet hapësirë abuzimi politik.
Në një kuadër më të gjerë, bazuar në Kushtetutën e RSH, Këshilli i Ministrave dhe KQZ kanë detyrimin të respektojnë qytetarët e tri bashkive dhe integritetin dhe konceptin e zgjedhjeve, ndaj ISP i nxit ato të korrektojnë sjelljen dhe të dëshmojnë ndarjen nga praktikat të tilla të gabuara/të përsëritura, maturim institucional dhe aplikim të standardeve që duhet të ketë një vend me potencial anëtarësimi në BE.


