Monitorimi i ISP konkludon se disa akte ligjore të propozuara nga ish ministra gjykohen tashmë prej vetë atyre nga pozitat drejtuese në komisionet parlamentare, se deputetë nën hetim ose me vepra penale angazhohen në komisionet që monitorojnë drejtësinë e sigurinë kombëtare dhe se pavarësisht ekzistencës së rasteve nuk ka ende asnjë hetim ndaj raportimeve për konflikt interesi dhe as deklarime zyrtare nga ana e deputetëve
Instituti i Studimeve Politike (ISP) me mbështetjen e programit të shoqërisë civile për Shqipërinë dhe Kosovën financuar nga Ministria e Jashtme e Norvegjisë dhe të menaxhuar nga “Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim” në vendin tonë, po zbaton projektin “PARLAMENT I PASTËR: LLOGARIDHËNIE DHE TRANSPARENCË”, ku përfshihet monitorimi i gjithanshëm i aplikimit të detyrimeve që burojnë nga Kodi i Sjelljes dhe legjislacioni në fuqi lidhur me konfliktin e interesit në të gjithë aspektet e aktivitetit parlamentar dhe të Kuvendit. Stafi i ISP ka ndjekur rregullisht seancat plenare, debatet në komisionet parlamentare, aktivitetin parlamentar dhe aktivitetin e deputetëve në marrëdhëniet me funksionet e mëparshme dhe ato të reja, – për të monitoruar standarde më të larta të etikës institucionale në raport me konfliktin e interesit dhe integritetin parlamentar.
Nga monitorimi i deritanishëm rezultojnë disa problematika në lidhje me institucionin e Kuvendit dhe sidomos me deputetët aktualë (përfshirë ata të mandatar së fundmi), për të cilat ISP vlerëson se Kuvendi vetë, ILDKPKI apo grupet parlamentare mund e duhet të investohen për verifikimet e përputshmërisë ligjore dhe marrjen e masave përkatëse sipas legjislacionit në fuqi.
Konkretisht,
1.Janë raportuar disa raste kur ish ministra, tanimë në pozitën e kryetarëve të Komisioneve Parlamentare, vlerësojnë dhe gjykojnë akte dhe nisma të ndryshme, të cilat janë propozuar po prej tyre nga pozita e mëparshme e ministrit. Pavarësisht se posti i ministrit i përket pushtetit ekzekutiv dhe propozimet janë bërë mbi këtë bazë, gjykimi nga i njëjti person i nismave të ardhura po nga ai/jo vetë, sipas ekspertëve tanë, cenon parimin e kontrollit kushtetues dhe të ndarjes e balancës së pushteteve si dhe krijon dyshime për vendimmarrje në kundërshtim me etikën parlamentare.
2.Janë raportuar raste të tjera kur deputetë të ndryshëm, që janë dënuar me vendim të formës së prerë nga gjykatat shqiptare ose janë ende nën hetim, përfshirë deputetë të rinj të sapozgjedhur në Kuvend, janë emëruar në Komisione me rëndësi për nivelin e zbatimit të ligjit, siç janë Komisioni i Sigurisë Kombëtare apo Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut. Prania dhe sidomos ushtrimi i funksionit të tyre kontrollues mbi institucione prej të cilave janë hetuar, dënuar apo janë nën hetim, përbën një rast të cenimit të standardeve etike parlamentare dhe një praktikë që duhet evituar maksimalisht në të ardhmen.
3.Janë disa raste kur deputetë të Kuvendit janë denoncuar publikisht nga kolegë të tyre ose grupe parlamentare, për ushtrim të konfliktit të interesit në vendimmarrje, kryesisht për ushtrim të funksionit parlamentar në mbështetje të privilegjuar të bizneseve që lidhen direkt me ta ose me familjarët e tyre. Deri tani nuk kemi pasur asnjë reagim të institucioneve përgjegjëse, përfshirë edhe praktika të mundshme të verifikimit, hetimit apo sqarimit publik.
4.Janë raportuar raste të tjera, në të cilat deputetë të veçantë pranojnë gjatë debateve në komisione se janë në konflikt interesi dhe në ndonjë prej këtyre rasteve edhe dorëhiqen vullnetarisht nga votimi, – ndërkohë që zyrtarisht ata nuk figurojnë si emra dhe as si raste në Regjistrin e Konfliktit të Interesit në Kuvend. Pavarësisht se Kodi i Sjelljes së deputetëve e bazon deklarimin tek vullneti i deputetit, parlamenti mund e duhet të krijojë mekanizma të vazhdueshëm verifikimi dhe deklarimi, në mënyrë që rastet e konfliktit të interesit të mos figurojnë vetëm ato kur individë të veçantë pranojnë gjendjen dhe tërhiqen, por edhe rastet kur deputetët nuk deklarojnë gjendjen, pra vijojnë ushtrimin e aktivitetit dhe të vendimmarrjes parlamentare në rrethana të dukshme ose të dyshuara të konfliktit të interesit.
Ekspertët e ISP vlerësojnë se secili prej këtyre problematikave përbën devijim nga parimet dhe standardet e mira parlamentare, të sanksionuara edhe në Kodin e Sjelljes, – si dhe krijojnë bazë dyshimi për problematikat që lidhen me konfliktin e interesit në ushtrimin e aktivitetit parlamentar.
Me këtë rast, ISP i është drejtuar Kuvendit me apelin që të ushtrojë të gjithë përgjegjësitë e tij për verifikimin dhe trajtimin e problematikave të tilla, si dhe të ketë një sistem funksional, publik dhe cilësor të transparencës në raport me deputetët dhe aktivitetin e tyre parlamentar. Gjithashtu ISP apelon partitë parlamentare dhe deputetët në parlament, të tregojnë më shumë vullnet dhe seriozitet në respektimin integral të Kodit të Sjelljes dhe të legjislacionit që lidhet me konfliktin e interesit në të gjithë aktivitetin e tyre parlamentar.
Letra e plote e ISP-së e apelit adresuar Kuvendit mbi problematiken gjendet në linkun e mëposhtëm:
ISP KUVENDIT – HETONI KONFLIKTET E INTERESIT DHE PRAKTIKAT ABUZIVE NE PARLAMENT