Shqipëria ka nisur në vitin 2015 procesin e dekriminalizimit, bazuar në ligjin nr. 138/2015, qëllimi i të cilit, lidhur me proceset zgjedhore, ishte “mbrojtja dhe garantimi i mirëfunksionimit demokratik të Kuvendit, organeve të qeverisjes vendore, institucioneve kushtetuese apo të krijuara me ligj,..nga ndikimi apo pjesëmarrja në politikëbërje dhe/ose vendimmarrje i personave, të cilët janë dënuar apo ndaj të cilëve janë marrë masa sigurie ose janë dënuar me vendim jopërfundimtar për kryerjen e krimeve”.
Gjatë vitit 2022-2023 Instituti i Studimeve Politike (ISP) po zbaton një projektin “Fuqizimi i integritetit të zgjedhjeve dhe i qëndrueshmërisë së partive politike”, zbatuar nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KSHH) në partneritet me Institutin e Studimeve Politike (ISP), BIRN Albania dhe Qëndresa Qytetare (QQ), mbështetur financiarisht nga Qeveria Britanike.
Pjesë e angazhimit të ISP janë monitorimi i KQZ dhe institucioneve që lidhen me zgjedhjet, analizat dhe raportimet periodike, elementët sensibilizues dhe informues për zgjedhësit, si dhe sidomos monitorimi dhe ndjekja e standardeve të dekriminalizimit, integritetit të kandidatëve dhe të fushatës elektorale. Në kuadër të këtij angazhimi ISP realizoi gjatë muajve shkurt-mars 2023 një anketim online me qytetarë lidhur me perceptimin e tyre mbi problematikat e jetësimit të ligjit të dekriminalizimit dhe standardeve të integritetit të personave të emëruar/zgjedhur në poste publike/politike në zgjedhjet lokale të 14 Majit 2023.
Bazuar në metodologjinë e anketimit, qytetarët u pyetën në mënyrë jo të identifikuar lidhur me disa çështje si: veprimtaria e KQZ-së, besimi në zbatimin e ligjit të dekriminalizimit në zgjedhjet lokale 14 Maj 2023, efikasiteti i insitucioneve publike në pengimin e individëve me rekorde kriminale në marrjen e posteve publike/politike, integriteti i kandidatëve të zgjedhur/emëruar, perceptimi i rolit të partive politike, etj.
Kampioni përfshiu 820 qytetarë të moshës +16 vjeç nga 12 qarqet e Republikës së Shqipërisë. Shpërndarja në gjini është 49% meshkuj dhe 51% femra, me nivele të ndryshme të arsimimit. Si në rastet e tjera të anketimeve të formatit online, për të rritur mundësinë e përfshirjes së qytetarëve në numër dhe diversitet demografik, ISP publikoi linkun në formën e reklamës së paguar në rrjetet sociale facebook, twitter, instagram, linkedin.
Për ndjekjen e trajektores së zhvillimit të disa faktorëve të matur në pyetësorët e mëparshëm, ekspertët e ISP kanë zgjedhur të riaplikojnë një pjesë të pyetjeve të zhvilluara në pyetësorët e viteve 2020, 2021 dhe 2022. Pyetje e riaplikuara në ketë pyetësor janë të dy formave: identike dhe të përshtatura me situatën aktuale me fokus në zgjedhjet lokale të 14 maj 2023. Në analizën krahasimore duhet konsideruar një marzh rezervë gabimi i përfaqësimit të rezultateve në harkun kohor të marrë në analizë. Kjo edhe si pasojë e numrit jo të njëjtë të kampionit për rastet e krahasuara. Anketimi online krijon mundësi për matjen e perceptimit publik të grupimeve që kanë akses online dhe i përdorin mediat online dhe rrjetet sociale të komunikimit, gjë që kufizon aksesin e qytetarëve të moshave të treta dhe ata me vështirësi në aksesin online. Megjithatë, qëllimi kryesor i anketimit ishte adresimi tek qytetarët aktivë, të cilët kanë informacion nga mediat sociale dhe mediat tradicionale, që kanë interes tek zgjedhjet dhe administrimi zgjedhor, si dhe kanë njohuri mbi ligjin dhe mbi synimet e tij.
Qëllimi i ISP është arritur për sa kohë pjesa më e madhe e qytetarëve të përfshirë në anketim kanë pranuar të identifikohen përmes e-mailit ose mjeteve të tjera të komunikimit, duke mos hezituar t’i përgjigjen pyetjeve dhe duke dëshmuar kështu edhe interes në problematikën e trajtuar dhe çështje që kanë lidhje me të. Pavarësisht këtij kushtëzimi metodologjik, ky studim i cili plotëson pjesërisht edhe kushtet për një studim të përsëritur në kohë na paraqet një skemë më të qartë investigimit të sjelljes dhe perceptimeve të qytetarëve mbi integritetin e kandidatëve të zgjedhur/emëruar dhe procesin e dekriminalizimit në përgjithësi. Këto rezultate i ofrojnë mundësi më të mira ekspertëve për paraqitjen e zgjidhjeve optimale për shoqërinë dhe politikën shqiptare.
Ky pyetësor paraqet situatën parazgjedhore, kur partitë ishin në fazën e zgjedhjeve të brendshme dhe detyrimit ligjor për të ofruar kandidatë me integritet dhe në përputhje me standardet e dekriminalizimit. Qëllimi i pyetësorit ishte edhe për të ofruar mundësinë që cilido qytetar apo ent i interesuar, media apo shoqëri civile, etj, të mund të dallojë diferencat midis perceptimit dhe pritshmërive publike me listat faktike të kandidatëve të partive politike.
Në vijimësi të procesit të projektit që ISP parashikon mundësinë e rimatjes së indikatorëve në fazën post zgjedhore, në interes të konfirmimit të mëtejshëm të rezultateve të fazë para zgjedhore 2023. Faza postzgjedhore do të shërbejë edhe për të matur treguesit e integritetit tek subjektet elektorale, si dhe për të ofruar rekomandime përmirësuese për reformën e ardhshme zgjedhore, e cila do të mund të nisë në sesionin e vjeshtës në parlament.
GJETJET KRYESORE
- Qytetarët vijojnë të mbështetin fuqishëm procesin e dekriminalizimit dhe “politikës së pastër”, pavarësisht zgjatjes së procesit prej vitit 2015. Megjithatë, 7 vite nga nisja e dekriminalizimit pothuaj gjysma e qytetarëve mendojnë se integriteti dhe cilësia e kandidatëve në zgjedhje nuk ka ndryshuar.
- Vetëm një e treta qytetarëve sheh progres të dukshëm në forcimin e institucioneve demokratike për shkak të dekriminalizimit, në përfaqësimin e qytetarëve nga partitë aktuale, në llogaridhënien aktuale të politikës, në ambiciet e individëve të inkriminuar për t’u tërhequr nga ambiciet e ndikimit politik.
- Shumica qytetare (48 % vs 39%) janë skeptikë se do të parandalohet financimi i zgjedhjeve lokale të 14 maj 2023 nga persona të inkriminuar/të fortë, në krahasim me zgjedhjet e mëparshme. Një e treta e tyre mendon se do të ketë përfshirje të më të lartë të individëve të inkriminuar në zgjedhjet vendore 2023, gjysma mendojnë se do të jetë situatë e njëjtë si në zgjedhjet e shkuara. Këto të dhëna na japin një panoramë pesimiste të perceptimit të qytetarëve për zgjedhjet e ardhshme lokale.
- Shumica absolute e qytetarëve (93%) mbështesin nevojën që KQZ dhe partitë të kryejnë verifikime të hershme të kandidatëve përpara datës së votimit. Rreth 75% e qytetarëve sugjerojnë monitorimin e thelluar të deklarimeve të kandidatëve gjatë fushatës elektorale, përfshirë edhe denoncimet në media, nga rivalët politikë, nga institucionet, nga qytetarët dhe vetëdeklarimet problematike të kandidatëve
- Sistemi gjyqësor, prokuroria dhe ambasadorët/trupi diplomatik konsiderohen gjerësisht nga qytetarët si institucionet më efikase në pengimin e individëve me rekorde kriminale për të marrë poste publike / politike. Qytetarët nuk besojnë se ata kanë fuqinë dhe mekanizmin e duhur për ndikim pozitiv në denoncimin e rasteve kur dëgjojnë që një person i inkriminuar merr post publik, duke e përjashtuar vetveten gjithashtu edhe si instrument kontrolli në procesin e dekriminalizimit.
- Pothuaj unanimisht 82 – 87% qytetarët pohojnë rolin e rëndësishëm që duhet kenë partitë politike në zgjedhje dhe procesin e dekriminalizimit, në publikimin e CV-ve të detajuara të stafeve të tyre, në verifikimet paraprake në prokurori për kandidatët në zgjedhje dhe stafet e tyre dhe përjashtimin e personave të inkriminuar nga anëtarësia, pezullimin e politikanëve në hetim për krim/korrupsion nga funksionet politike në parti deri në vendimin final të gjykatës dhe mos përfitim nga buxheti shtetëror i partive, të cilat kanë për drejtues një individ të penalizuar nga dekriminalizimi apo në listën e zezë amerikane.
Raporti i plotë mund lexohet & shkarkohet këtu: