Kur nuk ka zgjedhje shteti shqiptar paguan 190 milionë lekë për partitë politike me rezultat “mbi 1%” në zgjedhjet e fundit parlamentare. Kur ka zgjedhje parlamentare ose lokale partitë marrin zyrtarisht dy pagesa, – pagesa vjetore nga shteti dhe pagesa speciale për fushatën elektorale. De facto, partitë marrin 3 ose më shumë pagesa. Për shembull, kur partitë fitojnë mandate parlamentare vetë deputetët paguhen, partitë paguhen për të njëjtit deputetë dhe partitë paguhen në fushatë për faktin se patën marrë deputetë. Pra, aplikohet pagesë trefishe për të njëjtin produkt, – marrjen e mandatit të deputetit. Kjo nuk ndryshon as kur mandati humbet (dekriminalizim, dorëheqje, arrestim apo largim nga partia) dhe as kur palët marrin shumë më pak sesa 3 mijë vota (minimumi për ekzistencën e një partie politike). Për vitin 2019 KQZ ka miratuar pagesën e rregullt vjetore të partive, kurse pagesa ekstra për fushatën do të vijë më vonë, në prag të fushatës elektorale dhe në funksion të numrit të subjekteve konkurruese në zgjedhje.
Leximi i pagesës së rregullt 4 vjeçare që shteti bën për partitë politike të krijon dy përshtypje. E para, shteti paguan një shumë të lartë për partitë politike përfshirë ato që nuk kanë aktivitet parlamentar por që në zgjedhjet e fundit kanë marrë një numër votash mbi 1%. Konkretisht, në listën përfituese gjenden edhe parti si PSD apo Lista që de facto nuk janë funksionale midis fushatave elektorale, megjithatë ato vijojnë të marrin para nga buxheti i shtetit.
E dyta, ka një kontradiktë të madhe midis pasqyrimit të votës qytetare në parlament me pasqyrimin e buxhetit përfitues për partitë. Ja një shembull: PSD mori 1 mandat në Shkodër (të gjithë e dimë se nuk ishte PSD por kandidati formal me emrin e saj, T.Doshi që siguroi mandatin parlamentar) dhe ndaj ajo vijon të jetë fituese edhe pas zgjedhjeve, duke përfituar buxhet të rregullt shtetëror prej 7.2 milionë lekë/vit. Në parlament ka deputetë të partive të tjera, si Dule, Shehi, Mediu, Ndoka, etj, që de facto janë shumë më përfaqësues të partive të tyre sesa Doshi për PSD, por për shkak të ligjit, përfituese e buxhetit është vetëm PSD. Partitë e vogla parlamentare, si PBDNJ, LZHK, PDK, PR ofrojnë dy modele të ndryshme, – një palë që ekziston dhe funksionon nga zgjedhja në zgjedhje dhe një palë tjetër që nuk ekziston prej vitesh dhe as formalisht nuk ka as kryesi, pas parti dhe as anëtarë.
Buxheti shtetëror është i krijuar me taksat qytetare, pra me taksat e votuesve, ndaj edhe meriton shumë më tepër kontroll e llogaridhënie sesa statistikat formale që vijnë nga Kuvendi ose KQZ. Nëse trajtohet si i tillë atëherë lindin disa pyetje të rëndësishme.
Për shembull, përse shteti duhet të paguajë parti që nuk ekzistojnë pavarësisht numrit të votave aksidentalë në një fushatë zgjedhore? Përse shteti duhet të mbajë me seli falas në 12 qarqe parti parlamentare që kanë zënë qendrat e qyteteve / kryeqytetit dhe që paralelisht përfitojnë edhe mbështetje financiare shtesë? Përse shteti duhet të paguajë parti politike, deputetët e të cilës kanë ikur tashmë në një parti tjetër politike, pra që de facto nuk ka asnjë deputet në parlament? Përse shteti duhet të paguajë miliona për partitë politike pa kryer verifikimin e gjendjes faktike të tyre në përputhje me ligjin? Një studenti, një qytetari, një pensionisti, etj, i kërkohet nga shteti një varg dokumentesh të gjendjes aktuale dhe të marrëdhënieve me shtetin përpara se ti jepet ndihma sociale apo pensioni, kurse partive politike shteti nuk u kërkon asgjë, as dokument, as gjendje reale, as verifikim, as prezencë, as aktivitet, as dëshmi e ekzistencës dhe funksionalitetit të tyre. Nëse kemi pasur raste të penalizmit të partive politike (dënim komisionerësh, heqje mandatesh për dekriminalizimin, penalizim për kuotat gjinore, mosdeklarim të rregullt në KQZ të të ardhurave e detyrimeve, abuzime me fondet për kompani lobingu, deklarime të parregullta të donacioneve në fushatën elektorale, etj), përse nuk aplikohet i njëjti standard si me firmat private, me biznesin privat, me OJF dhe median, – penalizim me mospërfitim të fondeve shtetërore? Mbi të gjitha përse asnjë parti nuk penalizohen për refuzim të zbatimit të parimit të nenit 9 të Kushtetutës së RSH, sipas të cilës, partitë duhet të bëjnë kurdoherë publike të ardhurat dhe shpenzimet e tyre financiare, – detyrim që asnjë parti nuk e ka përmbushur asnjëherë.
Analiza / Shtet i varfër, por miliona dhe seli falas për parti që nuk ekzistojnë