Në korrik 2016 parlamenti miratoi reformën në drejtësi. Ishin 140 vota pro, asnjë kundër, asnjë abstenim, – me mbështetje edhe nga deputetë që de facto ishin kritik ndaj reformës apo siç rezultoi, edhe subjekte të dekriminalizimit dhe të hetimit nga drejtësia e reformuar. Reforma u mundësua nga investimi i jashtëzakonshëm i SHBA dhe BE, ajo krijoi institucionin e vetingut dhe ndryshoi së bashku me Kushtetutën edhe më shumë se 25 ligje organike ose të thjeshta. Koha tregoi se ndryshimet kushtetuese dhe ligjore ishin sa të nevojshme aq edhe të hartuara me nxitim dhe pa bazë të qëndrueshme referuese, duke sjellë ndërhyrje të tjera ligjore në së paku 15 ligje dhe në disa raste si Kodi Penal, në ndryshime 3-4 herë brenda 2-3 vitesh nga i njëjti parlament! Ndryshimet ligjore kushtetuese dhe ligjore ishin aq të shumta sa asnjë ligj nuk arriti të nxjerrë në kohë aktet nënligjore dhe se midis vetë ligjeve u gjetën nga GJK elementë antikushtetues.
Konsensusi i gjerë politik për reformën në drejtësi nuk mjaftoi për të jetësuar reformën në kohë: të gjitha institucionet e reja të drejtësisë, përfshirë organet e vettingut, KLP, KLGJ, KED, ILD, PP, SPAK, GJK, GJL, etj, u krijuan ose u zgjodhën jashtë afatit kushtetues dhe ligjor. Partitë dhe institucionet harxhuan një vit kohë për të miratuar në korrik 2017 organet e vettingut në drejtësi, KPK, KPA dhe IKP. Midis 2018-2020 Shqipëria mbeti pa Gjykatë Kushtetuese dhe Gjykatë të Lartë, midis 2017-2019 u zgjodh një Prokuror i Përgjithshëm i përkohshëm, ndërkohë që institucione si KLP mbetën për një kohë të gjatë pa anëtarë të plotë dhe SPAK u krijua pa numrin e parashikuar të prokurorëve.
Procesi i vettingut rezultoi shumë më kompleks sesa ishte menduar, mbi 50% e prokurorëve dhe gjyqtarëve humbën postet e tyre dhe u larguan nga sistemi. Gjatë 3-4 viteve të fundit, ecuria disproporcionale midis daljeve nga sistemi dhe hyrjeve në sistem krijoi hendek në burimet njerëzore duke krijuar efekt domino vakancash në të gjitha nivelet e gjyqësorit dhe të drejtësisë. Premtimi i qeverisë se Shqipëria ka kapacitete të mjaftueshme njerëzore rezultoi i gabuar dhe vuri në dilemë pritshmëritë e reformës. Nga ana tjetër, proceset e zgjedhjeve të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, u shoqëruan me numër të kufizuar kandidatësh cilësor, si dhe me devijim nga standardet e larta kushtetuese në numrin e kandidatëve për vend vakant, në procedura, në lobime dhe në krijimin e precedentit të emërimeve pa vetting. Mbi 50 çështje janë në pritje për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese, mbi 30 mijë mbeten në pritje në Gjykatën e Lartë dhe 2-3 herë më shumë çështje janë në pritje në nivelet e tjera të gjykatave dhe në prokurori.
Nuk ka asnjë dilemë se pavarësisht kostove financiare, njerëzore dhe institucionale, reforma në drejtësi mbetet zhvillimi më pozitiv i dekadës së fundit në Shqipëri. Rezultatet e saj, ndonëse të vonuara dhe të pjesshme, janë arritjet e vetme të demokracisë funksionale e shtetit të së drejtës. Besimi publik tek SPAK është besimi më i lartë tek një institucion dhe vala e denoncimeve të vazhdueshme në SPAK apo në GJK është tregues i etjes, por edhe i besimit tek ndryshimi. Më 2021 Shqipëria ka Gjykatë Kushtetuese funksionale, Gjykatë të Lartë funksionale, ka Prokuror të Përgjithshëm të pranuar gjerësisht, ka SPAK me mbështetje maksimale, ka ILD funksional, ka KLGJ dhe KLP që po reflektojnë më shumë maturi sesa më parë, ka Shkollë të Magjistraturës funksionale dhe ka vetëdije qytetare për reformën, më realiste, më solide dhe më optimiste.
Nga ana tjetër, mesazhi thelbësor i reformës: koha për llogaridhënien, fund pandëshkueshmërisë dhe sistemit korporativ korruptiv, – vlen edhe për politikën, por konsensusi u arrit vetëm për reformën në drejtësi, jo për reformën dhe vettingun në politikë. Po ashtu, ndikimi politik, qoftë përmes përdorimit politik të reformës për qëllime elektorale, qoftë nga sistemi i promovimit klanor apo edhe përmes denigrimit me “gjyq publik” të çdo vendimmarrjeje të drejtësisë që cenon oligarkinë politike, mediatike dhe ekonomike, – janë tregues i qartë se politika në tërësi nuk e ka dashur, nuk e do dhe nuk mund ta duartrokasë reformën në drejtësi.
Cilat do të jenë 10 sfidat prioritare të reformës në drejtësi në vitet e ardhshme?
Lexoni materialin e plotë bashkëngjitur:
ISP – Dokument debati – 2016 vs 2021 Reforma në drejtësi, bilanci dhe sfidat