Instituti i Studimeve Politike (ISP) iu përgjigj kërkesës për shprehje opinioni nga ana e Komisionit të Posaçëm i Reformës Zgjedhore lidhur me draftin e projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime ne ligjin nr. 10019, date 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës se Shqipërisë”.
Në letrën e ISP adresuar Komisionit më 30.10.2019 theksohet se “reforma zgjedhore e plotë dhe funksionale kërkon shumë më tepër ndërhyrje sesa ndryshimet e ofruara në këtë draft. Gjithashtu kërkohet reformim tërësor i legjislacionit mbi partitë politike”, megjithatë në respekt të draftit dhe të punës së bërë nga ekspertët e Komisionit u paraqitën vlerësime të detajuara dhe sugjerime:
Lidhur me çështjen e kuotave gjinore, duke mirëpritur detyrimin e partive të respektojnë kuotat, ISP vlerëson se “propozimi i nenit 23, sipas të cilit, mandati i ndërprerë i kalon fillimisht kandidatit vijues të listës së të njëjtës parti politike në zonën zgjedhore përkatëse mbi bazën e parimit gjinor, dhe kur kjo listë konsumohet, “mandati i kalon kandidatit të gjinisë përkatëse të partisë politike të koalicionit me herësin më të lartë” është i tepruar, madje përbën cënim të parimit kushtetutes që lidh votën me përfaqësimin politik dhe krijon disproporcionalitet midis të zgjedhurve dhe zgjedhësve. Qytetari zgjedh kandidatin ose partinë, ai nuk zgjedh gjininë, ndaj kalimi i mandatit partive/subjekteve të tjera politike në koalicion nuk ka sens, është diskriminim, nuk gjen modele referuese perëndimore dhe krijon bazë për kontestim politik. Partitë në koalicione kanë kontrata politike para ose pas zgjedhore, por ato nuk janë identitete të njëjta politike dhe nuk mundet ti marrin njëra tjetrës mandatet përfaqësuese të dhëna nga qytetaret përmes votës. Praktikë shumë më e këshillueshme do të ishte “mandati i kalon kandidatit të gjinisë përkatëse të partisë politike në një qark tjetër me herësin më të lartë” nëse ruhet ky sistem zgjedhor, ose ku kjo pamundësohet, mandati mbetet në të njëjtin subjekt por subjekti duhet të penalizohet me gjobë të arsyeshme, pasi në këtë rast penalizimi nuk është çështje e vullnetit politik, por e situatave të veçanta të krijuara gjatë legjislaturës.
Lidhur me draftin për votimin familjar apo votimin për të tretët, ISP vlerëson se “sqarimi i këtyre dy praktikave është pozitiv, por legjislacioni duhet në radhë të parë të penalizojë zyrtarët e KQV/KZAZ që e lejojnë një votim të tillë dhe jo individin që tenton ose dëshiron të votojë familjarisht apo për të tretët. Qytetarët mund të kenë formim të ndryshëm dhe mund të jenë edhe viktimë e padijes apo dezinformimit, kurse komisionerët janë zyrtarë publikë, paguhen me taksat tona, janë të trajtuar dhe janë përgjegjës për standardet e zgjedhjeve”.
Lidhur me financimin dhe propozimet në draft, krahas vlerësimeve pozitive për uljen e kostos së zgjedhjeve, shtrirja e periudhës së monitorimit deri 6 muaj përpara zgjedhjeve, kufizimi i të drejtës së donatorëve për të fituar fonde publike në vjet, uljen e pragut të deklarimit në banka, krijimi i një portali të dedikuar nga KQZ, etj, ISP vlerëson se “as risitë e drafti dhe as masat e propozuara nuk arrijnë të përmbushin përgjegjësitë që burojnë nga neni 9 i Kushtetutës së Shqipërisë, sipas të cilit, burimet financiare të partive, si dhe shpenzimet e tyre bëhen kurdoherë publike. Drafti e konfirmon KQZ në qendër të mekanizmit kontrollues dhe garantues të transparencës financiare, përgjegjësi që KQZ as e ka përmbushur, as nuk ka pasur dhe as ka vullnet politik, profesional dhe institucional për ta përmbushur. Për më tepër KQZ është në konflikt interesi për sa kohë 6 anëtarë të tij janë të përzgjedhur politikë të partive që konkurrojnë në zgjedhje me partinë e tjera, pra të partive që ata ngarkohen të kontrollojnë e të penalizojnë në rast shkeljesh. Kritikat e ashpra ndaj KQZ, rolit dhe vendimmarrjes së tij të njëanshme në raportin e fundit të ODIHR janë një tregues më shumë se ky organ nuk mund të jetë zgjidhja, por është vetë pjesë e problemit që kërkon zgjidhje”.
Lidhur me çështjen e trafikut të votës/financimit nga burime kriminale të zgjedhjeve, ISP vlerëson se “zgjidhja që ofrohet nga drafti i propozuar është jo vetëm krejtësisht i parëndësishëm, por edhe jo serioz në gjuhë e zgjedhje. Konkretisht, sipas nenit 7 mjafton një deklaratë e kryetarëve të partive politike (nuk përfshihet të paktën formalisht as kandidati i pavarur, kandidati për deputet, kandidati për bashki, etj, por vetëm institucioni i kryetarit të partisë!!) – dhe çështje konsiderohet e mbyllur. Përveç se përdorimi i termave pompozë dhe pa domethënie si “angazhimi solemn”, propozimit i mungojnë të gjithë elementët që mund ta përfshijnë atë në një “reformë elektorale”. Një trajtim serioz i kësaj problematike mund të çonte në zgjidhje të tjera shumë më efektive dhe të kishte integrim të masave të propozuara me legjislacionin mbi dekriminalizimit të miratuar më 2015. Për shembull, penalizimi me 10-15fishin e shumës financiare të një partie politike/subjekti politik që gjatë legjislaturës provohet se ka përfituar donacione nga burime kriminale ose të paligjshme. E dyta, mund të llogaritej përjashtimi nga administrata publike dhe sektori publik, etj, për një periudhë 4-5 vjeçare të çdo individi që përfshihet në praktikën e trafikimit të votës, përfshirë komisionerët. E treta mund të ishte penalizimi me 10% të financimit në zgjedhjet e radhës të partive/kandidatëve që në zgjedhjet paraprake janë provuar se kanë përfituar fonde nga burime kriminale. Dhe së fundi, penalizimi i të gjithë drejtuesve të degës partiake, stafit elektoral, etj, përfitues financimi nga burime kriminale, për emërim në poste drejtuese në administratën publike dhe sektorin shtetëror”, etj.
Lidhur me ndryshimet e propozuara për çështjet e përdorimit të burimeve shtetërore në fushata elektorale, ISP vlerëson se drafti nuk trajton problemet thelbesore dhe as nuk ofron zgjidhje funksionale. Oferta e ndërhyrjeve që përmbledh drafti lidhur me burimet shtetërore në fushatë elektorale është minore, e paplotë, deklarative dhe nuk sjell garanci përmirësimi në fushatat e ardhshme elektorale, vlerësohet nga stafi i ISP.
Po ashtu ka analiza, vlerësime e sugjerime konkrete për një numër të madh të çështjeve të tjera të përfshira në draftin e ndryshimeve në Kodin Zgjedhor paraqitur nga Komisioni parlamentar për reformën zgjedhore.
Analiza, argumentet, sugjerimet dhe vlerësimet e plota mund të lexohen & shkarkohen këtu: