Zgjedhjet janë të thelbësore për demokracinë dhe stabilitetin e një vendi. Ato janë baza e sistemit të shtetit demoratik dhe burimi i legjitimitetit të të gjithë organeve qeverisëse. Megjithatë, në Shqipëri perceptimi tashmë duket se ka ndryshuar rrënjësisht nga vitet e para të pluralizmit kur mendohej dhe shpresohej në një sistem të mbështetur tek zgjedhjet e lira.
Rezultati i këtyre 30 viteve të pluralizmit është se perceptimi i zgjedhësve është përmbysur dhe është krijuar opinioni se zgjedhjet në Shqipëri faktikisht nuk janë të lira. Masivizimi i një perceptimi të tillë në një shoqëri që supozohet se e krijon legjitimitetin e organeve qeverisëse përmes zgjedhjeve të lira, është në fakt një dëm shumë i madh që i krijohet ndërgjegjes kolektive.
Ideja mbizotëruese është se rezultatet e zgjedhjeve tashmë vendosen në grupe të ngushta njerëzish dhe për më tepër, jashtë syve të publikut dhe jashtë mundësisë së ndikimit nga zgjedhësit. Krijimi i një ideje të tillë duket se qëndron në bazën e lehtësimit të blerjes së votave, sikurse përdoret në zhargonin popullor “për një thes miell”. Thirrjet e njerëzve të ndërgjegjësuar dhe institucioneve e shoqatave të ndryshme për moslejimin e shitblerjes së votës duket se nuk kanë efekt dhe dukuria sa vjen e bëhet më e pranishme.
Mund të listohen disa arsye pse thirrjet e tilla nuk kanë efekt, madje nuk ndikohen as nga fakti që shitja e votës dhe manipulimi i zgjedhjeve në çfarëdo mase konsiderohen vepra penale që ndëshkohen deri edhe me heqje lirie.
Një nga arsyet është se këto thirrje shihen si thirrje sa për të thënë, sa për të përmbushur detyrimet ligjore, sa për të marrë ca fonde projektesh, apo sa për të krijuar idenë se zgjedhjet janë të lira.
Mirëpo, arsyeja kryesore në këndvështrimin tim është përtej këtyre dhe ka të bëjë me psikologjinë e masave. Ideja që zgjedhjet nuk janë të lira, por paracaktohen në tavolina restaurantesh ekskluzive dhe masivizimi i saj, aq më tepër e shoqëruar me protagonizëm dhe anësi të vrazhdë nga media, aktorë dhe përfaqësues të huaj, rezidentë ose jo në Shqipëri, sjell tek qëndrimi që shpreh jo vetëm dorëzimin e zgjedhësit përballë këtyre forcave të konsideruara madhore dhe përtej fuqisë së tij të ndryshimit, por edhe reagimin e zgjedhësit ose përpjekjen e tij për të qenë pjesëmarrës në këtë proces paracaktimi të zgjedhjeve.
Kjo klimë e pafuqisë dhe e parëndësisë së masës së zgjedhësve përforcohet edhe nga fakti që edhe kur standardet dhe integriteti i zgjedhjeve në Shqipëri kanë qenë objekt i shqyrtimit dhe kritikave të shumta nga shoqëria civile, mediat dhe organizatat ndërkombëtare, sërish ka ndodhur që asnjë nga këto nuk ka ndikuar në rishqyrtimin e rezultatit zyrtar zgjedhor. Të paktën kjo vlen për dy dekadat e fundit.
Në këtë këndvështrim shitja e një vote që tashmë konsiderohet e pavlerë pasi është paracaktuar rezultati i zgjedhjeve, jo vetëm me një thes miell, por edhe me më pak, konsiderohet një transaksion i suksesshëm dhe i zgjuar, madje paradoksalisht ndodh të konsiderohet një privilegj që i bëhet votuesit nga një i zgjedhur tashmë paraprakisht.
Duke u konsideruar si një akt bujarie nga dikush që gjithsesi i ka votat e siguruara, “thesi i miellit” është shenjë e nderimit që i paracaktuari i bën votuesit dhe simbol i pjesëmarrjes së votuesit në suksesin e të zgjedhurit të paracaktuar.
Kjo rrezikon ta shndrrojë shitjen e votës në një element sistemik të procesit zgjedhor dhe ngulitja e këtij perceptimi në ndërgjegjen kolektive të masës së votuesve mund të kërkojë kohë dhe përpjekje të mëdha për t’u eleminuar.
Masivizimi i idesë së paracaktimit të rezultatit zgjedhor e bën edhe më të pavlerë përqëndrimin e vëzhgimit të vëzhguesve institucionalë, rastësorë, apo të specializuar, vendorë apo ndërkombtarë vetëm në ditën e zgjedhjeve. Në ditën e zgjedhjeve të gjithë aktorët politikë përpiqen të krijojnë idenë e plotësimit të standardeve zgjedhore dhe pikërisht në këtë ditë është më e vështirë të vërehen anomalitë e procesit.
Prandaj është me rëndësi monitorimi i paanshëm dhe objektiv i krejt procesit zgjedhor dhe jo thjesht i procesit të votimit në ditën e zgjedhjeve. Kjo sepse ndër vite, procesi zgjedhor në Shqipëri ka pasur disa sfida dhe probleme të ndryshme, që kanë çuar në diskutime dhe debate në lidhje me standardet dhe integritetin e zgjedhjeve në vend. Për të siguruar integritetin e zgjedhjeve, është e nevojshme të zbatohen standardet e duhura të organizimit dhe monitorimit të procesit zgjedhor dhe të ketë një angazhim të përbashkët nga të gjithë aktorët politikë dhe institucionalë.
Një dritë shprese dhe një nga mënyrat më shpresëdhënëse për sigurimin e integritetit dhe pavarësinë së procesit zgjedhor në Shqipëri, është që të bëhen ndryshime dhe përmirësime në disa aspekte të procesit zgjedhor. Këto përmirësime mund të përfshijnë përdorimin e teknologjisë për të siguruar një proces zgjedhor më të sigurt dhe transparent. Mirëpo edhe ky besim i votuesit tek paanësia e teknologjisë është shkërmoqur pothuajse përfundimisht me rastet e njëpasnjëshme të rrjedhjes së të dhënave, me daljen në pah të brishtësisë së sistemeve të administrimit dhe qeverisjes online. Madje ajo që do duhej të kishte qenë një nga elementët kyç të rikthimit të besimit të votuesve në integritetin e zgjedhjeve u zhbë dhe u zhvlerësua ende pa u testuar në procesin zgjedhor. Perceptimi që krijohet tek publiku se mund të ndërhyhet nga palë të treta deri edhe në sistemet bankare, e jo më në sistemet e e-administrimit dhe e-qeverisjes e zhbën pothuajse përfundimisht ose për një kohë të gjatë besimin e votuesit në sisteme dhe teknologji të tilla. Kështu bie edhe besimi se vota është e sigurtë dhe se sistemi zgjedhor është i sigurt dhe ia del të sigurojë integritetin e votave dhe të numërimit të tyre.
Një tjetër sfidë është mungesa e besueshmërisë së sistemit zgjedhor, e cila shkaktohet nga shkeljet e rënda të procedurave zgjedhore, si dhe nga mungesa e ndëshkimit për këto shkelje. Kjo ka ndikuar në integritetin e procesit zgjedhor dhe ka krijuar dyshime nëse rezultatet e zgjedhjeve janë të drejta dhe të ndershme.
Me rënien e besueshmërisë së procesit të zgjedhjeve dhe me ngulitjen në ndërgjejgjen kolektive të idesë së zgjedhjet përpara se të blihen me një thes miell paracaktohen me megatransaksione të errëta financiare dhe influence, bie natyrshëm edhe besimi se autoritetet zgjedhore do të jenë të pavarura nga ndikimet politike, se do të jenë në gjendje të ushtrojnë detyrat e tyre pa asnjë lloj ndërhyrjeje nga palët e tjera. Edhe pse autoritetet zgjedhore janë krijuar si institucione të pavarura, dhe teorikisht dhe ligjërisht ashtu duhet të jenë, perceptimi publik është se ata kanë qenë shumë herë objekt i ndikimeve politike. Kjo sjell në rritjen e dyshimeve dhe mosbesimit ndaj procesit zgjedhor, ndikon në integritetin e zgjedhjeve dhe mund të rrezikojë besueshmërinë e krejt procesit zgjedhor.
Organizatat e shoqërisë civile, mediat dhe organizatat ndërkombëtare duhet të kenë mundësi për të monitoruar zgjedhjet dhe të raportojnë për çdo shkelje apo incident që ndodh gjatë procesit zgjedhor. Në disa raste, organizatat e shoqërisë civile dhe mediat kanë hasur në pengesa në monitorimin e procesit zgjedhor dhe në raportimin e shkeljeve që ndodhin gjatë procesit zgjedhor. Mirëpo, sikurse i theksua subjektet politike tashmë e kanë të qartë se gjithçka duhet të paracaktohet përpara ditës së votimeve kur edhe përqëndrimi i vëmendjes së vëzhguesve është më i madh. Për të shmangur befasitë që mund të vijnë nga dita e votimeve është krijuar një sistem i sofistikuar zvarritjesh dhe shtyrjesh të pashpjegueshme dhe të paarsyetuara në procesin e numërimit. Kjo zvarritje është natyrisht në dëm të integritetit të zgjedhjeve sepse synon pikërisht cënimin e këtij integriteti. Sa më shumë të shtyhet procesi i numërimit dhe ai i nxjerrjes së rezultatit, aq më i vogël do të jetë numri i vëzhguesve të pavarur vendor apo të huaj dhe aq më i madh do të jetë ndikimi i paracaktimit zgjedhor në rezultatin përfundimtar.
Asnjë prej metodave të sugjeruara dhe të zbatuara për shpjetimin e procesit të numërimit dhe nxjerrjes së rezultateve nuk ka sjellë përmirësime të dukshme. Shqipëria është shumë larg në këtë aspekt edhe në krahasim me Kosovën, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi ku rezultatet e zgjedhjeve jepen shumë shpejt, brenda 24 orëve dhe pikërisht në praninë e vëzhguesve vendorë dhe sidomos ndërkombtarë. Zgjatja e procesit të numërimit me ditë të tëra e bën të pamundur për shumicën e vëzhguesve të huaj që të ndjekin krejt procesin.
Si përfundim, është e rëndësishme që ndërgjegja kolektive të mos i dorëzohet perceptimit të pafuqisë dhe parëndësisë së zgjedhësve. Duhet, të vazhdojnë përpjekjet për të përmirësuar standardet dhe integritetin e zgjedhjeve në Shqipëri. Ky proces duhet të jetë i pavarur nga ndikimet politike dhe të bazohet në vlera demokratike të transparencës, pavarësisë, rregullave të qarta dhe të njohura më parë, monitorimit të pavarur dhe sigurisë së votave. Për të përmirësuar standardet dhe integritetin e zgjedhjeve në Shqipëri, është e nevojshme që të krijojmë një kulturë politike ku respektohet shteti ligjor dhe respektohen rregullat dhe procedurat e zgjedhjeve. Kjo kërkon angazhimin e të gjithë aktorëve politikë dhe institucionalë dhe bashkëpunimin e tyre për të garantuar që procesi zgjedhor të jetë i lirë, i ndershëm dhe me integritet të plotë e të pacënuar.
Artikulli bëhet në kuadër të projektit “Fuqizimi i integritetit të zgjedhjeve dhe i qëndrueshmërisë së partive politike”, loti “Forcimi i rolit monitorues dhe kërkesës së llogarisë nga qytetarët nëpërmjet shoqërisë civile, medias dhe mbështetjes akademike”, zbatuar nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KSHH) në partneritet me Institutin e Studimeve Politike (ISP), BIRN Albania dhe Qëndresa Qytetare(QQ), mbështetur financiarisht nga Ambasada Britanike.