Projekti “Partneritete të Forta për Reforma të Qëndrueshme: Forcimi i Rolit të Shoqërisë Civile në Adresimin e Sfidave për Zgjedhje të Lira dhe të Drejta”, i mbështetur nga Ambasada e Mbretërisë së Vendeve të Ulëta përmes programit MATRA, u zhvillua në periudhën Nëntor 2022 – Maj 2025, si një përgjigje ndaj nevojës për një angazhim më të strukturuar të shoqërisë civile në përmirësimin e proceseve zgjedhore në Shqipëri.
Qëllimi kryesor i projektit ishte të rrisë integritetin zgjedhor, transparencën dhe besueshmërinë publike në proceset elektorale përmes monitorimit të përhershëm të institucioneve dhe zhvillimeve kryesore, nxitjes së pjesëmarrjes qytetare, ndërgjegjësimit publik dhe advokimit strategjik. Nëpërmjet një qasjeje shumëdimensionale, projekti synoi të adresojë sfida sistemike që kanë penguar zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në vend, duke vendosur shoqërinë civile në qendër të debatit për reformën zgjedhore.
Fushat kryesore tematike të projektit përfshinin:
- Reformën Zgjedhore dhe Kornizat Ligjore: Identifikimi i mangësive në Kodin Zgjedhor dhe ofrimi i rekomandimeve konkrete për ndryshime ligjore e administrative, përfshirë votën e diasporës, transparencën financiare të partive dhe aksesueshmërinë për personat me aftësi të kufizuara.
- Ndërgjegjësimin Publik dhe Angazhimin e të Rinjve: Edukimi i publikut mbi standardet zgjedhore, rritja e pjesëmarrjes politike të votuesve për herë të parë, përmes fushatave ndërgjegjësuese, open forumeve dhe sondazheve kombëtare.
- Transparencën dhe Llogaridhënien në Zgjedhje: Monitorimi i institucioneve kyçe si KQZ, Kuvendi, SPAK dhe strukturat mbikëqyrëse, me fokus në ndjekjen dhe parandalimin e çdo shkeljeje zgjedhore përmes monitorimit të shkeljeve dhe nxitjes së reagimit institucional ndaj çdo cenimi të integritetit zgjedhor.
- Advokimin e Shoqërisë Civile dhe Bashkëpunimin Institucional: Nxitja e dialogut ndërmjet aktorëve të shoqërisë civile, institucioneve publike dhe partnerëve ndërkombëtarë, për të shtyrë përpara agjendën e reformave dhe për të krijuar një bazë të qëndrueshme bashkëpunimi në funksion të demokracisë zgjedhore.
Projekti kontribuoi gjithashtu në rritjen e pjekurisë demokratike dhe ndërgjegjësimit qytetar përmes aktiviteteve hulumtuese dhe edukative, duke prodhuar rekomandime të orientuara drejt përmbushjes së standardeve të OSBE/ODIHR dhe përafrimit me praktikat më të mira ndërkombëtare. ISP dhe ASP, në rolin e tyre si zbatuese të këtij projekti, u pozicionuan si aktorë të besueshëm dhe të angazhuar në debatin për integritetin zgjedhor, duke vendosur bazat për ndikim afatgjatë në reformat zgjedhore në Shqipëri.
Raporti i plotë me gjetje dhe rekomandime mund të lexohet këtu:
Raport final – Partneritete te forta per reforma te qendrueshme 2023-2025