6 vjet pas miratimit të Kodit të Sjelljes në Kuvendin e RSH Instituti i Studimeve Politike (ISP) ofron një analizë profesionale mbi nivelin e jetësimit të standardeve të tij. Fokus prioritar mbeten problematikat lidhur
• me rastet e konfliktit të interesit dhe mungesa e qartësisë mbi aktivitetet lobuese,
• mbi regjistrin e dhuratave dhe pjesëmarrjen në aktivitetet e të tretëve,
• mbi gjuhën politike dhe integritetin parlamentar,
• mbi etikën parlamentare dhe praktikat e masave penalizuese ndaj deputetëve,
• mbi efikasitetin e strukturave vendimmarrëse dhe qartësimin e dispozitave të përgjegjësive,
• mbi sistemin e brishtë të konsultimeve publike dhe të informimit nga programi i transparencës,
• mbi organizimin e brendshëm të strukturave të Kuvendit dhe të grupeve parlamentare
• si dhe mbi shqetësimet e ndryshme rreth procedurave parlamentare.
Për diskutimin e këtyre çështjeve që kanë të bëjnë me konceptet e transparencës dhe llogaridhënies, integritetin dhe rolin antikorrupsion të Kuvendit, me mbështetjen financiare nga Programi i Granteve të Vogla të Komisionit për Demokraci të Ambasadës së SHBA në Tiranë, Instituti i Studimeve Politike (ISP) organizoi tryezën “Një parlament me integritet: Kodi i Sjelljes, Transparenca dhe Llogaridhënia”. NDI Albania ndihmoi gjithashtu përmes ekspertizës së saj vendore dhe ndërkombëtare.
Në funksion të tryezës ISP ofroi një material të detajuar me problematika, qasje ligjore dhe propozime konkrete për ndërhyrje përmirësuese, duke sugjeruar që procesi i shqyrtimit dhe vendimmarrjes mbi të gjithë bazën ligjore rregullatore në Kuvend të bëhet në mënyrë sa më gjithëpërfshirëse dhe profesionale vitin e fundit të legjislaturës, për të hyrë në fuqi në fillimet e legjislaturës së re.
Nën moderimin nga Lutfi Dervishi debatit konstruktiv të tryezës i shërbyen mesazhet mbështetëse dhe angazhimet e shprehura në emër të institucionit nga kryetarja e Kuvendit, zonja Lindita Nikolla, kontributi me gjetje dhe rekomandime i përfaqësuesve të ISP, si dhe përvoja ndërkombëtare dhe sugjerimet për ndërhyrje nga drejtoresha e Directorio Legislativo zonja María Baron ardhur nga Argjentina në funksion të aktivitetit.
Zonja Klotilda Bushka dhe zoti Saimir Korreshi në emër të Sekretariatit për Procedurat, Votimet dhe Etikën; zoti Eduard Shalsi në emër të Sekretariatit për Statusin e Deputetit, si dhe zonja Ina Zhupa në emër të Sekretariatit për transparencën dhe Teknologjinë e Informacionit, zoti Petrit Vasili në emër të PL, zonja Lefteri Luzi, zonja Mimoza Arbri, zonja Julia Done në emër të shërbimeve të Kuvendit, zoti Rinor Beka në emër të NDI Albania dhe gazetarët Esiona Konomi dhe Artan Rama sollën vlerësimet e tyre lidhur me gjetje të raportit të ISP, rekomandimet dhe standardet aktuale të zbatimit të Kodit të Sjelljes në Kuvend, nevojat për ndërhyrje, si dhe elementë të tjerë në funksion të fokusit të tryezës.
Në tërësi përbashkuese ishte qasja konstruktive e nevojës për dialog gjithëpërfshirës dhe rritjen e standardeve të transparencës e llogaridhënies përmes përmirësimeve në aktet e brendshme rregullatore dhe normave të Kodit të Sjelljes.
ISP po zbaton projektin “Një parlament me integritet: Kodi i Sjelljes, Transparenca dhe Llogaridhënia”, i cili po zbatohet nga ISP me mbështetjen financiare të Programit të Granteve të Vogla të Komisionit për Demokraci të Ambasadës së SHBA në Tiranë. Opinionet, gjetjet, konkluzionet dhe rekomandimet e shprehura janë të ISP-së dhe nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht ato të Departamentit të Shtetit.
Raporti teknik me gjetjet dhe rekomandimet gjendet ne linkun:
ISP – Rekomandime mbi Kodin e Sjelljes dhe Rregulloren e Kuvendit 2024