Forcimi i llogaridhënies dhe transparencës parlamentare ishte tema që mblodhi në diskutim përfaqësues nga Kuvendi, institucionet e pavarura dhe kushtetuese dhe ekspertë të shoqërisë civile.
Si kryhet raportimi i institucioneve të pavarura në Kuvend? Sa efektiv është sistemi i mbikëqyrjes parlamentare? Cilat janë kapacitetet e kontrollit parlamentar? Sa reflektohen rekomandimet nga Kuvendi apo kërkesat e institucioneve drejtuar Kuvendit?
Dy raporte të hartuara nga ekspertë të ISP dhe WFD, si dhe një pyetësor me organizatat e shoqërisë civile sollën në tryezë gjetje të rëndësishme dhe mbi 25 rekomandime konkrete.
• Nevojë për përmirësime në legjislacionin dhe aktet e brendshme të Kuvendit,
• Nevojë për rishikim të metodologjisë dhe formave të komunikimit midis Kuvendit dhe institucioneve të pavarura.
• Nevojë për më shumë transparencë dhe llogaridhënie, përfshirje të shoqërisë civile dhe të publikut në proces,
• Si dhe nevojë për rritje e pavarësi më të madhe të kapaciteteve njerëzore dhe buxhetore për Kuvendin dhe institucionet e pavarura.
Gjatë takimit u dhanë mesazhe mbështetëse dhe inkurajuese për sfidat për një parlament më reagues dhe standarde transparence e llogaridhënie, si kontribut për masa antikorrupsion dhe forcim të institucioneve dhe të shtetit të së drejtës. Ambasada britanike në Tiranë theksoi se sistemi i llogaridhënies kërkon që votuesit duhet të jenë të mirë informuar për vendimet e politikanëve dhe këta të fundit duhet të jenë të ndërgjegjshëm dhe të japin llogari për aktet e tyre.
Pjesëmarrësit në tryezë paraqitën problematika dhe propozime, duke vlerësuar rekomandimet e raporteve monitoruese dhe shprehur angazhime për ato nën përgjegjësinë e tyre. Tryeza theksoi nevojën për konsultime periodike dhe një sistem më efektiv komunikimi, si dhe adresoi kërkesën për rol më aktiv edhe të shoqërisë civile në këtë drejtim.
Aktiviteti u realizua në kuadër të projektit “Rritja e llogaridhënies së qeverisë përmes një Parlamenti më reagues”, i cili po realizohet nga Fondacioni Westminster për Demokraci (WFD) me mbështetjen financiare nga Ambasada Britanike në Tiranë.