Kryetemat e diskurtit publik e politik në Shqipëri janë dy: standardet zgjedhore dhe anëtarësimi në BE. Në një demokraci funksionale janë dy tematika në kontrast të thellë dhe vështirë të qëndrojnë bashkë, në demokraci të brishtë si Shqipëri janë tematika të kushtëzuara, të ndërthurura dhe thelbësore. Cluster One bazohet në konceptet e shtetit të së drejtës dhe maturimit demokratik, ku standardet zgjedhore janë parakusht për të vijuar procesin integrues. Shqipëria ka hapur disa kapituj me BE, ndaj çështjet e zgjedhjeve dhe të përfaqësimit janë tashmë pjesë e prioritetit, përgjegjësive dhe detyrimeve.
Reformë zgjedhore? E fundit ishte më 2012, por ka pasur disa ndërhyrje ligjore në emër të ”reformimit”. A mjafton baza aktuale ligjore për zgjedhje të lira dhe demokratike? A është vullneti politik mangësia e vetme e zgjedhjeve me integritet? Sa efektiv, i qëndrueshëm, i besueshëm dhe cilësor është sistemi aktual përfaqësues? A kemi zgjedhur sistemin e duhur zgjedhor dhe atë të administrimit? Përse nuk janë zbatuar rekomandimet e OSBE/ODIHR dhe cilat janë rrugët/mekanizmat për jetësimin e tyre? Cili është roli i partive politike në sistemin tonë politik dhe zgjedhor? Cilat janë ndikimet informale dhe çështjet më shqetësuese që kërkojnë adresim? Sa transparente janë financat elektorale dhe partiake, si dhe sa llogaridhënës janë kandidatët/subjektet politike? Cili është qëndrimi I partive të mëdha dhe atyre të vogla, partive tradicionale dhe partive të reja, shoqërisë civile dhe ekspertëve? A mundet Shqipëria 35 vjet pas ndryshimit të gjej lidership, maturi dhe mekanizma që mundësojnë zgjedhje funksionale dhe me integritet? Cilat janë përvojat e mira nga vende rajonale dhe në BE? Si ndërlidhet agjenda e parlamentit të ri me nevojën për agjendë reformatore elektorale? Cilat janë pritshmëritë për reflektim dhe mësim nga gabimet, ndryshim konceptesh dhe demokratizim të partive e konkurrencë të barabartë midis alternativave në zgjedhje?
Këto dhe tema të ndërlidhura me to ishin pjesë e debatit konstruktiv të zhvilluar sot me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të lartë nga partitë politike parlamentare (aktuale dhe të reja), shoqërinë civile, ekspertë dhe përfaqësues nga misionet kryesore perëndimore në Tiranë Aktiviteti ishte pjesë e Cluster One, iniciuar nga Instituti i Studimeve Politike (ISP) me mbështetjen Mbretërisë së Vendeve të Ulta dhe ambasadës gjermane. Drejtuesi i ISP-së Krasniqi prezantoi një përmbledhje nga position paper “Procesi i integrimit dhe standardet zgjedhore: Adresimi i nevojave, angazhimeve dhe prioriteteve”. Ambasadorët Vos dhe Bergner, Komisioneri Celibashi, politikanët Gjiknuri, Bylykbashi, Mediu, Kapri, Lapaj, Muçi, Shabani, Matija, etj, ekspertë të shoqërisë civile si Skendaj e Meta, etj, kontribuuan në debatin e moderuar nga eksperti i komunikimit Lutfi Dervishi.
Gjatë takimit u shkëmbyen pikëpamje dhe mesazhe të rëndësishme lidhur me rëndësinë e integritetit të zgjedhjeve në ecurinë e bisedimeve për anëtarësim në BE, si dhe mbi prioritetet e mundshme afatshkurtra dhe afatgjata të reformës zgjedhore në Shqipëri.