Instituti i Studimeve Politike (ISP) organizoi tryezën “Standardet dhe praktikat e procesit raportues në Kuvendin e RSH”, me fokus disa nga institucionet kryesore në fushën financiare, Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH), Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit (ILDKPKI) dhe Komisioni i Prokurimit Publik (KPP).
Aktiviteti u përshëndet nga drejtuesi i ISP Afrim Krasniqi dhe drejtore e zyrës së WFD në Shqipëri Valbona Kuko. Eksperti Zef Preçi, i cili drejton edhe ACER, paraqiti gjetjet kryesore, disa parime të rëndësishme të jetësimit të mbikëqyrjes parlamentare, praktikat e mira ndërkombëtare dhe sugjerime konkrete përmirësuese për sistemin aktual të raportimeve.
Në emër të Kuvendit, kryetari i Komisionit të Ekonomisë dhe Financës Eduard Shalsi, si dhe këshilltarët e Shërbimit të Monitorimit të Institucioneve të Pavarura, shprehën pikëpamje konkrete, propozime dhe vlerësime, duke theksuar rëndësinë e një roli aktiv të parlamentit në procesin mbikëqyrës, si dhe gatishmërinë për të bashkëpunuar me organizatat e shoqërisë civile dhe aktorët e tjerë lidhur me këto problematika. Zoti Shalsi vlerësoi edhe raportet e ISP, rekomandimet e ofruara dhe në mënyrë konstruktive sugjeroi masa e mekanizma konkrete për adresimin e tyre.
Në emër të institucioneve të pavarura shprehën opinionet e tyre mbi gjetjet e monitorimit të kryer nga ISP, inspektorja e ILDKPKI Majlinda Thomaj, sekretari i përgjithshëm i KPP Josi Ballauri, si dhe drejtori i Departamentit të Auditimit në KLSH Gjovalin Preçi. Në debat kontribuan edhe përfaqësues nga shoqëria civile, Aranita Brahaj (AIS), etj.
Thelbi i debatit të moderuar nga eksperti Lutfi Dervishi lidhej me gjetjet aktuale të monitorimit të kryer nga ISP dhe standardet ligjore dhe ato të synuara lidhur me jetësimin e një procesi sa më transparent, gjithëpërfshirës, efektiv dhe llogaridhënës në korelacionin midis institucioneve të pavarura që paraqesin raporte vjetore në Kuvend dhe këtij të fundit.
Si ushtrohet procesi mbikëqyrës i parlamentit ndaj institucioneve të pavarura? Cilat janë gjetjet dhe problematikat kryesore lidhur me raportimet vjetore në Kuvend? Cili është roli i deputetëve dhe komisioneve në procesin e raportimeve? Cilat janë vlerësimet mbi procesin raportues të KLSH, ILDKPKI dhe KPP? Cilat janë ndryshimet pozitive dhe gjetjet kritike të raportimeve 2024 në raport me vitin 2023? Sa respektohen standardet e transparencës dhe llogaridhënies në procesin raportues? Cili është bilanci i jetësimit të rekomandimet të parlamentit 2023? Cili është bilanci i jetësimit të kërkesave të vetë institucioneve ndaj parlamentit 2023? Cilat janë nevojat për përmirësime në aktet rregullatore të Kuvendit? Cilat janë rekomandimet kryesore për efikasitetin e procesin mbikëqyrës? Cilat janë problematikat lidhur me auditimin e buxhetit / konfliktin e interesit?
Këto e të tjera tematika ishin pjesë e tryezës së organizuar nga Instituti i Studimeve Politike në kundër të projektit “Rritja e llogaridhënies së qeverisë përmes një Parlamenti më reagues”, i cili po realizohet nga Fondacioni Westminster për Demokracinë (WFD) me mbështetjen financiare nga Ambasada Britanike në Tiranë.
ISP po monitoron procesin raportues, ushtrimin e funksionit mbikëqyrës dhe funksionin zgjedhor të parlamentit, si dhe sipas praktikave të mëparshme, gjetjet kryesore do të jenë publike në formën e raporteve adresuar deputetëve, Kuvendit, institucioneve të përfshira dhe rrjetit të shoqërisë civile.