Në muajin tetor 2024 Shqipëria hapi zyrtarisht kapitullin e parë të negociatave për anëtarësim me Bashkimin Evropian. Tashmë Shqipëria ka hyrë në një fazë të re, duke mbyllur periudhën e tranzicionit dhe duke i vlerësuar jo më si premtim por si kusht thelbësor jetësimin e plotë të standardeve të demokracisë funksionale dhe shtetit të së drejtës. Në këtë kontekst dhe në nevojën për akte konkrete kundër korrupsionit dhe abuzimit, si dhe në drejtim të mirëqeverisjes efektive, parime të tilla si transparenca, llogaridhënia institucionale, përgjegjësia publike, pjesëmarrja qytetare dhe integriteti i procesit vendimmarrës dalin në krye të prioriteteve institucionale.
Kuvendi i RSH, si organi me i larte përfaqësues dhe mbartës i sovranitetit të popullit, është institucioni kryesor vendimmarrës dhe kushtetues, tribunë e debatit politik dhe procesit legjislativ, kontrollues mbi pushtetin ekzekutiv, ushtrues i mbikëqyrjes së institucioneve të tjera dhe identifikimit me vullnetin politik periodik qytetar. Aktualisht legjislatura parlamentare ka hyrë në vitin e fundit të mandatit kushtetues, në maj 2025 në Shqipëri mbahen zgjedhjet e reja parlamentare. Linjat prioritare paralele, nevoja për sukses në zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe nevoja për të udhëhequr procesin e integrimit, i cili është afatgjatë dhe zgjedhjet janë vetëm një pjesë e tij, në rastin e një elite politike të maturuar dhe vizionare mund të gjejnë pika takimi dhe ecurie pa ndërhyrje/zhvendosje. Përvojat e të kaluarës së shkuar dhe të afërt na dëshmojnë se konfliktualiteti politik dhe synimet elektorale ecin në drejtim të kundërt, duke dobësuar rolin e parlamentit, standardet e transparencës dhe llogaridhënies si dhe vetë angazhimin institucional real mbi sfidat e integrimit.
Kuvendi ka rol thelbësor në procesin e negociatave për anëtarësim, por edhe detyrime që burojnë nga ky proces. Një prej tyre është edhe jetësimi efektiv i procesit të konsultimit dhe transparencës publike. Janë dy motive thelbësore për këtë proces: së pari, stadi i ri ku ka hyrë Shqipëria dhe përgjegjësitë gjatë negociatave për të jetësuar standardet e një vendi kandidat real, dhe së dyti, fakti se legjislacioni mbi konsultimin publik, ashtu si ai për të drejtën e informimit, këtë vit shënojnë 10 vjetorin e tyre, – një rast i mirë për të analizuar sukseset dhe problematikat dhe për të përmirësuar instrumentet ligjore, politike dhe administrative për të ardhmen.
Dokumenti i hartuar nga ISP analizon bazën ligjore aktuale në Kuvendin e Shqipërisë, përgjegjësitë që burojnë nga akte ndërkombëtare dhe standardet e mira parlamentare, si dhe ka adresuar rekomandime konkrete përmirësuese, të cilat synojmë të jenë objekt debati në periudhën afatshkurtër.
- Kuvendi, procesin e konsultimit publik nëpërmjet kësaj platforme, mund dhe duhet ta disiplinojë me akt të posaçëm, me rregulla të përcaktuara qartë lidhur me organizimin dhe funksionimin e platformës, çështjet që do t’i nënshtrohen konsultimit publik, subjektet pjesëmarrëse në konsultim, subjektet që autorizojnë këtë konsultim, afatin për dorëzimin e komenteve dhe rekomandimeve, publikimin e dokumentit të konsultimit, publikimin e komenteve, raportin përmbledhës të konsultimit etj. Përshtatshmëria e kuadrit rregullator me praktikat më të mira ndërkombëtare gjeneron një proces më efektiv të konsultimit publik;
- Kuvendi mund dhe duhet të sigurojë që gjuha juridike apo teknike të mos shërbejë si pengesë për qytetarët që kërkojnë qasje në informacionin parlamentar dhe veçanërisht në vendimmarrje. Pavarësisht domosdoshmërisë së përdorimit të terminologjisë juridike në hartimin e projektligjeve, Kuvendi duhet të hartojë përmbledhje të dokumentit të konsultimit në gjuhë të thjeshtë dhe të kuptueshme për qytetarët. I nevojshëm do të ishte edhe ligji i përditësuar;
- Kuvendi gjatë procesit të konsultimit publik duhet të bazohet jo vetëm në parimin e pjesëmarrjes gjithëpërfshirëse dhe mosdiskriminimit në pjesëmarrje, por mbi të gjitha në parimin e transparencës. Në respektim të këtij parimi, Kuvendi, duhet të bëjë transparent çdo mendim/sugjerim/rekomandim/shqetësim të subjekteve pjesëmarrëse në konsultimin publik si dhe të informojë publikun në mënyrë efektive;
- Kuvendi mund dhe duhet të trajtojë në mënyrë të kujdesshme dhe transparente të gjitha kontributet e marra gjatë një procesi konsultimi. Kjo është thelbësore dhe krijon një bazë të mirë për bashkëpunimin e ardhshëm konstruktiv dhe marrëdhënie të frytshme me qytetarët/palët e interesuara. Publikimi i një përmbledhjeje të shkurtër mbi çështjet kryesore të ngritura në konsultim do të ishte pozitive;
- Kuvendi mund dhe duhet të miratojë një Plan Veprimi për të promovuar platformën e konsultimit publik në internet në mënyrë që qytetarët të jenë të vetëdijshëm për mundësitë që kanë për të kontribuar në konsultimet publike dhe për të marrë pjesë në proceset e vendimmarrjes. Është e rëndësishme që të organizohen në mënyrë periodike aktivitete informimi në lidhje me promovimin e platformës. Këto aktivitete mund të organizohen me grupe specifike si media, OSHC-të dhe të rinjtë;
- Kuvendi mund dhe duhet të sigurojë zbatim efektiv të standardeve të procesit të konsultimit publik duke përmirësuar funksionalitetet në platformë me krijimin e modaliteteve të reja. P.sh.,(1) të publikojë në platformën e konsultimit publik udhëzime të thjeshta dhe të kuptueshme mbi përdorimin e saj, (2) të krijojë lehtësira për publikun për sa i përket regjistrimit në platformë dhe hedhjes së komenteve. Kjo e afron qytetarin më pranë Parlamentit. (3) Të gjenerojë statistikat e nevojshme lidhur me procesin e konsultimit publik që platforma të jetë e besueshme: komentet (në total), numrin e komenteve nga individë, OSHC-të apo lobistë, subjektet më aktivë etj;
- Kuvendi mund dhe duhet ta miratojë raportin vjetor të pjesëmarrjes së publikut në vendimmarrje në bashkëpunim me OSHC si dhe të mbajë me to një konferencë vjetore të përbashkët për çështje të bashkëpunimit strategjik mes tyre (sikurse parashikohet).
Raporti i plotë mund të lexohet këtu:
ISP – Standardet e konsultimit publik – parlamentar Cluster One 2024 (final)
Summary of the working document: The public consultations are available at this link.
ISP – Summary of the working document – public consultations 2024