Gjatë pesë viteve të vettingut në drejtësi, nga të dhënat monitoruese të ISP, rezulton se deri në korrik 2023, në total 49 vendime ose 24% të vendimeve të formës së prerë dhënë nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA) kanë ndryshuar vendimmarrjen e nivelit të parë të vettingut, KPK (Komisioni i Pavarur i Kualifikimit).
Koncepti i vettingut është bazuar në tre kritere: aftësia profesionale, integriteti dhe verifikimet e pasurisë. Thelbi i reformës në drejtësi dhe procesit të vettingut ishte pikërisht krijimi i standardeve të njëjta të vlerësimit dhe largimi nga sistemi i prokurorëve apo gjyqtarëve që nuk plotësojnë një ose më shumë nga tre kriteret. Fakti që një numër i konsiderueshëm vendimesh në KPK janë marrë me shumicë votash, pra me dy vota pro dhe një kundër, se disa vendime të KPA janë marrë gjithashtu me shumicë votash (4/1 ose 3/2), se ka pasur 88 apelime nga ana Komisionerët Publikë ndaj KPK-së, – është tregues se vendimmarrjet në KPK & KPA & IKP kanë qenë të diskutueshme dhe për rrjedhojë, edhe standardi i vlerësimit / vettingut nuk rezulton të ketë qenë i njëjtë. Për më tepër, fakti se së paku në 3 raste Gjykata e Strasburgut ka dhënë vendime kundër KPA+KPK+IKP është gjithashtu tregues shtesë i shqetësimeve lidhur me standardet e aplikuara të vettingut. Si në rastet kur vendimet devijojnë nga standardet apo kur përforcojnë standardet, institucionet dhe vetë individët vendimmarrës në KPK, KPA, IKP, etj, duhet të marrin meritat (tek rastet e suksesshme profesionale) apo përgjegjësinë (tek rastet e devijimeve nga standardet e mira).

Kuvendi ka vendosur shtyrjen e afatit të anëtarëve të KPK për dy vjet të tjera, pritet të shtyjë edhe mandatin e ONM edhe për disa vite. Reforma nisi si eksperiment, ishte unike në përmbajtje e qasje, krijoi struktura të reja, vendi mbeti më shumë se dy vjet pa Gjykatë Kushtetuese dhe sistem efektiv gjyqësor, por tashmë institucionet janë krijuar, janë funksionale dhe kanë dhënë vendime të mjaftueshme për të lexuar si duhet integritetin dhe aftësinë e tyre.
Pas 5 viteve veting është e rëndësishme të ketë një analizë nga vetë institucionet e drejtësisë dhe një “auditim” profesional përmes ekspertëve të pavarur nga Kuvendi, institucioni që ka miratuar reformën në drejtësi, për të vlerësuar, bilancin, arritjet, problematikat dhe sfidat e ardhshme të vettingut të realizuar ose të munguar. Vetë institucionet e drejtësisë (jo ministria) mund të kontraktojnë auditim profesional të vetvetes, praktikë e njohur e institucioneve me integritet. Një rol aktiv mund të luajnë edhe qendrat studimore, si Fakultetet e Drejtësisë, (nëse nuk do të kenë konflikte interesi), si dhe Instituti Parlamentar apo organizata të rëndësishme ndërkombëtare që kanë besueshmëri publike në Shqipëri. Natyrisht, Instituti i Studimeve Politike (ISP), organizatë që monitoron proceset demokratike dhe cilësinë e shtetit të së drejtës në Shqipëri, do të përfshijë në programin e saj jetësimin e kësaj analize, por kryesisht me qëllime studimore dhe referuese për progresin e vendit dhe debate të njëjta në disa vende të rajonit.
Instituti i Studimeve Politike (ISP)