Zgjedhjet 2017 janë të parat zgjedhje kombëtare që bëhen me kuadrin e rij ligjor mbi dekriminalizimin, ligji i cili ka qëllim kryesor mbrojtjen dhe garantimin e shtetit demokratik “nga ndikimi apo pjesëmarrja në politik-bërje dhe/ose vendimmarrje i personave, të cilët janë dënuar apo ndaj të cilëve janë marrë masa sigurie ose janë dënuar me vendim jopërfundimtar për kryerjen e krimeve1”. Burim i ligjit ishte problematika e konstatuar në zgjedhjet parlamentare 2013 dhe 2015, në të cilat u evidentuan raste të përfshirjes në kandidim dhe zgjedhje të individëve me të kaluar të inkriminuar.
Instituti i Studimeve Politike u investua në zgjedhjet lokale 2015 në hartimin e Zonave të Riskut, zona në të cilat kandiduan individë me të shkuar kriminale dhe ku shanset për incidente, konflikt dhe kontestimi ishin të mëdha. Fatkeqësisht, parashikimi i ISP doli i saktë për zonat e riskut dhe sidomos për faktin se të paktën 5 kryetarë bashkie u zgjodhën në post pavarësisht të shkuarës së tyre kriminale në të kaluarën.
Paketa kushtetuese mbi de-kriminalizimin (2015), si dhe Reforma Kushtetuese e realizuar në korrik 2016 e përfshijnë konceptin e de-kriminalizimit në të gjithë elementët zgjedhorë dhe promovues të organizimit të ri gjyqësor dhe të prokurorisë, si dhe për institucionet e reja kushtetuese. Partitë politike deklaruan vullnet politik për zbatimin e plotë dhe integral të ligjit të de-kriminalizimit, por një numër rastesh të veçuara, si dhe zgjedhjet e fundit të pjesshme në bashkinë Dibër, treguan kontrastin e thellë midis deklarimeve politike dhe zhvillimeve praktike në terrenin elektoral.
RAPORTI ME REKOMANDIME MUND TË SHKARKOHET / LEXOHET MË POSHTË: