Më datë 25.04.2021 Shqipëria do të zhvillojë zgjedhjet e saj të radhës parlamentare. Këtë vit, ndryshe nga zgjedhjet e kaluara, vendi ynë përballet me disa rregulla të reja lidhur me mënyrën se si do të zhvillohen ato. Këto ndryshime, siç ndodh rëndom në Shqipëri, erdhën pa konsultime publike dhe përmes marrëveshjeve politike të iniciuara pas presioneve të shumta nga faktori ndërkombëtar. Pakti i Këshillit Politik u shpreh me një marrëveshje të dakordësuar më 5 qershor 2020, por në korrik mazhoranca inicioi ndryshime kushtetuese dhe më pas edhe ndryshime në Kodin Zgjedhor, duke sjellë ndryshime të reja në legjislacionin zgjedhor, në sistemin zgjedhor, në praktikën zgjedhore dhe në elementë të veçantë të administrimit zgjedhor.
Ndryshimet e “minutës së fundit” në përpjekje për të kapur limitet kohore ligjore, u shoqëruan jo vetëm me kontestime politike paraprake mbi bazën ligjore, por edhe me paqartësi, si dhe me nxitim për krijimin e strukturave të reja drejtuese të procesit zgjedhor. Në praktikën shqiptare kritikat e përhershme kanë qenë se partitë kanë vullnet minimal për respektimin e legjislacionit zgjedhor apo e lexojnë dispozitën ligjore në forma krejt të ndryshme nga njëra-tjetra, traditë që vijon të shfaqet edhe tani.
Instituti i Studimeve Politike (ISP) është duke monitoruar KQZ dhe fushatën elektorale, si pjesë të angazhimit në projektin “Monitoring the 2021 Parliamentary Elections in Albania” mbështetur financiarisht nga qeveria e Mbretërisë së Bashkuar përmes ambasadës britanike në Tiranë. Pjesë e projektit është monitorimi aktiv i respektimit të bazës ligjore mbi zgjedhjet, monitorimi i detajuar i aktivitetit të KQZ dhe akteve të nxjerra prej tij, reagimi i publikut dhe aktorëve politikë ndaj vendimmarrjes, si dhe ngritja e një sistemi “alert” që sjell në vëmendje akte të munguara ligjore apo çështje më rëndësi për zgjedhjet, por që nuk janë ende axhendë institucionale. Stafi i ISP ka marrë pjesë në takime konsultative me KQZ dhe me shoqërinë civile që monitoron zgjedhjet, duke shprehur shqetësimet e veta të vazhdueshme, por edhe duke ofruar rekomandime konkrete për rrugëzgjidhje. Sistemi “alert” ia mundëson ISP një kontribut konstruktiv në drejtim të rritjes së transparencës dhe të standardeve të procesit zgjedhor.
Ky raport synon të hedhë dritë mbi disa aspekte lidhur me sa më sipër, duke u përpjekur gjithashtu të japë sugjerime mbi mënyrën se si mund të tejkalohen këto problematika të lindura rishtazi.
GJETJET KRYESORE
1. ISP vlerëson se kuadri ligjor mbi zgjedhjet parlamentare të vitit 2021 nuk u ndërtua mbi standardin e konsensusit dhe besimit reciprok midis mazhorancës dhe opozitës politike, sidomos pas ndryshimeve të njëanshme kushtetuese dhe reflektimi i tyre në Kodin Zgjedhor. Kjo dobësi e legjislacionit zgjedhor ka ndikimin e vet edhe në standardet e përgatitjes, organizimit dhe zhvillimit të procesit zgjedhor.
2. KQZ nuk është më një strukturë e identifikuar e përgjegjësisë, por një organ kompleks, në tri nivele, secila të pavarura nga njëra-tjetra, dhe shpesh edhe me lexime të ndryshme të Kodit Zgjedhor. Rasti i vendimmarrjeve të ndryshme për të njëjtat fakte nga Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve dhe struktura e KAS është një prej treguesve të diferencës në lexime të të njëjtave dispozitave ligjore.
3. Fushata elektorale ka nisur de facto shumë më herët sesa periudha e parashikuar nga Kodi Zgjedhor. KQZ ka drejtuar apele publike, por një ndërhyrje më aktive e konkrete e tij do të kishte qenë shumë më efektive për t’i dhënë fund abuzimit me periudhën paraelektorale.
4. Koha e shkurtër në dispozicion të implementimit të ndryshimeve të ndodhura së fundmi në legjislacionin zgjedhor ka bërë që të shfaqen problematika të shumta në këtë drejtim. Këto problematika lidhen kryesisht me vendimmarrje të diskutueshme të organeve të KQZ-së, si dhe me interpretimet e ndryshme të terminologjisë së përdorur në ligj dhe aktet nënligjore me qëllim zbatimin e Kodit Zgjedhor.
5. Legjislacionit zgjedhor i mungon një manual shpjegimi i dispozitave, i pranuar nga të gjithë aktorët politikë dhe i qartë me frymën kushtetuese, Kodin Zgjedhor dhe praktikave mira zgjedhore.
6. Partitë dhe koalicionet politike humbën rastin të përdorin të drejtën e tyre për të dërguar paraprakisht listat emërore për verifikim në kuadër të ligjit 138/2015 (dekriminalizimit).
7. Strukturat e KQZ janë përpjekur të nxjerrin aktet nënligjore brenda afatit ligjor, por të dhënat monitoruese të ISP tregojnë se 18% e këtyre akteve nuk ishin miratuar ende megjithëse afatet ligjore ishin tejkaluar.
8. Përbërja e deleguar politike në KAS dhe në Rregullator është reflektuar edhe në vendimmarrjet e tyre politike, duke i dëmtuar pritshmëritë dhe nevojat për integritet dhe standarde më të larta zgjedhore.
9. Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve është organi i vetëm që ka tentuar të jetë transparent dhe bashkëpunues me publikun, i hapur ndaj medias dhe shoqërisë civile, pranues dhe reflektues i raporteve kritike dhe rekomandimeve, në kontrast të thellë me dy strukturat e tjera të KQZ.
REKOMANDIME KRYESORE NË STADIN AKTUAL
KQZ ka nevojë emergjente të bëjë standardizimin e legjislacionit zgjedhor dhe praktikave zgjedhore, në mënyrë që interpretimet e ndryshme të neneve të Kodit Zgjedhor të gjejnë zgjidhje përpara fushatës.
Organet e KQZ, sidomos KAS dhe Rregullatori duhet të jenë më transparente, më të pavarura dhe më llogaridhënëse me publikun, duke sugjeruar organizim prej tyre të konferencave të shtypit për sqarimet e vendimmarrjes, si dhe miratimin e një manuali mbi konceptet e KAS rreth dispozitave ligjore të Kodit Zgjedhor dhe të praktikës së mirë të vendeve të tjera në vendimmarrjet lidhur me shkeljet zgjedhore.
Interpretime të KQZ, si rasti i burimeve shtetërore në fushatën elektorale apo i përcaktimit të limitit të kandidatëve për subjektet politike në zonat zgjedhore, krijojnë debat për qëndrime subjektive që mund të passjellin pasoja në elementë të ndryshëm të procesit zgjedhor. Leximi i Kodit me të njëjtën gjuhë dhe kodifikimi i rregullave do të kishte qenë një rrugëzgjidhje më oportune dhe më konstruktive. Fakti që pothuajse të gjitha subjektet dërguan në KQZ listë shumëemërore më të madhe sesa numri i parashikuar nga KQZ është më shumë pasojë e paqartësisë së dispozitës sesa përgjegjësi e tyre.
Disa akte nënligjore të miratuara në organet e KQZ kanë nevojë për rishikim. Shoqëria civile ka adresuar rekomandime dhe disa raporte të tyre kanë identifikuar raste konkrete që kërkojnë përmirësime. Një reagim më konstruktiv i KQZ do të ishte i mirëpritur në raste të tilla.
ISP vlerëson se do ishte me vend që të përcaktohej më qartë në nenin 10 ndarja e përgjegjësisë institucionale dhe asaj personale në rast të mos-raportimit apo promovimit të veprimtarive të ndaluara nga zyrtarët e lartë. Gjithashtu çmojmë se nevojitet të përkufizohet më qartë, se cilët janë “subjektet nën përgjegjësi administrative”, për të cilët parashikohen sanksionet në nenin 10, pika 1 të Vendimit Nr.9 të Komisionit Rregullator.
Për garantimin e respektimit të ligjit Nr.138/2015, është e nevojshme të merren masat për koordinimin paraprakisht të veprimeve ndërmjet institucioneve të ngarkuara me detyra sipas Kodit Zgjedhor dhe ligjit 138/2015, si dhe për angazhimin maksimal të KQZ për sigurimin e burimeve njerëzore dhe infrastrukturën e përshtatshme për përpunimin e të dhënave në formularët e vetëdeklarimit për rreth mijëra kandidatë, përpara datës së zgjedhjeve.
Parashikimet e legjislacionit ngarkojnë kundrejt KQZ-së një barrë të madhe për të cilën koha e mbetur në dispozicion është relativisht e shkurtër. Sa më sipër, do të ishte me vend dhe në shërbim të të gjitha palëve, që më së paku, në një situatë të tillë data e depozitimit të listave të kandidatëve pranë KQZ të ishte më e largët nga data e zgjedhjeve, duke i mundësuar kështu KQZ-së kohën e mjaftueshme për kryerjen e verifikimeve përkatëse. Ndërkaq, në çdo rast koordinimi ndërmjet institucioneve mbetet një komponent kyç për realizimin me sukses të këtij misioni.
Raporti i plotë mund të lexohet këtu: