Këshilli Evropian miratoi më 25 mars 2020 vendimin për hapjen e bisedimeve me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Akordi i arritur nga vendet e BE përbën një ndryshim të rëndësishëm në axhendën politike të Shqipërisë. Pas tentativave të pasuksesshme të viteve të kaluara vendimi krijon një shans të ri për vendin dhe përbën një shtysë pozitive për nxitjen e reformave, sidomos të atyre që ministrat e jashtëm i konsideruan si më prioritare në fazën aktuale. Vendimi i KE erdhi në kohën kur jeta politike në Shqipëri është e fokusuar në përballimin e situatës së emergjencës civile Covid-19. Prej më shumë se një viti opozita parlamentare nuk është e përfaqësuar në parlament pas vendimit të saj për dorëzimin e mandateve, ndërkohë që mazhorancë në qeveri nga 74 deputetë të fituar në zgjedhjet e vitit 2017 aktualisht ka një rritje prej 85-90 mandatesh, mbështetje që i vjen nga deputetët zëvendësues që “përfaqësojnë” opozitën.
Pas vendimit të Komisionit Evropian në mars nuk ka pasur zhvillime të reja në vend në lidhje me procesin e integrimit. Qeveria e përshëndeti vendimin dhe bëri përpjekje të mëdha për ta konsideruar atë si meritë politike, duke akuzuar opozitën jashtë parlamentit se u përpoq ta ndalonte atë. Nga ana tjetër opozita kryesore politike e përshëndeti vendimin dhe e lexoi atë si një shans të ri për më shumë monitorim ndaj vendit, si dhe 12 kriteret e deklaruara si penalizim për performancën negative të qeverisë dhe kushtëzim që vjen për shkak të përgjegjësive të saj në sektorë të ndryshëm të qeverisjes. Opozita bëri lobim publik paraprakisht tek partitë dhe institucionet evropiane ku ajo kishte akses, në mbështetje të një vendimi pozitiv mbi Shqipërinë. Gjithashtu edhe opozita minore parlamentare që gjendet në Kuvend ishte mbështetëse e procesit të integrimit.
Shqipëria vijon të jetë një vend pa parti politike kritike ose skeptike ndaj proceseve integruese dhe se vendimi i BE erdhi pas shumë vitesh pritjeje, dy elementë që ndikuan në mungesën e ndonjë entuziazmi të madh në Tiranë lidhur me vendimin e marsit 2020. Për herë të parë nuk pati deklarata përshëndetëse shumë entuziaste, as koncerte, festa, pritje zyrtare apo fushatë mediatike pro vendimit. Perceptimi i përgjithshëm në Tiranë, sidomos në rrethet civile, publike e mediatike, është se anëtarësimi i plotë do të kërkojë shumë kohë, dhe se vendimi i fundit i BE është vetëm një hap drejt një rruge të gjatë, se nuk ka pasur progres domethënës midis tetorit 2019 dhe marsit 2020 kur dhe u morën dy vendime të ndryshme mbi Shqipërinë, në rastin e parë refuzues dhe me veto nga disa vende anëtare dhe në rastin e dytë mbështetës dhe konsensual për Shqipërinë. Ndryshimi më shumë i dedikohet situatës gjeopolitike si dhe ndryshimit që solli metodologjia e re të zgjerimit të Bashkimit Evropian.
Instituti i Studimeve Politike vijon të monitorojë nga afër proceset politike dhe institucionale në kuadër të përmbushjes së kritereve të përcaktuara nga Bundestag lidhur me Shqipërinë. Aktiviteti i ISP në këtë drejtim mbështetet nga Fondacioni “Konrad Adenauer”. Ky është raporti i parë periodik për vitin 2020 dhe i pesti në radhë nga fillimi i projektit më 2018.
Raporti i plotë, gjetjet dhe sfidat për të ardhmen nuk është i disponueshëm për publikim.