Drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar! Ky ishte një prej sloganeve dominuese në të gjitha takimet për reformën në drejtësi më 2014-2016 dhe premtimi se reforma e re do të siguronte drejtësi për të gjithë, profesionalizëm, integritet dhe besueshmëri. Pas 5 vitesh kemi reformë kushtetuese, ligjore dhe administrative, por ende nuk kemi drejtësi në nivelin e përcaktuar kushtetues. Një prej të dhënave ilsutruese ofrohet nga Gjykata e Lartë, gjykatë e cila për rreth dy vjet ishte jo funksionale dhe që ndërkohë, edhe pse larg plotësimit të numrit të plotë, ka arritur të sigurojë numrin minimal të gjyqtarëve për vendimmarrje. Aktualisht Gjykata ka publikuar të dhënat për 9 anëtarët e saj, nga 19 që duhej të kishte sipas programimit të parë të reformës në drejtësi. Përbërja e plotë e gjykatës nuk lidhet vetëm me nevojën për një gjykatë funksionale, por edhe me detyrimin e saj kushtetues për të zgjedhur tre anëtarë të Gjykatën Kushtetuese. Ndryshimi i kuorumit për vendimmarrje ishte një devijim nga parimi dhe standardi i procesit të reformës dhe një tregues i hendekut ende të madh midis pritshmërive të atyre ekspertëve që dizenjuan reformën dhe potencialeve reale njerëzore për kandidatë/prurje në sistem. Proceset e zgjedhjes së anëtarëve të rinj në Gjykatën e Lartë vijojnë të jenë nën kritika të pjesshme edhe për dy tipare specifike, për faktin se për një numër anëtarësh nuk kërkohet standardi i vettingut që aplikohet për gjyqtarët e thjeshtë apo se procedura për prurjet e tjera plotësuese po bëhen më shumë nën presionin e nevojës për të gjetur kandidatë fitues sesa për të aplikuar standarde të larta meritokracie.
Tabela e hartuar nga ekspertët e Institutit të Studimeve Politike (ISP), ilustron të dhënat publike të GJL mbi dosjet për shqyrtim në këtë gjykatë. Sipas të dhënave përpara nisjes së reformës në drejtësi kishte 13 mijë dosje/raste për shqyrtim, por gjatë viteve të tranzicionit midis strukturës së vjetër dhe të re numri i dosjeve arriti në 36 mijë. Pika kulmore u raportua në maj 2021 me 36,788 raste/dosje për shqyrtim. Shqyrtimi i të dhënave të gjykatës tregon se megjithatë gjatë vitit 2021 kemi vendimmarrje në rritje të vetë trupës së re të kësaj gjykate (2458 raste/dosje, nga tw cila 2175 vendime përfundimtare), ka gjithashtu rritje të adresimeve në gjykatë dhe për pasojë edhe rritje të numrit të dosjeve në shqyrtim. Së fundi Gjykata raportoi se muajin e kaluar kishte 36,6 mijë dosje, shifra e dytë më e madhe e dosjeve në dhjetë viteve e fundit në prirje për gjykim. Gjykata aktuale ka në përbërje e në drejtim individë me përvojë të gjatë ligjore dhe ekspertë të lartë të reformës në drejtësi, padyshim, disa prej emrave më të respektuar në jurisprudencën shqiptare.
Ekspertët e ISP vlerësojnë se numri i lartë i dosjeve në prirje nuk janë përgjegjësi e stafit aktual të GJL, por mbetet një trashëgimi dhe sfidë e reformës, me të cilën ajo duhet të përballet. Për më tepër, kur institucionet e reja të drejtësisë, sidomos ato kolektive, nuk ndërvaren nga cilësitë e individëve të veçantë, por nga cilësitë e të gjithë anëtarëve dhe nga vetë funksionaliteti i sistemit të së drejtës. Vetë Gjykata është e detyruar të investohet edhe në angazhime të tjera paralele, si për shembull, drejtimi në Këshillin e Emërimeve në Drejtësi (KED), apo në aktivitete të tjera, ndërkohë që Shqipëria ka nevojë jetike për gjykatës 100% të fokusuar vetëm në malin e dosjeve në pritje në këtë gjykatë. Nga ana tjetër GJL po asistohet nga një program i USAID për të nxitur uljen e stokut të dosjeve dhe rikthimin e normalitetit në afatet ligjore dhe kushtetuese të shqyrtimit dhe vendimmarrjeve mbi dosjet/rastet, një objektiv që do të kërkojë shumë më tepër kohë dhe qasje më strategjike vendimmarrëse dhe administrimi në GJL dhe në sistemin e ri të drejtësisë.
ISP vlerëson se përpjekja për të krijuar idenë se shumë prej çështjeve në prirje në Gjykatën e Lartë janë të natyrës teknike (civile apo penale) dhe se mund të zgjidhen me konceptin e grupimit sipas specifikave, vlen për konsum publik, por jo për të zëvendësuar konceptet e shtetit të së drejtës që kërkon Shqipëria. Çdo çështje, çdo rast, çdo adresim, kërkon procedurë ligjore, kushtetuese, profesionalizëm dhe transparencë, besueshmëri dhe gjykim me integritet, – në mënyrë që reforma më e rëndësishme e dekadës së fundit të rezultojë një histori (modeste) suksesi. Sepse, në fund të fundit, çdo subjekt, çdo individ, çdo palë (në pritje) në proces ka të drejtë të rimarrë dhe të rikujtojë me zë të lartë sloganin e reformës “Drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar!”.
ISP është duke monitoruar reformën në drejtësi dhe zbatimin e kritereve të BE & Bundestag mbi Shqipërinë, ku funksionaliteti i institucioneve të drejtësisë është një prej prioriteteve thelbësore.