Instituti i Studimeve Politike (ISP) ka monitoruar procesin e raportimit vjetor të Institucioneve të Pavarura kushtetuese dhe ato të krijuara me ligj, praktikat e ndjekura në komisionet përgjegjëse parlamentare, rezolutat e miratuara dhe rastet e debateve në seancat plenare. Gjithashtu ISP ka analizuar mekanizmat e mbikëqyrjes parlamentare dhe ato të raportimit, bazën ligjore në fuqi dhe praktikat e mira ndërkombëtare të referueshme edhe për Shqipërinë. Raportet janë shoqëruar me gjetje dhe rekomandime, të cilat synojnë përmirësimin e procesit, rritjen e konceptit të transparencës dhe të llogaridhënies, si dhe forcimin njëherësh të besimit publik, përmes konsolidimit të mekanizmave të kontrollit parlamentar dhe të integritetit raportues të institucioneve kushtetuese dhe të atyre të pavarura të krijuara me ligj.
Pjesë e angazhimit të ISP-së është edhe matja e perceptimit publik mbi praktikat e raportimit dhe kontrollit parlamentar, aktivitet të cilin ISP në konsultim me Fondacionin Westminster për Demokraci (WFD) vendosi ta realizojë përmes një pyetësori të adresuar organizatave të shoqërisë civile. ISP përdori databazën e publikuar në webfaqen e Kuvendit lidhur me organizatat lobuese të shoqërisë civile të regjistruara zyrtarisht, si dhe listën e organizatave që kanë qenë aktive në ndërveprimin parlamentar, përmes monitorimit, raporteve, konsultimit publik, rekomandimeve apo seancave dëgjimore. Pyetësori iu drejtua 38 organizatave, nga të cilat 32 organizata dhe ekspertë u treguan të gatshme të japin vlerësimin e tyre profesional.
Nga praktika e ndërveprimit me organizatat e shoqërisë civile, pjesë e Regjistrit Elektronik të OSHC-ve, u konstatuan disa elementë, të rëndësishëm edhe për integritetin e projektit të ISP, integritetin e problematikës dhe leximin cilësor të mendimeve të shoqërisë civile mbi Parlamentin.
Me 32 përgjigje nga organizatat e shoqërisë civile, ISP arriti të sigurojë pothuajse listën e plotë të përgjigjeve të organizatave që realisht kanë njohuri, përvojë dhe ekspertizë në fushën e ushtrimit të funksionit mbikëqyrës të Parlamentit, procesin e raportimeve të Institucioneve të Pavarura dhe praktikave të ndërveprimit institucional në kushtet e ndarjes dhe balancës së pushteteve.
Të dhënat e marra nga pyetësorët janë përpunuar nga ekspertët e ISP dhe ky raport paraqet gjetjet kryesore, të cilat janë në interes jo vetëm të projektit, por edhe të aktorëve institucionalë dhe civilë të përfshirë në këtë tematikë.
PËRMBLEDHJE E GJETJEVE KRYESORE
- Shoqëria civile e vlerëson progresin e Kuvendit lidhur me ushtrimin e funksionit mbikëqyrës ndaj institucioneve të Pavarura, lidhur me kapacitetet dhe nivelin ekspertizës për vlerësimin e raporteve vjetore, si dhe për ndjekjen e rekomandimeve e kërkesave të ndërsjella, ato për institucionet dhe ato për vetë Kuvendin. Megjithatë ajo ka vlerësime kritike dhe e sheh atë si progres të pamjaftueshëm në raport me nevojat dhe sfidat e vendit.
- Shoqëria civile mbështet financimin më të mirë të strukturës parlamentare dhe zgjerimin e kapaciteteve njerëzore, të ekspertizës dhe të mbështetjes për Kuvendin në ushtrimin e funksioneve mbikëqyrëse dhe raportuese vjetore. Gjithashtu sugjerojnë përfshirje më të madhe të Kuvendit dhe institucioneve në marrëdhëniet publike, për informimin cilësor të publikut dhe grupeve të interesit, medias dhe aktorëve të tjerë publikë.
- Shoqëria civile dhe ekspertët vlerësojnë rëndësinë e rritjes së peshës dhe performancës së komisioneve parlamentare në jetësimin e standardeve të mbikëqyrjes dhe raportimeve nga institucionet e pavarura, si dhe zgjerimin e mekanizmave të tyre në ushtrimin e këtyre funksioneve.
- Shoqëria civile dhe ekspertët i japin rëndësi konkurrimit transparent, rritjes së pragut minimal të vendimmarrjes nga 71 në 84 vota, pjesëmarrjes së shoqërisë civile në seancat dëgjimore, si dhe garantimit të profesionalizimit të kandidatit si prioritet kryesor, në ushtrimin e funksionit zgjedhës nga Kuvendi.
- Shoqëria civile dhe ekspertët mendojnë se platforma ndër-institucionale e Kuvendit nuk gjeneron informacione statistikore të besueshme dhe se duhet reformuar e pasuruar me të dhëna për të krijuar një sistem publik transparence dhe llogaridhënie.
- Numri i organizatave që kishte dijeni të plotë për procesin raportues në Parlament, si dhe me përvojë në shkëmbimet aktive me Parlamentin, ishte shumë më i vogël sesa numri i organizatave në regjistër. Disa prej tyre e kishin të pamundur të jepnin opinion për shkak se ndonëse ekzistonin formalisht në regjistër dhe nuk posedonin ekspertë të fushës në strukturën e tyre.
- Rezulton se janë shumë të pakta rastet kur organizatat e shoqërisë civile kanë adresuar në rrugë institucionale sugjerime dhe rekomandime konkrete në Parlament, si dhe të kenë pasur raste të një përvojë komunikimi, mbi të cilën mund të krijohet një perceptim i cilësisë së bashkëpunimit dhe ndërveprimit.
- Disa organizata posedojnë ekspertizë të lartë, kanë ekspertë dhe njohuri të konsoliduara, dhe mbi këtë bazë përgjigjet e tyre nuk ishin personale (përgjigje të personit të pyetur), por kolektive (në konsultim e vlerësim të brendshëm me stafin).
- Së fundi, në tërësi ISP konstatoi se ashtu si deputetët dhe stafet parlamentare në tërësi, edhe shoqëria civile ka nevojë për informim cilësor të vazhdueshëm dhe angazhim në trajnime që lidhen me Parlamentin. Kjo një përgjegjësi që mund të ushtrohet nga vetë Parlamenti përmes Institutit Parlamentar.
Ky raport realizohet në kuadër të projektit “Rritja e llogaridhënies së qeverisë përmes një Parlamenti më reagues”, i cili po realizohet nga Fondacioni Westminster për Demokracinë (WFD) me mbështetjen financiare nga Ambasada Britanike në Tiranë.
Raporti i plotë me gjetje të detajuara dhe rekomandime gjendet këtu: