Detyrimi ligjor
Standardet e larta, ligji 138/2015 dhe ai mbi deklarimin e pasurisë kërkojnë që deputetët e zgjedhur të publikojnë të dhëna të detajuara dhe të dokumentuara për CV e tyre profesionale dhe politike, të dhënat financiare, si dhe mbi aksesin e kontaktit dhe komunikimit të vazhdueshëm midis tyre, zgjedhësve, medias dhe publikut.
Problemi
Asnjë parti politike dhe asnjë grup parlamentar nuk ka aplikuar programin e transparencës, i cili është i detyrueshëm për institucionet publike dhe është normë demokratike. Të dhënat e partive për deputetët në detyrë dhe ata të zgjedhur janë formale, të paplota dhe pa bazë solide referimi. Të dhënat për stafet drejtuese politike janë edhe më të paplota.
Zgjidhja
Partitë duhet të aplikojnë standarde më të larta etike, transparence dhe llogaridhënie, tri premtime që ato i kanë bërë në çdo fushatë elektorale. Ato duhet të tregojnë me fakte se nuk kanë asgjë për t’i fshehur votuesve, se respektojnë nevojën për më shumë transparencë dhe se janë institucione përfaqësuese me bazë demokratike.
Instituti i Studimeve Politike po zbaton projektin “Promovimi i llogaridhënies së zyrtarëve të zgjedhur”, i cili mbështetet financiarisht nga NED (National Endowment for Democracy).