Reformimi i legjislacionit dhe zbatimi i parimeve kushtetuese për partitë politike mbeten një premtim i paplotësuar, një sfidë dhe kusht kyç për vendosjen e demokracisë funksionale dhe shtetit të së drejtës në Shqipëri. Legjislacioni ekzistues për partitë politike është i vjetër, jofunksional dhe me dallime të mëdha midis normave që ai vendos dhe nevojave aktuale të vendit.
Partitë politike kryesore të vendit, të cilat morën pjesë në formulimin e marrëveshjes politike të qershorit 2020 mbi parimet e reformës zgjedhore, kanë shprehur hapur vullnetin e tyre për të rishikuar plotësisht legjislacionin ekzistues për partitë politike.
Në këtë drejtim, përmes projektit “Unë marr pjesë! Zëri im, vota ime vlen!” i mbështetur nga Bashkimi Evropian, dhe zbatuar nga Instituti për Studime Politike (ISP) në bashkëpunim me Komitetin Shqiptar të Helsinkit (KSHH) dhe Civil Rights Defenders (CRD), ISP ka organizuar tre konsultime dhe pesë fokus grupe me përfaqësues vendorë dhe kombëtarë të partive politike, medias, shoqërisë civile, si dhe ekspertë ligjorë dhe të partive politike. Gjithashtu, janë zhvilluar intervista me përfaqësues të partive politike në nivel lokal në pesë qytete të ndryshme, me qëllim për të kuptuar gjerësisht nevojat dhe sfidat në rang kombëtar.
Nëpërmjet këtyre shkëmbimeve, ISP grumbulloi informacione për çështjet që kanë të bëjnë me legjislacionin për partitë politike, Kodin Zgjedhor dhe statutet e partive politike. Në përputhje me objektivat e projektit, dy ekspertë ndërkombëtarë, Renata Tardioli dhe Gianluca Passarelli (PhD) u angazhuan në konsultimet e zhvilluara në qershor me përfaqësues nga Tirana, Korça dhe Shkodra. Pjesëmarrja e tyre lehtësoi shkëmbimet e informacionit me pjesëmarrësit, disa prej të cilave janë pasqyruar në raport. Raporti do të ndahet me aktorët politikë, publikë dhe institucionalë që luajnë një rol të rëndësishëm dhe me ndikim në mirëfunksionimin e partive politike dhe demokracinë përfaqësuese në Shqipëri.
Pikëpamjet dhe rekomandimet e këtij raporti mund të luajnë një rol thelbësor për të ndihmuar në zhvillimin e debatit dhe draftimin e legjislacionit, i cili duhet t’u përgjigjet nevojave aktuale në shërbim të demokracisë funksionale, shtetit të së drejtës dhe integrimit. ISP pret që rekomandimet të jenë pjesë e seancave dëgjimore që Komisioni ri parlamentar mbi reformën zgjedhore do të zhvillojë me shoqërinë civile, me bindjen e plotë se ato përbëjnë një bazë të mirë referuese dhe debati midis aktorëve politikë e civilë, në agjendën për reformimin e legjislacionit mbi partitë politike, financimin elektoral dhe Kodin Zgjedhor.
Përmbajtja e këtij raporti është përgjegjësi vetëm e autorëve dhe nuk përfaqëson domosdoshmërisht pikëpamjet e Institutit për Studime Politike dhe/ose të Bashkimit Evropian.
Raporti i plotë shqip dhe anglisht, me rekomandimet përkatëse gjendet këtu:
ISP – Partitë politike në kuadrin e prizmit ligjor (raport studimor)