Parlamenti në kohën e pandemisë. Raport monitorimi i Kuvendit (janar-korrik 2020)
Viti 2020 shënon fazën përmbyllëse të projektit të Institutit të Studimeve Politike për monitorimin e Kuvendit të Shqipërisë me mbështetjen e Ambasadës së Mbretërisë së Vendeve të Ulta. Projekti i nisur më 2017 ishte i pari i këtij lloji dhe arriti të bëhet skaneri më profesional i aktivitetit parlamentar, të Kuvendit si institucion, të deputetëve si përfaqësues dhe të strukturave vendimmarrëse në jetën parlamentare. Projekti krijoi një sistem referimi dhe klasifikimi të nivelit të efikasitetit të deputetëve, si dhe shërbeu si pasqyrë e interesit publik në raport me parlamentin. Asnjë raport tjetër monitorues nuk ka pasur më shumë akses publik dhe citime mediatike e politike sesa raportet periodike monitoruese të ISP mbi parlamentin[1]. Vetë institucioni, në tërësi, i ka mirëpritur ato, duke reflektuar një pjesë të madhe të rekomandimeve dhe sugjerimeve të ofruara nga raportet tona.
Projekti krijoi një database publike informative, të krahasueshme me database zyrtare të krijuar nga parlamenti, pavarësisht se buxheti dhe stafi mbështetës ishte minimal në raport me atë që investon buxheti shtetëror për faqen online të Kuvendit. Database www.deputetim.al shërben si burim referimi për median dhe publikun, programi në formën e aplikacionit (https://play.google.com/store/apps/details?id=io.ionic.deputetiim&hl=fil) mund të shkarkohet e përdoret nga çdo person që përdor telefon dhe pajisje android dhe në të përfshihen të dhënat më të rëndësishme mbi aspektet e aktivitetit parlamentar: raportet monitoruese, të dhënat mbi deklarimet financiare të deputetëve, fjalimet, deklaratat, të dhëna më të detajuara mbi CV-të e deputetëve, si dhe elementët e komunikimit me qytetarët.
ISP do të vijojë të monitorojë parlamentin edhe në sesionet pasuese, pavarësisht përfundimit të projektit me mbështetjen holandeze. Ne e vlerësojmë këtë si kontribut profesional dhe një prej përgjegjësive që ka e duhet të ketë shoqëria civile.
GJETJET KRYESORE TË RAPORTIT
Sesioni janar – korrik 2020 u zhvillua në shumicën e periudhës nën gjendjen e fatkeqësisë natyrore për shkak të tërmetit (2019) dhe sidomos pandemisë COVID-19. Gjatë pandemisë aktiviteti i Kuvendit u bë kryesisht online, një praktikë unike parlamentare. Kuvendi meriton vlerësim për përshtatjen e shpejtë me rrethanat e reja gjatë COVID-19.
Nevoja e Kuvendit për funksionim e vendimmarrje u shoqërua me ndryshime të shpejta të Rregullores, me praktika të përshpejtuara dhe të kufizuara vendimmarrëse, si dhe me cenim të elementëve të transparencës, konsultimit publik dhe axhendës së rregullt parlamentare. Kuvendi kaloi ndryshimet kushtetuese përmes procedurave të shpejta, pa konsensus politik dhe me shqyrtim e debat online të tyre. Një numër nismash që u përfshinë në axhendën e Kuvendit nuk kishin të bënin me gjendjen e epidemisë, por kryesisht me nisma politike dhe elektorale të iniciuara nga qeveria (nisma për përgjimet/policia, për amnistinë financiare, për legalizimin e kanabisit mjekësor, për tregjet financiare, për proceset kalimtare të pronësisë, etj).
Kuvendi krijoi përshtypjen se nuk arriti të përmbushë përgjegjësitë e tij kushtetuese në raport me kontrollin parlamentar të pushtetit ekzekutiv. Parlamenti ynë bën pjesë ndër parlamentet e vetme ku nuk pati komision hetimor / mbikëqyrës për situatën e epidemisë, nuk pati monitorim të impaktit të akteve normative dhe as interpelancë me Ministrin e shëndetësisë gjatë periudhës së gjendjes së COVID-19. Kuvendi nuk pati mocione besimi ose mosbesimi dhe as seancë të posaçme pyetjesh me kryeministrin. Shumica e akteve u shqyrtuan në komisione dhe u miratuan në seancë në një formë të tillë sa krijuan përshtypjen e miratimit formal. Vetë votimi i akteve përpara / gjatë diskutimit të tyre në seancë shkoi në funksion të kësaj teze kritike.
Kuvendi miratoi një numër shumë të lartë ligjesh (115, ose dy herë më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit 2018 dhe 2019), pati nisma të shumta ligjore nga deputetët (19 ose 46% më shumë se në të njëjtin sesion më 2018 dhe 2019), si dhe inicioi numër rekord interpelancash (19 ose më shumë se të gjitha sesionet parlamentare 2017-2019 të marra së bashku). Megjithatë sasia e akteve të miratuara, nismave dhe interpelancave la në hije standardet e konsultimit publik, cilësinë e akteve dhe në disa raste edhe përputhshmërinë me Kushtetutën e RSH. Presidenti riktheu në Kuvend afërsisht 1 në 5 ligje. Komisioni i Venecias përmes opinionit kritikoi disa nisma të rëndësishme të mazhorancës dhe si reagim, Kuvendi pranoi heqjen dorë nga nisma për shkarkimin e Presidentit, nga heqjes së kompetencës kushtetuese të tij për betimin e gjyqtarëve kushtetues, si dhe për rishikimin e paketës ligjore “antishpifje”.
Krijimi në janar 2020 i Këshillit Politik ndikoi në rivendosjen e dialogut politik dhe në draftimin konsensual të reformës së re zgjedhore. Fryma e dialogut e bëri sesionin parlamentar të vetmin në këtë legjislaturë, që nuk u shoqërua me protesta politike të opozitës jashtë parlamentare kundër tij. Nga ana tjetër, Këshilli Politik la në hije autoritetin e Kuvendit dhe Komisionin e Posaçëm të Reformës Zgjedhore. Ndryshimet kushtetuese lanë gjithashtu në hije dakordësinë mbi Kodin Zgjedhor.
Klasifikimi i nivelit të efikasitetit të deputetëve nuk solli ndryshime të mëdha; deputetët Hajdari, Balla, Murrizi, Hysi u konfirmuan përsëri ndër deputetët më aktivë, kryesisht edhe prej pozitave funksionale që kanë në Kuvend. Këtij grupi iu shtua edhe deputetin Artur Roshi. Prurjet e kontestuara, kryesisht nga biznesi, rezultuan me pikë minimale efektiviteti edhe në këtë sesion. Gratë deputete ishin më cilësore sesa meshkujt në klasifikimin e efikasitetit (36 vs 32 pikë mesatare për deputet), përfundim që vjen në kontrast me perceptimin qytetar[1] .
Për shkak të rrethanave specifike të prurjeve opozita e re në Kuvend pati vështirësi për identifikimin dhe ushtrimin e funksionit opozitar. Gjatë sesionit, 4 nga 5 grupet parlamentare votuan rregullisht aktet politike të qeverisë, përfshirë grupi i dytë më i madh i opozitës. Rreth 46 deputetë, kryesisht nga opozita e re, shënuan shifra të larta në raport me deputetët në tërësi për mungesën në votimin e akteve ose në votën abstenuese. Opozita ishte më aktive në fjalime dhe 27 deputetë, kryesisht biznesmenët deputetë, nuk regjistruan asnjë fjalim gjatë 23 seancave plenare.
Kuvendi zgjodhi kreun e ILD dhe të KLSH, por nuk arriti të plotësojë disa vende të tjera vakante nën përgjegjësinë e tij (AMA, KD i TVSH, AD, etj). Procesi i raportimit dhe vlerësimit vjetor të institucioneve kushtetuese dhe atyre të krijuara me ligj në Kuvend u bë kryesisht formal, pa një standard të njëjtë vlerësimi dhe pa praninë e grupeve të interesit e të shoqërisë civile.
Kuvendi vijoi bashkëpunimin e brishtë me shoqërinë civile dhe në tërësi, nuk reflektoi në debatet parlamentare në komisione dhe në seancë sugjerimet dhe mendimet e saj mbi aktet e ndryshme ligjore siç ishin, ndryshimet kushtetuese, Kodi Zgjedhor, Kodi Penal, paketa anti KÇK, nisma për amnistinë financiare, ndryshimet në legjislacionin mbi Policinë, etj.
Kuvendi shënoi progres në transmetimin online të mbledhjeve të komisioneve parlamentare, të seancave dhe të Këshillit të Legjislacionit, si dhe në publikimin e rendit të ditës dhe të procesverbaleve të mbledhjeve të tyre. Gjithashtu Kuvendi zhvilloi disa seanca konsultimi publik lidhur me strategjinë e tij dhe përfshirjen e aktorëve civilë në proces.
Me gjithë referimin gjithnjë e më të madh në Kodin e Sjelljes edhe në këtë sesion ligjërimi politik parlamentar vuajti nga gjuha denigruese e disa deputetëve, dy prej të cilëve morën masa disiplinore. Një numër deputetësh krijuan lajme negative në media në lidhje me nivelin e formimit të tyre politik dhe mënyrën e artikulimit publik.
Gjatë sesionit nuk pati asnjë deklarim në Regjistrin e Konfliktit të Interesit, në atë të dhuratave dhe as në pjesëmarrjen në aktivitete të të tretëve. Pavarësisht nga kjo, pati raste kur u konstatua konflikt interesi në komisione dhe disa raste të ngritura nga ISP përmes ILDKPKI nuk morën përgjigje nga Kuvendi.
Aleanca e Grave deputete ishte aktive, mbështeti intensivisht disa nisma për trajnime, përfshirë atë të ofruar nga ISP dhe grupe të tjera civile, si dhe në zhvillimin e disa seancave të debatit apo seanca dëgjimore lidhur me çështje me sensibilitet publik.
REKOMANDIMET KRYESORE
Kuvendi mund e duhet të fokusohet në përgjegjësinë kushtetuese për kontrollin e pushtetit ekzekutiv, për monitorimin e zbatimit të ligjeve dhe për një sistem më transparent e funksional llogaridhënieje.
Kuvendi duhet të rishikojë Rregulloren për të reflektuar elementë që munguan gjatë fazës së gjendjes së fatkeqësisë natyrore, kryesisht për të mundësuar mekanizma të konsultimit publik, të përcaktimit të afateve të qarta të aktivitetit online, për identifikimin parlamentar, për përputhshmëri më të madhe të axhendës me gjendjen e epidemisë, si dhe për informim më të mirë të publikut lidhur me vendimmarrjet e tij.
Kuvendi mund dhe duhet të investohet për forcimin e mekanizmave të parandalimit dhe distancimit nga rastet e konfliktit të interesit, për një sistem më transparent të lobimit dhe pjesëmarrjes në aktivitete të të tretëve, si dhe për transparencën financiare të institucionit dhe trajtimit të deputetëve.
Kuvendi mund e duhet të jetësojë raporte vjetore publike të aktivitetit të secilit komision, si dhe të vetë institucionit, për të mundësuar standarde më të larta të llogaridhënies publike dhe të transparencës. Grupet parlamentare duhen nxitur të krijojnë rregulla etike që sigurojnë më shumë integritet në sjelljen e deputetëve dhe më shumë llogaridhënie në publik për vendimet, qëndrimet dhe funksionimin e tyre.
Kuvendi mund e duhet të zgjerojë hapësirën dhe besimin publik për konkurrencë reale dhe cilësore për vendet vakante nën përgjegjësinë e tij, të respektojë afatet ligjore dhe të reformojë sistemin e raportimit vjetor të institucioneve, duke krijuar akses për sugjerime e rekomandime edhe nga aktorë të tjerë, përfshirë shoqërinë civile.
Kuvendi mund e duhet të pranojë rolin e pazëvendësueshëm të shoqërisë civile në monitorime, adresime dhe rekomandime, si dhe mbi këtë bazë, të ndërtojë një sistem funksional dhe të qëndrueshëm të bashkëpunimit me shoqërinë civile, për transparencë në raport me sugjerimet dhe adresimet e saj, si dhe për publikimin online të çdo dokumenti adresuar Kuvendit që ka në fokus përmirësimet ligjore, përfshirë opinionet e OJF në regjistrin e lobimit, të partnerëve ndërkombëtare dhe të Komisionit të Venecias.
Kuvendi mund e duhet të mbështetëse ose iniciojë trajnime të vazhdueshme të deputetëve dhe stafit, si dhe të investohet më shumë në studime, në komisione dhe në strukturat e Kuvendit, për ta bërë procesin ligjvënës më cilësor, më transparent dhe më të qëndrueshëm.
Kuvendi mund e duhet ta përfundojë procesin e jetësimit të plotë online të të dhënave që kërkohen nga programi i transparencës, përfshirë të dhënat e përditësuara mbi deputetët, mbi komisionet, mbi vendimmarrjet, mbi axhendën e deputetëve dhe të vetë institucionit, mbi pyetjet e adresuara nga qytetarët, mbi raportet monitoruese të Kuvendit dhe mbi dokumentacionin e standardizuar që lidhet me nismat ligjore dhe detyrimet në afate të institucionit.
RAPORTIN E PLOTË MUND TA LEXONI / SHKARKONI KËTU: