Me rënien e regjimit komunist, Shqipëria hyri në fazën e ndërtimit të demokracisë, ku partitë politike luajnë rol qendror sepse lidhin njerëzit me qeverisjes. Partitë parlamentare emërojnë kryeministrin dhe qeverinë, ndërtojnë institucionet kushtetuese, hartojnë dhe miratojnë ligje në Kuvend si dhe ndikojnë në kulturën dhe dialogun politik. Prandaj, mënyra sesi funksionojnë partitë politike, marrëdhëniet që ndërtojnë me institucionet shtetërore dhe vlerat demokratike është përcaktuese për ndërtimin e demokracisë funksionale. Mirëpo, pushtetin përfaqësues partitë politike e kanë keqpërdorur për të minuar aspiratat e shqiptarëve për demokraci dhe shtet të së drejtës.
Monopolizimi i jetës publike dhe ekonomike nëpërmjet lidhjeve klienteliste me botën e krimit, shkatërrimi i zgjedhjeve nga administrimi feudal dhe përdorimi i burimeve shtetërore – mungesa e demokracisë dhe debatit të brendshëm – e kanë kthyer Shqipërinë nga Republikë Parlamentare në Partitokraci, ku vlerat demokratike janë përthyer kundrejt mbipushtetit të partive. Në këto rrethana, nuk është e rastësishme që “Freedom House” vijon ta konsiderojë Shqipërinë regjim hibrid dhe pjesërisht të lirë megjithëse kanë kaluar më shumë se tri dekada nga rënia formale e sistemit komunist.
Gjithashtu, raporti i fundit i OSBE/ODIHR thekson se zgjedhjet e fundit parlamentare nuk ishin të barabarta, partia në pushtet përdori burimet shtetërore për të krijuar avantazh elektoral, ndërsa administrimi partizan i zgjedhjeve dhe mungesa e transparencës financiare nga partitë politike përbëjnë pengesë në konsolidimin demokratik të Shqipërisë. Pra, në thelb partitë politike nga shtylla të ndërtimit të demokracisë janë kthyer në pengesën kryesore duke gërryer besimin e publikut tek politika dhe institucionet përfaqësuese si mjet për adresimin e sfidave akute me të cilat përballet Shqipëria; rrudhja demografike, modeli ekonomik joprodhues dhe i centralizuar në pak duar, institucionet e dobëta dhe korrupsioni endemik. Në këto kushte, lypet që patologjitë që manifeston trupi politik i Shqipërisë të trajtohen në rrënjë duke hartuar një ligj të ri për partitë politike. Ligji ekzistues vlerësohet tërësisht jashtë kohe, pa mekanizma të qartë për zgjidhjen e problemeve kryesore që shfaqin partitë politike, posaçërisht për funksionimin demokratik dhe financimin që prekin edhe thelbin e deformimit të sistemit politik.
NJË MODEL GJERMAN PËR SHQIPËRINË?
Kuvendi i Shqipërisë ka ngritur një Komision të Posaçëm për Reformën Zgjedhore me objekt edhe hartimin e një ligji të ri për partitë politike. PS dhe PD si palët kryesore politike janë angazhuar në këtë proces jo nga vetëdija për problemet ekzistuese në Kodin e Zgjedhor dhe ligjin për partitë politike, por më shumë nga trysnia e faktorit ndërkombëtar. Megjithatë, pavarësisht mungesës së vullnetit organik për të realizuar një reformë zgjedhore të plotë dhe gjithëpërfshirëse, si dhe për hartimin e një ligji të ri për partitë politike, mendoj se duhen hedhur disa ide për debat publik rreth këtij procesi kompleks dhe me rëndësi jetike për të ardhmen demokratike të vendit. Mbirregullimi me ligj i funksionimit të partive politike nuk mendoj se ofron zgjidhje magjike. Demokracitë e konsoliduara si Britania e Madhe kanë një ligj integral për funksionimin dhe financimin e partive politike. Por, ndërsa ligji britanik parashikon dispozita dhe mekanizma specifik për kontrollin financiar të partive politike, funksionimi i brendshëm demokratik vetërregullohet nga statutet.
Përkundër modelit britanik, Gjermania ka rregullim kushtetues dhe një ligj më gjithëpërfshirës për partitë. Ligji gjerman parashikon mënyrën e financimit duke i dhënë përparësi financimit publik në bazë të numrit të votave dhe kontributeve të anëtarësisë, vendosjen e një shume tavan në buxhetin e shtetit dhe jetësimin e mekanizmave dhe penaliteteve efektive në rast shkelje. Eksperienca totalitare ka bërë që Gjermania të rregullojë me ligj funksionimin e brendshëm të partive politike, duke parashikuar zgjedhje të rregullta, mbledhje intervale të organeve të partisë dhe kriteret e regjistrimit dhe shurajes së partive politike. Duke marrë në konsideratë të shkuarën totalitare të Shqipërisë dhe eksperiencën e hidhur post-komuniste, është e qartë se partitë duhet të futen në hullinë e funksionimit demokratik nëpërmjet ndërtimit të një kornize ligjore integrale, me mekanizma zbatues efektiv dhe të pavarur. E kaluara e ngjashme totalitare me Gjermaninë e bën modelin gjerman të përshtatshëm në parim për kontekstin shqiptar, sigurisht duke e përshtatur ligjin me realitetet politike të Shqipërisë.
REGJISTRIMI I PARTIVE
Shqipëria ka hiperinflacion kur vjen puna tek numri i partive politike. Sipas regjistrit të Gjykatës së Tiranës, Shqipëria numëron rreth 130 parti politike. Sigurisht numri i lartë i partive në një shoqëri pluraliste nuk do të përbënte problem, por rezulton që vetëm 20% a partive të regjistruara marrin pjesë rregullisht në zgjedhje. Për më tepër, pjesa më e madhe a partive joparlamentare janë parti të kryetarit në kuptim e drejtpërdrejtë të fjalës; nuk kanë anëtarësi të rregullt, organe funksionale partiake apo adresa të sakta ku mund të kontaktohen. Ky lloj fiktiviteti ka krijuar njëlloj fasade demokratike në Shqipëri në një kohë kur jeta politike dominohet nga duopoli PS-PD dhe disa parti satelite rreth tyre. Ligji ekzistues për partitë politike nuk ka asnjë nen specifik që rregullon shkrirjen e partive politike apo kontrollin e funksionimit të tyre sipas standardeve demokratike. Pjesa më e madhe partive, përfshijë partitë e mëdha si PS dhe PD nuk kanë regjistra të rregullt anëtarësia.
Mungesa e një kornize ligjore gjithëpërfshirëse për kriteret e regjistrimit dhe shuarjes së partive politike ka bërë që Shqipëria të duket pluraliste kur në fakt ka parti, të cilat nuk luajnë asnjë rol në jetën politike të vendit, por vegjetojnë si shoqata të kryetarit dhe fisit apo bëhen mburojë politike për njerëz që kanë probleme me ligjin. Nga diskutimet e deri tanishme duket se ka vullnet politik për të rishikuar këtë pjesë të ligjit për partitë politike. Sigurisht, mendoj se kjo vjen më shumë nga interesi pragmatist i PS-PD për të mbirregulluar regjistrimin e partive si një mekanizëm që mund të nxjerrë jashtë loje parti të reja apo sfiduese ndaj duopolit ekzistues. Ligji gjerman ofron disa parime udhëheqëse në këtë drejtim. Paritë politike duhet të kenë një numër minimum anëtarësh të rregullt, financier të regjistruar pranë organeve kompetente (KQZ në rastin e Shqipërisë), forume partiake funksionale dhe adresa të sakta selie qendrore. Duke qenë se kjo përbën një temat e lehta në diskutimin për një ligj të ri për partitë politike, mundet që progresi të jetë më i arritshëm në këtë drejtim.
FUNKSIONIMI DEMOKRATIK
Nëse ka një patologji që prek të gjitha partitë politike shqiptare, kjo është mungesa e demokracisë së brendshme. Trashëgimia totalitare ka ndikuar shumë në shuarjen e mendimit kritik dhe funksionimin demokratik të partive kryesore. Kjo edhe për faktin se me ndryshimin e sistemit politik, partitë e reja nuk trashëguan vetëm kulturën politike staliniste mik-armik, por edhe njerëzit që mbarnin mendësi puniste. Kultura totalitare dhe vazhdimësia burokratike brenda partive ka pamundësuar zhvillimin e debatit të brendshëm politik dhe qarkullimin e elitave me mjete demokratike. PS në pushtet nuk mban zgjedhje për kryetarin e partisë prej më shumë se dhjetë vitesh, ndërsa PD mundohet të simulojë praktika demokratike që prodhojnë të njëjtin lidership dhe mendësi politike. Partitë politike evropiane si në pushtet apo opozitë zhvillojnë zgjedhje të rregullta për kryetarin dhe organet drejtuese duke i dhënë mundësi anëtarësisë të shprehë vullnetin politik.
Kristiandemokratët (CDU) gjermanë zhvillojnë zgjedhje të rregullta për liderin e partisë, pavarësisht nëse partia është në pushtet apo jo, duke krijuar votëbesim apo qarkullim elitash politike. Nuk mendoj se rregullimi me ligj do të adresojë në rrënjë dhe menjëherë demokratizimin e partive politike. Ky do duhet të ishte një proces vetërregullues, por nën dritën e përvojës shqiptare gjykoj se ligjin e ri për partitë politike duhet të parashikojë detyrimin e partive për të mbajtur zgjedhje të rregullta, mbledhje të organeve të partisë në intervale të caktuara si detyrim për të respektuar vlerat demokratike. Ndryshe nga modeli britanik ku kultura demokratike e rrënjosur ka shmangur nevojën për rregullim ligjor, ligji gjerman ka parashikime specifike sesi partitë duhet të mishërojnë vlerat demokratike në funksionimit e brendshëm ose përndryshe përballen me penalitete deri në nxjerrje jashtë ligjit. Shqipëria nuk e ka luksin të presë vetëdijësimin e elitës politike për demokratizimin e partive. Prej tri dekadash kjo elitë është munduar të imitojë lojën demokratike kur në fakt ka gërryer partitë nga mendimi kritik, funksionimi i brendshëm demokratik dhe qarkullimi i elitave. Prandaj, mendoj se është koha që ligji i ri për partitë të ofrojë disa mekanizma qoftë formal që mundësojnë mbledhjen e organeve të partisë, zgjedhje të rregullta dhe penalitete efektive nëse ligji nuk gjen zbatueshmëri.
FINANCIMI, PATATJA E NXEHTË NË TRYEZË
Një nga rekomandimet e vazhdueshëm të OSBE/ODIHR për Reformën Zgjedhore mbetet rregullimi më i efektshëm i financimit të partive politike në Shqipëri. Kur kanë kaluar tetë muaj nga zgjedhjet e fundit parlamentare, partitë politike nuk i kanë publikuar akoma shpenzimet nga dhurimet dhe KQZ nuk ka mekanizma ligjor efektivë për t’i detyruar partitë të bëjnë publike shpenzimet. Mungesa e transparencës në financimit e partive politike jo vetëm minon besimin e publikut tek institucionet që burojnë nga zgjedhjet, por lidh vendimmarrjen politike me interesat e ngushta të biznesit donator. Në vitin 2021 “Transparency International” e përshkroi Shqipërinë si shtet të kapur ku kompani apo grupe biznesi kalonin nëpërmjet partive politike ligje me porosi në Kuvend. Korniza ligjore aktuale në lidhje me financimin e partive jo vetëm që është e dobët, por mbi të gjitha është e fragmentarizuar dhe për rrjedhojë me efekte të papërfillshme në praktikë.
Sistemit miks ku financimi i partive bëhet nga buxheti i shtetit dhe nga dhurimet i mungojnë parashikimet e qarta ligjore dhe mekanizmat penalizues në rast shkeljesh. Dënimi me gjoba dhe varja në qafën e KQZ, një trupë partizane, e përgjegjësisë së auditimit të partive politike e ka kthyer procesin e transparencës financiare të partive në një akt të thjeshtë burokratik pa asnjë ndikim konkret në proceset zgjedhore. Shpërndarja e parashikimeve ligjore për financimin e partive në kodin zgjedhor dhe në ligjin për partitë politike do ta mbante gjallë fragmentarizmin dhe mungesën e efektshmërisë në zbatim. Kështu, mendoj se ligji i ri për partitë politike duhet të jetë integral dhe gjithëpërfshirës. Ndërsa përcaktimi i modelit të financimit është çështje më vete, disa parime udhëheqëse mund të parashtrohen qysh në fillim. Ligji i ri duhet të parashikojë dispozita specifike për deklarimin e shpenzimeve në mënyrë intervale nga partitë mes zgjedhjeve dhe në kohë zgjedhjesh. Në kohë zgjedhjesh partitë dhe kandidatët duhet të publikojnë çdo javë dhurimet private dhe në fund të dorëzojnë një raport të shpenzimeve. Mbi të gjitha, ligji duhet të parashikojë penalitete dhe mekanizma zbatues të efektshme në rast shkelje. Ligjit britanik ia jep këtë kompetencë Komisionit Elektoral, ndërsa ligji gjerman parashikon dënime penale në rast mosdeklarimi apo deklarimi të rremë të shpenzimeve nga partitë politike. Si përfundim, Shqipëria ka nevojë urgjente për një ligj integral për partitë politike që adreson funksionimin e brendshëm demokratik dhe transparencën financiare. Ndërsa kjo është një ndërmarrje e madhe për aktorët aktual politik që janë të interesuar në ruajtjen e status quosë, përfshirja e shoqërisë civile, botës akademike dhe palëve të interesuara në një proces të hapur dhe dinamik do t’i jepte shansin Shqipërisë të trajtonte një nga patologjitë më akute të sistemit politik post-komunist.
*Ky artikull është në kuadër të projektit “Përmirësimi i kuadrit ligjor për partitë politike përmes Ligjit për Partitë Politike dhe/ose Kodit Zgjedhor”, i cili realizohet nga Instituti i Studimeve Politike (ISP) me Fondacionin Westminster për Demokraci (WFD) me mbështetje financiare nga Ambasada Britanike në Tiranë.
/Gazeta Panorama



