Instituti i Studimeve Politike (ISP) është përfshirë prej disa vitesh, fillimisht në diskutimet për hartimin dhe zbatimin e një plani për reformimin e organeve të drejtësisë dhe aktualisht në monitorimin e impaktit të kësaj reforme, e përqendruar kryesisht në performancën e këtyre institucioneve gjatë përmbushjes së detyrimeve kushtetuese dhe ligjore. Qëllimi i vijimit të këtij monitorimi të ISP-së, ka qenë nevoja për të ndriçuar si misionar “Watchdog”, trendin e zhvillimeve të reformës në drejtësi dhe seriozitetin institucional të çdo organi shtetëror të përfshirë në këtë kuadër. Kjo nevojë, ka synimin të evidentojë me anë të opinioneve me interes të pritshmërisë publike, rezultatet dhe sfidat e kësaj reforme, duke nxitur ndërgjegjësimin për një përgjegjshmëri dhe llogaridhënie më të madhe institucionale.
Që prej ndryshimeve kushtetuese të vitit 2016 dhe deri në ditët e sotme, duhet të konstatojmë me keqardhje se reforma në drejtësi nuk ka përfunduar ende. Përveç procesit të vetingut që kërkon ende sipas ligjit dhe situatës faktike një periudhë më të gjatë për tu realizuar, hapat e tjerë institucionale për plotësimin e vakuumit të anëtareve në Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë, në ngritjen e Byrosë Kombëtare të Hetimit, në plotësimin e numrit të prokurorëve të SPAK, si dhe në mbështetjen logjistike dhe infrastrukturore të ILD kanë mbetur të vonuara, të ndërlikuara në mënyrë të panevojshme dhe të keqkuptuara si pjesë e mosmarrëveshjeve politiko-institucionale.
Ndërkohë që pritshmëritë e publikut shqiptar për realizimin e reformës në drejtësi vijojnë të jenë të mëdha, deklaratat dhe retorikat e partnereve ndërkombëtar kanë rritur intensitetin qortues dhe kushtëzimet për proceset e integrimit evropian kanë mbetur të bllokuara edhe për shkak të problematikave të mësipërme, përfaqësuesit e institucioneve të drejtësisë dhe organet e larta shtetërore nuk po gjejnë ende një dakordësi dhe gjuhë të përbashkët për të përmbyllur sa më shpejt këtë proces duke vënë në efiçensë të plotë drejtësinë shqiptare.
Është për tu veçuar fakti se gjatë këtyre viteve, organet shtetërore, institucionet ndërkombëtare dhe shoqëria civile në Shqipëri, kanë patur një agjendë të ngjeshur konferencash, raportimesh, takimesh, workshopesh dhe deklaratash, ku kanë evidentuar situatën e krijuar, kanë shkëmbyer pikëpamje dhe opinione mbi rendësin e procesit, duke ngritur madje akuza edhe mbi të ashtuquajturit “armiq të reformës”. Por këto zhvillime dhe ky volum i madh aktivitetesh publike, nuk i ka shërbyer sa duhet përqendrimit në zbatimin e përpiktë të legjislacionit në fuqi për të ngritur dhe vënë në funksionim pushtetin gjyqësor dhe përafruar standardet më të mira bashkëkohore të dhënien e drejtësisë.
Raporti i plote eshte adresuar institucioneve dhe nuk eshte per publikim.