Zgjedhjet parlamentare të vitit 2025 organizohen mbi bazën e Kodit Zgjedhor, i cili ndonëse u ndryshua në disa elementë dy herë gjatë vitit 2024 dhe 2025, në thelbin e tij ruan të njëjtin sistem administrimi të zgjedhjeve të vitit 2021.
I. Element i ri është vetëm ai i votës së diasporës, për të cilin në këtë zgjedhje eksperimentohet për herë të parë, ndërkohë që legjislacioni rregullator nuk ka arritur të krijojë një bazë solide të njehsimit të standardeve të votimit brenda e jashtë vendit. Vota e diasporës de facto nuk monitorohet nga KQZ dhe instrumentet e tjera vendore të monitorimit, sidomos procesi i fushatës elektorale, financimi, përdorimi i burimeve shtetërore jashtë, etj. Procesi në diasporë më shumë bazohet në vullnetin politik të palëve për deklarim sesa në mekanizma parandalimi dhe verifikimi.
II. Për shkak se shumica e rekomandimeve të ODIHR/OSBE 2021 dhe 2023 nuk janë miratuar në kuadër të komisionit të posaçëm të reformës zgjedhore në parlament dhe për shkak se fushatat po sjellin gjithnjë e më shumë elementë të rinj të paparashikuar nga legjislacioni i mëparshëm (rritja e peshës së mediave sociale, ndërhyrjet e jashtme në reklama, lobim dhe lajme, dezinformimi, përdorimi i formave të reja të komunikimit si postcards, etj.) monitorimi dhe standardet zgjedhore përballen me sfida të reja dhe vështirësi gjatë gjithë fazës përgatitore të zgjedhjeve 2025.
Në kuadër të përgjithshëm analiza e mjedisit aktual parazgjedhor merr në konsideratë rolin e institucioneve të ngarkuara nga ligji për përgatitjen dhe administrimin zgjedhor, për sigurimin e dispozitave kundër krimit zgjedhor dhe për jetësimin e integritetit të procesit. Në këtë fazë partitë politike, koalicionet dhe vetë kandidatët janë ende aktorë jo përcaktues, për shkak se vetëm në mesin e muajit mars subjektet dhe kandidatët regjistrohen duke nisur edhe de facto fushatën elektorale.
Instituti i Studimeve Politike (ISP), në partneritet me Komiteti shqiptar i Helsinkit (KSHH), BIRN Albania dhe Qëndresa Qytetare (QQ), me mbështetjen financiare të Ambasadës Britanike po zbaton projektin “Fuqizimi i integritetit të zgjedhjeve dhe i qëndrueshmërisë së partive politike 2024-2025”. Në kuadër të realizimit të objektivave të projektit, ISP ka realizuar monitorim të vazhdueshëm për zbatimin e detyrimeve ligjore dhe nxjerrjen e akteve nënligjore nga organet e pavarura dhe qeveritare, për organizimin e zgjedhjeve të përgjithshme për Kuvendin në 11 maj 2025.
Ky raport lidhet me detyrimet e institucioneve deri në 31.12.2024, një raport tjeter do të vlerësojë bilancin dhe problematikat në maj 2025.
Raporti i plotë (shqip) dhe një përmbledhje (anglisht) mund të gjendet në link:
The full report (Albanian) and a summary (English) can be accessed through the following link:
ISP – Raport mbi aktet parazgjedhore te institucioneve 2024-2025