Instituti i Studimeve Politike (ISP), organizatë e shoqërisë civile që fokusohet në monitorimin e zhvillimeve politike, institucioneve vendimmarrëse dhe reformës në drejtësi, po kryen prej qershorit 2018 e në vijim, monitorimin e ligjërimit politik dhe publik në Shqipëri ndaj reformës në drejtësi dhe problematikave që lidhen me të. Ky angazhim është vetëm një pjesë e projektit të ISP “Reforma në drejtësi: me qytetarët dhe për qytetarët. Nga ligjet tek jetësimi praktik” mbështetur nga Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë, programi i shtetit të së drejtës.
Duke vlerësuar rëndësinë e transparencës, ndërveprimit publik dhe të rolit të rëndësishëm që kanë politikanët, mediat dhe aktorët e tjerë të përfshirë indirekt në proces, ISP po kryen monitorimin e ligjërimit dhe raportimit mbi reformën dhe për reformën. Projekti synon që të bëhet matja e vazhdueshme dhe raportimi periodik i cilësisë së debatit dhe të raportimit mbi reformën në drejtësi tek mediat kryesore vizive, të shkruara dhe atyre online; monitorimi i ligjërimit publik të aktorëve kryesorë politikë në raport me reformën në drejtësi dhe ecurinë e saj, si dhe monitorimi i ligjërimit publik të aktorëve të vetë sistemit të drejtësisë, komunitetit të drejtësisë dhe ekspertizës juridike publike, në raport me reformën në drejtësi dhe ecurinë e saj.
Konkretisht, monitorimi i ligjërimit politik dhe i raportimit është bërë në disa nivele: Në nivelin politik (deklarime të partive politike, monitorim i faqeve të tyre zyrtare, deklarime në konferenca shtypi dhe deklarime të vetë liderëve kryesorë politikë). Në nivelin institucional (deklarime në seancat plenare, në parlament, nga institucionet e pavarura dhe kushtetuese dhe zhvillimet e lidhura me to). Në nivelin e ekspertizës (deklarime nga ekspertë të fushatës brenda e jashtë sistemit). Në nivelin e raportimit mediatik (media televizive TCH, Klan, Vizion, Ora News, News 24, – media e shkruar “Panorama“, “Shekulli“, “Gazeta Shqiptare“, “Tema“, – disa portale online “Javanews.al”, “politiko.al”, “syri.net”, etj, si dhe disa media me ndikim si “Zëri i Amerikës“ dhe “Deutsche Welle“.
Monitorimi është parë në aspektin sasior dhe cilësor, në analizën e natyrës së raportimit dhe ligjërimit, qëndrimin pro, kundër apo neutral ndaj reformës, si dhe aspekte të tjera teknike, të cilat na lejojnë të krijojmë një panoramë të plotë të ligjërimit politik e publik ndaj reformës në drejtësi dhe problematikave që lidhen me të. Periudha e monitorimit nis më 1 qershor 2018 dhe përfundon më 31 gusht 2018. E njëjta praktikë monitorimi do të vijojë edhe në faza të tjera në të ardhmen deri në fundin e muajit mars 2018, duke na dhënë mundësinë të bëjmë raporte krahasuese mbi gjetjet dhe të analizojmë kurbën e ligjërimit politik e publik ndaj reformës në shtrirje më të gjatë kohore sesa momenti aktual.
GJETJET KRYESORE DHE REKOMANDIME TË MONITORIMIT
Ligjërimi politik e publik mbi reformën në drejtësi ishte dominues në tërësinë e diskursit politik e publik gjatë muajve qershor – gusht 2018. Ky është një tregues se reforma në drejtësi, gjendja aktuale dhe pritshmëritë ndaj saj vijojnë të jenë zhvillimi më i rëndësishëm politik në vend. Ligjërimi politik mbi drejtësinë ka ndikim në rritjen ose rënien e besimit publik tek drejtësia për shkak të mbi-pushtetit të partive. Sfidë e ardhshme do të jetë maturimi i partive politike dhe adresimi drejt një ligjërimi më të moderuar politik. Aktorët politikë dhe institucionet e përfshira në ligjërimin politik mund e duhet t’i japin më shumë hapësirë ekspertizës shqiptare e perëndimore, si mekanizëm për informim real, transparencë dhe ikje nga retorikat formale e boshe politike.
Partitë politike dhe liderit kryesorë politikë kanë ndjekur kurbë të njëtrajtshme të trajtimit të reformës në drejtësi, – mazhoranca në mbështetje dhe opozita me kritika / kontestime, – duke mos e parë reformën në drejtësi si një proces të jashtëzakonshëm institucional, por si një shtojcë të procesit politik në vend. Reforma në drejtësi është një proces prioritar dhe i pakrahasueshëm me proceset e tjera politike e institucione që ndodhin në vijimësi, ndaj edhe aftësia e vizioni për ta pranuar atë si vlerë e zhvillim jashtë politikës mbetet sfidë në muajt e vitet e ardhshme.
Partitë politike mbështetëse apo kritikuese ndaj reformës në drejtësi dhe procesit të vettingut, e kanë bazuar ligjërimin e tyre në përdorimin e retorikës mbi drejtësisë si mjet denigrimi e kërcënimi ndaj palës tjetër dhe jo si një mekanizëm transparence, përmirësimi dhe monitorimi. Secila palë ka hapësirën dhe detyrimin të moderojnë qëndrimet e veta, – mazhoranca përmes vetëpërmbajtjes dhe ndalimin e spekulimit me reformën për luftë të brendshme politike, – opozita përmes ndarjes e nevojës për të ndarë aksionin politik ditor dhe perceptimin e saj mbi mazhorancën me reformën në drejtësi dhe nevojën e reformave të njëjta në vend.
Mediat kryesore shqiptare në raportimet e tyre kanë reflektuar ligjërimin politik të ditës, pra kanë shërbyer më shumë si shtojcë e ligjërimit politik sesa si institucion i jashtëm, vlerësues e monitorues për politikën dhe drejtësinë. Çdo deklaratë politike mbi drejtësinë është pasqyruar në media pavarësisht përmbajtjes së saj, gjuhës së përdorur, fakteve apo spekulimeve, kontekstit dhe ndikimeve në publik ose në ecurinë e procesit. Media duhet të aplikojë standarde më të larta profesionale për ta ndarë raportimin e vet me interes publik me raportimin politik me interes partiak. Media mund të luajë rol thelbësor në formësimin e kulturës juridike, sqarimin e problematikave dhe presionin pozitiv mbi institucionet politike dhe të drejtësisë për një standard më të lartë sjellje institucionale dhe përgjegjësie.
Mediat ndërkombëtare “VOA” dhe “DW” vijojnë të jenë dukshëm më të pavarura dhe më profesionale në raportimet e tyre mbi reformën në drejtësi, sesa mediat brenda vendit. Në tërësinë e tyre mediat nuk kanë arritur të zgjerojnë numrin dhe hapësirën e ekspertizës juridike mbi drejtësinë dhe problematikat e saj, duke preferuar më shumë ligjërimin politik përpara ligjërimit profesional e teknik. Konkretisht, në mediat televizive “Top Channel”, “Klan TV”, “Vizion Plus”, “Ora News”, “News 24”, vihet re një referim tangjent i temës së reformës në drejtësi në programacionet e ndryshme sesa një analizë kushtuar veçanërisht temës së reformës në drejtësi. Në median e shkruar “Panorama“, “Shekulli“, “Gazeta Shqiptare“, “Tema“, dhe në disa portale online “Javanews.al”, “Politiko.al”, “Syri.net”, etj, i jepet një rëndësi shumë e madhe deklaratave të eksponentëve të ndryshëm politik në rrjete sociale, në raport me analizat objektive që mund të bëhen nga ekspert të ndryshëm.
Të dhënat e monitorimit tregojnë në tërësi edhe mungesë të njohurive të thelluara të koncepteve bazë të reformës në drejtësi, të institucioneve të drejtësisë, të vettingut dhe të elementëve thelbësorë të reformës, qoftë nga aktorët politikë ashtu edhe nga media dhe aktorët e tjerë publikë. Nevoja për informim publik, për rritje të kulturës së ligjit dhe të njohurive demokratike, mbetet sfidë prioritare dhe për reformën në drejtësi, – edhe një emergjencë politike e publike.
Faktori ndërkombëtar vijon të ketë rol udhëheqës në reformën në drejtësi, përfshirë në procesin e vettingut. Ai është kurdoherë i pranishëm, i cituar, i referueshëm dhe me ndikim edhe në axhendën e politikës, edhe të medias. Faktori ndërkombëtar përdor ligjërim standard, mbështetës, por edhe statik në lidhje me problematikat e vazhdueshme teknike që dalin gjatë jetësimit të reformës në drejtësi. Investimi i fokusuara vetëm tek faktori ndërkombëtar është dhe mund të jetë pozitiv në aspektin afatshkurtër, por në aspektin afatgjatë Shqipëria duhet të krijojë institucione vendore funksionale dhe të referueshme në aktivitetin e qëndrimet e tyre.
RAPORTI I PLOTE MUND TE SHKARKOHET & LEXOHET KETU: