Përmbledhja ekzekutive
I. Raporti i Komisionit Europian mbi Shqipërinë është dokumenti kryesor vlerësues, mbi gjetjet dhe rekomandimet e të cilit institucionet tona adresojnë rrugëzgjidhje dhe marrin masa përmirësuese. Vlerësimet e raportit përbëjnë vlerësimet më të rëndësishme për progresin politik dhe institucional në Shqipëri. Në funksion të tij Kuvendi miraton Planin e Veprimit për zbatimin e Rekomandimeve, si dhe Qeveria përmes Ministrisë së Drejtësisë koordinon hartimin e Udhërrëfyesit për Funksionin e Institucioneve Demokratike.
II. Kuvendi i RSH ka përvojë të gjatë, kapacitete mbështetëse dhe akses profesional të mjaftueshëm për të evidentuar dhe adresuar problematikat e konstatuara, por në tërësi, vullneti politik dhe përkushtimi real ndaj reformave përbën faktorin kryesor përcaktues për rolin dhe angazhimin konkret të parlamentit, grupeve parlamentare dhe strukturave përkatëse përgjegjëse. Integrimi evropian nuk ka opozitë në Shqipëri, por jetësimi i standardeve të integrimit has vazhdimisht në pengesa, vonesa dhe problematika që ndikojnë në ecurinë e integrimit.
III. Kuvendi ka rolin e institucionit lider në vendimmarrjet politike dhe forcimin e komponentit të shtetit të së drejtës dhe të demokracisë funksionale, institucioneve demokratike dhe jetësimit shterues të ligjit. Kriza aktuale në aktivitetin parlamentar ka dobësuar ndjeshëm funksionet kushtetuese dhe ligjore të Kuvendit, po ashtu ka kufizuar si mekanizmat e transparencës dhe llogaridhënies, ashtu edhe aftësinë e tij për përmbushjen e përgjegjësive në fushën e integrimit. Plani i Veprimit dhe Udhërrëfyesi mund të gjejnë zbatim cilësor dhe përmbajtësor vetëm në një mjedis funksional, gjithëpërfshirës dhe me fokus afatgjatë prioritar arritjen e standardeve.
IV. Nga monitorimi dhe vlerësimi i ISP-së janë evidentuar disa problematika që lidhen me procesin procedural dhe përmbajtjen e Plan Veprimit dhe Udhërrëfyesit, me krijimin e një sistemi funksional komunikimi dhe ndërveprimi midis institucioneve, etj. Nga relacioni mbi Udhërrëfyesin si dhe diskutimi në konferencën e kryetarëve në Kuvend lidhur me Plan Veprimin u bazua kryesisht në ndryshimin e afateve për detyrat dhe masat konkrete. Nga procesverbali rezulton se për çështje të ndryshme propozohej shkurtimi i afatit për ndërhyrje ose shtyrje afati, në të dy rastet përgjithësisht pa iu referuar ndonjë dokumenti analitik, kërkese specifike apo argumenti të rëndësishëm për ndryshimin. Një pjesë e angazhimeve që janë të natyrës politike (vullnet politik për dialog dhe komunikim institucional) dhe që mund të ishin zgjidhur pa qenë nevoja për të pasur draft apo rekomandime konkrete, konferenca vendosi të jetësohen menjëherë, megjithatë një muaj pas këtij vendimi nuk ka asnjë tregues progresi ose përmirësimi në këtë drejtim.
Instituti i Studimeve Politike (ISP) ka ofruar vlerësime, gjetje dhe rekomandime në këtë position paper jopublike me qëllim kontributin në debatin për një rol më aktiv dhe rezultativ të Kuvendit gjatë vitit 2024 në cështjet e integrimit.
Raporti i plote mund te gjendet ketu:
ISP – Kuvend RSH – Sfidat e vitit 2024 ne procesin e integrimit


