Zgjedhjet lokale 2019 do të hyjnë në historinë tonë politike si zgjedhjet e para pa prezencë të opozitës në garën elektorale dhe me tre dekrete presidenciale, një për datën 30 qershor, një për anulimin e kësaj date dhe një tjetër për datën 13 tetor. Kriza politike e nisur në shkurt 2019 vijon edhe më tej, dhe brenda saj, zgjedhjet lokale janë një prej pikave kulmore të krizës, por jo fundi i saj.
Pavarësisht debateve mbi legjitimitetin dhe problematikën që çoi në vendimin e mazhorancës për të bërë zgjedhje pa opozitën dhe vendimin e opozitës për të refuzuar pjesëmarrjen në zgjedhjet lokale, ka elementë të tjerë, që marrin vlerë në vlerësimin e standardeve dhe tipareve të këtij procesi zgjedhor. Një prej këtyre elementëve është edhe raporti midis numrit të kandidatëve në zgjedhjeve dhe vendeve për të cilat kandidohet. Më 2019 kemi vetëm 97 kandidatë për 61 vende, ku 31 bashki kanë vetëm një kandidat në fletën e votimit. Në fakt, nuk është hera e parë që ka pasur “zgjedhje” me një kandidat dhe votimi është konsideruar legjitim. Në zgjedhjet lokale të vitit 2015, në bashkinë Kurbin, opozita mbeti pa kandidat pas dorëheqjes së kandidatit të regjistruar dhe për pasojë, nuk pati mundësi për të pasur kandidat tjetër. Palët pranuan në heshtje votimin ekstra me vetëm një kandidat në Kurbin dhe procesi u konsiderua legjitim edhe në përfundim të tij. Situata më 2019 është shumë më e ndryshme, por edhe reflektim i një realiteti politik shumë më të polarizuar dhe kontestues. Zgjedhjet janë kontestuar tashmë pa filluar dhe ka një debat nëse kemi të bëjmë më proces zgjedhor (me kandidatë rivalë) apo me proces votimi (me një parti në zgjedhje).
Kushtetuta e Shqipërisë, neni 1 përcakton se “qeverisja bazohet në një sistem zgjedhjesh të lira, të barabarta, të përgjithshme e periodike”. Disa prej këtyre kërkesave janë plotësuar në zgjedhjet aktuale 2019, disa të tjera jo dhe debati mbi legjitimitetin apo produktin e saj do të zgjasë me siguri më gjatë se vetë mandati i ardhshëm i qeverisjes vendore.
Të kthehemi tek statistika: mundësia më e madhe për zgjedhje (raporti më i lartë midis numrit të kandidatëve në dispozicion dhe numrit të atyre që duhej të fitonin) rezulton se ka qenë më 2003, me 4.56 kandidatë për një post në dispozicion. Gjatë proceseve zgjedhore 2003, 2007, 2011 numri i njësive vendore ka qenë i lartë (bashki e komuna), 384, nga vetëm 61 që kemi në zgjedhjet 2015 dhe 2019. Sic rezulton nga tabela, përdorimi i koalicioneve politike dhe dalja në emër të përbashkët me kandidatë në koalicion, çoi në uljen e raportit kandidatë-fitues nga 4.56 në 2013 në 2.79 më 2007 dhe në 2.27 në zgjedhjet lokale 2011. Në zgjedhjet lokale të vitit 2015 pati 158 kandidatë për 61 vende, me raport 2.59, kurse në zgjedhjet lokale 2019 kemi vetëm 97 kandidatë për 61 vende, pra 1.59 kandidatë për post, shifër më e ulët sesa minimumi i mundshëm për zgjedhje konkurruese, 2 kandidatë për 1 post.
Instituti i Studimeve Politike (ISP)