Të gjithë akuzojnë të gjithë për korrupsion, por Shqipëria jo vetëm ende nuk ka Gjykatë Kushtetuese dhe Gjykatë të Lartë funksionale, por tashmë as Kontroll të Lartë të Shtetit funksional. Një shkëmbim letrash publike midis ish kryetarit të KLSH, mandati i të cilit përfundoi më 22 dhjetor 2018 dhe Presidentit të Republikës, si dhe mënyra sesi mazhoranca refuzoi dy propozime të Presidentit, vetëm sa nxorën në pah leximin e personalizuar të Kushtetutës dhe deficitin e madh në kulturën tonë politike e shtetërore. Në funksion të praktikës kushtetuese Presidenti dekretoi emrin e gjyqtares Vitore Tusha për postin e kreut të KLSH. Tusha ishte e vetmja gjyqtare e Gjykatës Kushtetuese me vlerësim pozitiv nga procesi i vettingut. Mazhoranca e rrëzoi kandidaturën e saj, pa ndonjë argument juridik. Më pas Presidenti propozoi një kandidaturë të dytë, këshilltarin e tij Bahri Shaqiri. Ashtu siç pritej, mazhoranca e rrëzoi kandidaturën e tij, kryesisht mbështetur në argumente politike. Procesi i propozimit të kandidatëve, shqyrtimi dhe rrëzimi i tyre zgjati midis datës 5 nëntor 2018 dhe 31 janar 2019, pra rreth 3 muaj. Megjithatë, kryetari në detyrë Leskaj nuk ka më mandat kushtetues prej datës 22 dhjetor dhe pavarësisht se jashtë dëshirës së tij vijon kompetencën kushtetuese të ushtrimit të detyrës, vendi mbetet pa KLSH funksional. Ligji organik për KLSH nuk parashikon zv/kryetar dhe as nuk përcaktohet se çfarë ndodh nëse vendi mbetet vakant. Një situatë e tillë ndodhi edhe më 2011, kur kandidati i parë i Presidentit u rrëzua nga mazhoranca e djathtë e asaj periudhe.
Referuar të dhënave të mbledhura nga Instituti i Studimeve Politike për zgjedhjen e kryetarëve të KLSH me Kushtetutën e re (1998) dhe sidomos pas miratimit të ligjit të ri më 1997, rezulton se asnjëherë nuk kemi pasur zgjedhje në kohë të kryetarit të KLSH. Praktikat perëndimore janë të tilla që zyrtarët kushtetues zgjidhen përpara mbarimit të mandatit të zyrtarit që largohet, në mënyrë që rotacioni në drejtim të mos sjellë kriza dhe as boshllëk kushtetues me kosto për vendin dhe për institucionin. Për shembull, në Shqipëri edhe Presidentët e Republikës në vitet 2002, 2007, 2012 dhe 2017 janë zgjedhur përpara mbarimit të mandatit të Presidentit në detyrë, duke evituar kriza të mundshme kushtetuese ose politike. Në rastin e KLSH praktika pozitive jo vetëm nuk po zbatohet, por defekti po vijon të thellohet. Nga të dhënat e ISP-së rezulton se nga 20 ditë diferencë midis mandatit të kryetarit që ikën dhe atij të vjen më 1997, u vijua me 36 ditë diferencë më 2004 dhe 52 ditë diferencë më 2011. Ndërkohë aktualisht kanë kaluar 102 ditë dhe ende nuk ka “dritë në fund të tunelit” për procedurën e zgjedhjes së kryetarit të ri të KLSH. Prej janarit 2019 kur u rrëzua edhe kandidatura e dytë Presidenti nuk ka vijuar më të bëjë propozime dhe mazhoranca parlamentare nuk ka iniciuar ndonjë kërkesë për zbatimin e Kushtetutës dhe ligjit organik për kryetarin e KLSH. Pra, secila palë “në heshtje” konsensuale kanë shkelur Kushtetutën dhe standardet që lidhen me parimet e detyrimet kushtetuese.
Struktura e KLSH është unike në misionin e saj, si institucioni më i lartë i kontrollit ekonomik dhe financiar. Ai monitoron dhe kontrollon mënyrën e përdorimit të Buxhetit të Shtetit dhe administrimin e shpenzimeve publike, si dhe është burimi bazë i referimit për rastet e shkeljes së ligjit, abuzimit financiar apo dëmit ekonomik ndaj shtetit dhe interesave publike. Shqipëria, për vetë nivelin e lartë të korrupsionit, ka pasur probleme të shumta edhe duke pasur KLSH funksionale, por në mungesën edhe formale të KLSH-së funksionale, shqetësimi bëhet më serioz dhe mungesa e mekanizmit kontrollues krijon një situatë jo normale dhe me pasoja për standardet e qeverisjes dhe nivelin e korrupsionit në vend. ISP vlerëson se mungesa e KLSH, mungesa e Prokurorit të Përgjithshëm funksional dhe bashkë me to edhe e Gjykatës Kushtetuese dhe e Gjykatës së Lartë, – janë dhe mbeten një shqetësim i madh dhe një pengesë reale në progresin e vendit drejt shtetit të së drejtës dhe luftës reale ndaj korrupsionit dhe çdo forme të abuzimit me pushtetin.
(Instituti i Studimeve Politike)