Instituti i Studimeve Politike (ISP) me mbështetjen e Lëviz Albania (LA) po kryen hulumtime në nivele të ndryshme të aktivitetit të këshillave bashkiakë dhe të bashkive të qarkut Tiranë (Tiranë, Kavajë, Kamëz, Vorë e Rrogozhinë). Projekti “Bashkitë e qarkut Tiranë: transparenca, qeverisja qytetare dhe llogaridhënia” kanë në fokus edhe matjen e detajuar të efektivitetit të secilit nga këshilltarët (ata me mandat të plotë ose të pjesshëm) në secilën bashki, ku pjesë e rëndësishme e vlerësimit bëjnë pjesë të gjitha aktivitetet e këshilltarëve, – nismat, debatet, përfaqësimi, roli, aktet publike, angazhimi në media, takimet me qytetarët, llogaridhënia, transparenca, konflikti i interesit, etj.
Në këtë relacion reflektohen të dhënat e monitorimit mbi standardin e angazhimit të këshilltarëve në media të ndryshme, kryesisht në mediet online, gjatë periudhës shtator 2015 – shtator 2018. Në dallim nga parlamenti kombëtar (Kuvendi i Shqipërisë) parlamentet lokale (këshillat bashkiakë) nuk përbëjnë lajm ditor dhe nuk kanë transmetim direkt në TV dhe media. Vetëm në rastet e zhvillimeve të rëndësishme vendore media tregon interes të madh, kryesisht duke i dhënë mbështetje kryetarëve të bashkive, pavarësisht forcës politike që ata i përkasin. Në rastet e mbledhjeve rutinë, media ka interesa të limituara për transmetim. Për shkak se edhe në bashkitë e sotme nuk ka media zyrtare të vetë bashkive (TV, radio, blog, gazetë, revistë, etj) këshilltarët ndeshen me vështirësi për të gjetur rrugët e duhura të komunikimit direkt me qytetarët.
Komunikimi i të zgjedhurve me zgjedhësit është standard demokracie dhe mirëqeverisje, kërkesë minimale drejt një modeli llogaridhënës, dhe tregues i pjekurisë politike në një sistem periodik zgjedhor, ku mundësitë për CV të pasur përfaqësimi janë të kushtëzuara edhe nga bashkia, rrethanat politike, buxheti, raportet politike, gjendja ekonomike, etj. Një këshilltar i angazhuar është i interesuar të ketë komunikim të vazhdueshëm me qytetarët, të marrë prej tyre shqetësime dhe sugjerime dhe të japë informacion mbi aktivitetin e tij, të njihet me prioritetet e zonës zgjedhore dhe të krijojë harmoninë e duhur midis prioriteteve të zonës dhe prioriteteve të vetë bashkisë. Në modelin shqiptar të përfaqësimit lokal këshilltarët nuk janë vetëm llogaridhënës përpara qytetarëve, por kryesisht edhe përpara partisë së tyre politike, mbështetësve partiakë dhe liderëve partiakë që i kanë emëruar.
Bazuar në këtë mision, interes dhe përgjegjësi të shumëfishtë, këshilltarët në modelin shqiptar të përfaqësimit kanë dy kategori mjetesh komunikimi në dispozicion:
- Komunikimi në formën tradicionale (takime në zonën elektorale, konsultime të vazhdueshme, takime me grupet e interesit, mbledhje, anketime, etj)
- Komunikimi përmes medieve të reja (rrjeteve sociale, medieve online, telefonit, etj)
Në rastin e parë hapësira e këshilltarëve për komunikim është e kufizuar, edhe sepse numri i takimeve dhe konsultimeve nuk është asnjëherë i atillë sa të ketë kontakt me pjesën më të madhe të komunitetit lokal dhe se axhenda e takimeve kushtëzohet nga partia dhe axhenda e saj, e cila shpeshherë është e ndryshme nga axhenda individuale e këshilltarit lokal. Në këto rrethana, metoda më e suksesshme e viteve të fundit në demokracitë funksionale dhe ato hibride, është komunikimi duke përdorur fuqinë e medies online, rrjeteve sociale dhe formave moderne të komunikimit teknologjik.
Duke kërkuar përvoja pozitive referuese, po ilustrojmë përvojën e këshillit bashkiak Tiranë, i cili ofron disa modele referuese pozitive në këtë drejtim: për shembull, ka këshilltarë që bëjnë publike rendin e ditës të Këshillit Bashkiak me dokumentacionin shoqërues duke kërkuar opinionet e qytetarëve që përdorin teknologjitë e reja të informacionit; ka këshilltarë që kanë faqe të dedikuar interneti me informacione të larmishme mbi aktivitetin dhe problematikat lokale; ka këshilltarë me faqe të dedikuar në rrjetet sociale ose me network të rregullt komunikimi me medien, me grupet e interesit apo organizatat civile në zonën elektorale.
A përbëjnë këto praktika modele dominuese apo përjashtuese pozitive? Hulumtimi nga Instituti i Studimeve Politike tregon se kemi të bëjmë me modele përjashtuese pozitive, – me vetëm një numër të kufizuar individësh, të cilët kanë aftësinë, vizionin, përkushtimin dhe sensin e përgjegjësisë për të gjetur forma sa më atraktive të komunikimit të vazhdueshëm me elektoratin. Në tërësinë e të dhënave për këshilltarët, rezulton se dominues është modeli tradicional, – rendja pas axhendës së partisë, qëndrimi inaktiv, prirja drejt takimeve me elektoratin kryesisht në prag të fushatës elektorale dhe ngjarjeve të rëndësishme politike, etj. Numri i këshilltarëve që përdor teknologjitë e reja të komunikimit për lidhje me komunitetin votues, është rritur në krahasim me vitet e kaluara, por është ende minimal në krahasim me secilin vend tjetër evropian me standarde demokracie përpara Shqipërisë.
Raporti i parë “Këshilltarët bashkiakë më efektivë” bazuar në angazhimin e tyre në media dhe në daljet publike mund të lexohet / shkarkohet më poshtë: