Instituti i Studimeve Politike (ISP) vlerëson se vendimi nr. 50/2024 i Kuvendit për «Ngritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Thellimin e Reformave për Mirëqeverisjen, Sundimin e Ligjit dhe Antikorrupsionin për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Evropian” përbën një zhvillim pozitiv në aspektin e nevojës për një rol më aktiv të Kuvendit në jetësimin e reformave, si dhe në nevojën e rishikimit të problematikeve për jetësimin e standardeve të shtetit të së drejtës, por njëkohësisht përbën një zhvillim shqetësues në lidhje me aksesin e gjerë dhe rolit politik udhëheqës që i jepet Kuvendit ndaj institucioneve të pavarura dhe kushtetuese.
- Reformat nuk lidhen me ndonjë vit të caktuar, (viti 2030 nuk ka përcaktim të qartë lidhur me ndonjë proces anëtarësimi të mundshëm në BE), por janë përgjegjësi e përhershme e parlamentit, përfshirë edhe e legjislaturës aktuale, e cila përfundon më 2025.
- Kuvendi disponon të gjitha mjetet (deputetët, legjitimitetin, të drejtën kushtetuese, ekspertizën dhe të drejtën e kontraktimit të ekspertëve të jashtëm, etj).
- Kuvendi e ushtron mbikëqyrjen parlamentare me raportimin vjetor të institucioneve të pavarura dhe kushtetuese
- Kuvendi miraton rezoluta vjetore për institucionet dhe zhvillon seanca dëgjimore
- Kuvendi mund të organizojë tryeza debati, vizita pune, konsultime, etj, me institucionet e pavarura dhe kushtetuese.
Në dallim nga kjo praktikë pune dhe kompetence ligjore, vendimi 50/2024 e ka zgjeruar fushëveprimin e Kuvendit duke detyruar institucionet e pavarura dhe kushtetuese të dërgojnë ekspertët e tyre në komision dhe të punojnë në funksion të komisionit, madje në funksion të nëngrupeve të krijuara nga komisioni. Konkretisht, në pikën VIII të vendimit thuhet “Pranë Komisionit të Posaçëm, për të realizuar një proces sa më gjithëpërfshirës e transparent, do të ngrihet dhe funksionojë grupi i punës i ekspertëve vendas dhe ndërkombëtarë me përfaqësues të propozuar nga institucionet e drejtësisë, institucionet e pavarura dhe agjencitë ekzekutive ligjzbatuese, administrata publike, bota akademike, universitetet publike dhe jopublike, institute e organizata të shoqërisë civile dhe medies, si edhe organizata të sipërmarrjes, etj. Grupi i ekspertëve do të organizohet në 3 nëngrupe, që do të angazhohen për 3 fushat e objektit të veprimtarisë së këtij komisioni. Ekspertët do të angazhohen në funksion të temave përkatëse, që lidhen me fushat e tyre të veprimtarisë në procesin e kryerjes së analizës dhe hartimin e Planit Kombëtar të Veprimit, si dhe propozimin e masave përkatëse legjislative e institucionale. Numri dhe përbërja e grupit të ekspertëve miratohet me vendim të komisionit”.
- Kjo praktikë pune, sipas të cilës institucionet e drejtësisë, të pavarura dhe kushtetuese dërgojnë përfaqësues për të qenë pjesë teknike e Komisionit, pra në funksion të Komisionit dhe në varësinë e shumëfishtë të tij, përbën zhvillim shqetësues dhe rrezikon të cenojë pavarësinë e institucioneve të pavarura dhe të vetë ekspertëve të tyre, të dobësojë rolin që mund të ketë këto institucione gjatë dhe sidomos në fund të procesit të diskutimeve dhe konsultimeve mbi draftet e mundshme të Komisionit, si dhe të krijojë perceptimin se institucionet e pavarura duhet të japin llogari përpara një Komisioni politik.
- I njëjti vlerëson vlen edhe për shoqërinë civile, e cila duke qenë monitoruese dhe pjesë e aktivitetit konsultues, sipas ligjit, nuk mund të jetë edhe pjesë e stafit teknik asistues të Komisionit politik në parlament.
- Vetë fakti se Komisioni u miratua me nxitim, pa konsultim publik as me grupet e regjistruara në database të Kuvendit, mbetet tregues shqetësues. Bojkotimi politik i një pale e dobëson gjithashtu legjitimitetin dhe funksionalitetin e tij, ndërkohë që mbivendosje të kompetencave me disa ministri/institucione krijon paqartësi të tjera, të cilat do jenë objekt i një raporti të detajuar ekspertize nga ISP.
- Koha e miratimit të Komisionit dhe mandati i tij, i cili përfshin edhe periudhën e fushatës elektorale të vitit 2025, janë gjithashtu indicie për të siguruar instrumentet dhe mekanizmat e nevojshëm që Komisioni të mos ketë ndikime politike me efekt elektoral, dhe të mos krijojë konflikt me institucionet e pavarura dhe ligjzbatuese, që njëkohësisht kanë objekt të tyre hetimi edhe deputetët, zyrtarët apo proceset zgjedhore në Shqipëri.
ISP vlerëson se Kuvendi mund të kishte përzgjedhur rrugë tjetër më institucionale, që institucionet të ofronin me shkrim sugjerimet dhe vlerësimet e tyre dhe që ato të ofronin opinione mbi rastet e drafteve të Komisionit, jo atashimin e ekspertizës së institucioneve tek Komisioni.
ISP vlerëson gjithashtu se koncepti i transparencës dhe gjithëpërfshirjes nuk detyron shkrirjen në një trupë të drejtuar politikisht të ekspertizës së institucioneve të pavarura dhe shoqërisë civile, – përkundrazi, ngarkon Kuvendin dhe në këtë rast, Komisionin, të jetë transparent, gjithëpërfshirës dhe llogaridhënës, proces që duhet të nis nga verifikimi i konfliktit të interesit midis anëtarëve të Komisionit dhe stafit mbështetës parlamentar deri tek rishikimi thelbësor i raporteve të këtij komisioni me institucionet e pavarura dhe institucionet e tjera kushtetuese.
ISP do të monitorojë nga afër ecurinë e Komisionit dhe të aktivitetit tjetër parlamentar 2024-2025, dhe në këtë proces, mbetet i hapur të ofrojë opinionet e ekspertëve të tij për vendimmarrje dhe akte të rëndësishme parlamentare, që kanë të bëjnë me nevojën jetike për forcimin e demokracisë funksionale, shtetit të së drejtës dhe integritetit në politikë dhe në vendimmarrje.
ISP – Vleresime dhe shqetesime lidhur me Komisionin e Posacem per reformat te ngritur nga Kuvendi