Instituti i Studimeve Politike (ISP) shpreh shqetësimin e thellë se vendimmarrje të rëndësishme që kanë të bëjnë me liritë kushtetuese të qytetarëve, me të drejtat e njeriut, me aktivitetin privat e shoqëror dhe me raportet midis individit e shtetit, janë marrë, njoftuar dhe vijojnë të imponohen në rrugë jo institucionale, përmes komunikimit privat të kryeministrit dhe titullarëve të institucioneve, pa vendimmarrje institucionale e ligjore dhe pa publikim të akteve sipas kërkesave të ligjit. Kjo praktike pune përbën deformim nga parimet e shtetit të së drejtës, cenon liritë kushtetuese, dobëson institucionet, krijon precedentë negativë në memorien shtetërore, injoron parimet e transparencës dhe llogaridhënies si dhe si të tilla, janë akte të abuzimit me pushtetin.
ISP apelon rikthimin në shtratin kushtetues e ligjor të aktivitetit dhe vendimmarrjes së Këshillit të Ministrave, të Qeverisë, të Ministrave dhe institucioneve të tjera të përfshira. ISP apelon Kuvendin të ushtrojë funksionin e kontrollin kushtetues të pushtetit ekzekutiv edhe në situatën sipas neneve 170-174 të Kushtetutës së Shqipërisë.
Kryeministri, Këshilli i Ministrave, Ministritë dhe institucionet e tjera duhet të publikojnë në kohë dhe me arsyetim ligjor të gjitha aktet e tyre lidhur me situatën aktuale. Ky është detyrim kushtetues dhe ligjor, i cili nuk është respektuar prej muajsh. Kushtetuta e Shqipërisë nenet 100-102 dhe neni 29 i ligjit 9000/2013 “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave” përcaktojnë përgjegjësitë dhe detyrimet e Kryeministrit dhe të Këshillit të Ministrave për vendimmarrje ligjore dhe transparente. Sipas ligjit, Vendimet e Këshillit të Ministrave marrin fuqi juridike pas botimit në Fletoren Zyrtare. Për vendimet me karakter normativ mund të caktohet si datë hyrjeje në fuqi një datë tjetër nga ajo e botimit në Fletoren Zyrtare. Udhëzimet e Këshillit të Ministrave dhe të ministrit marrin fuqi juridike pas botimit në Fletoren Zyrtare. Urdhrat e Kryeministrit, të ministrit ose të drejtuesit të institucionit qendror, në varësi të Kryeministrit ose të ministrit, hyjnë në fuqi menjëherë, u njoftohen të interesuarve dhe shpallen, për të paktën 3 dite, në një vend të dukshëm të institucionit përkatës”. Sipas Kushtetutës kufizimet e të drejtave dhe lirive nuk mund të cenojnë thelbin e lirive dhe të të drejtave dhe në asnjë rast nuk mund të tejkalojnë kufizimet e parashikuara në Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut.