Reforma administrativo-territoriale është prioritet, nevojë dhe sfida kryesore aktuale. Ajo ka impakt mbi organizimin shtetëror, ushtrimin e demokracisë, shërbimet ndaj qytetarëve, zhvillimin ekonomik, si dhe raportet ndërvepruese midis shtetit e qytetarëve, – i përfshin të gjithë dhe standardi kërkon një reformë afatgjatë, të qëndrueshme dhe funksionale.
Këto e tema të tjera plotësuese ishin pjesë e tryezës së radhës organizuar nga Instituti i Studimeve Politike (ISP) “Reforma administrativo-territoriale 2026: Për një proces transparent, gjithëpërfshirës dhe efektiv”. Aktiviteti bëhet në kuadër të projektit Cluster One, mbështetur nga ambasada e Mbretërisë së Vendeve të Ulta.
Debatit konstruktiv dhe profesional në moderimin e Lutfi Dervishi i kontribuan Asli Cetinel (Chargé d’Affaires a.i. MVU), përfaqësuesit politikë, – Ministri i Pushtit Vendor Ervin Demo, bashkëkryetarët e komisionit të posaçëm Arbjan Mazniku (PS) dhe Luciano Boçi (PD), deputetët Edmond Haxhinasto (PL), Jorida Tabaku (PD, Ermal Elezi (PS) dhe Eno Bozgo (PD) anëtarë të komisionit; si dhe përfaqësuesit nga ekspertiza dhe shoqëria civile, Adelina Farrici (Shoqata Kombëtare e Bashkive), Alba Dakoli (Fondacioni FLAG), Agron Haxhimali (Instituti i Bashkive), Erjon Tase (ASP), Arjan Durmishi (CSDG), etj. Pjesë e tryezës ishin edhe përfaqësuesit nga përfaqësitë kryesore diplomatike, delegacioni europian, OSBE, Helvetas, si dhe organizatave të tjera aktive në këtë fushë.
Për të pranishmit në tryezë ISP, bazuar në ekspertizën e tij, ofroi një Position Paper, analizë të thelluar mbi problematikat politike, juridike, teknike dhe ekonomike, si dhe vlerësime, sugjerime dhe rekomandime për një proces reforme me integritet, transparent, funksional dhe afatgjatë.
Dokumentet mund te aksesohen: https://isp.com.al/reforma-administrativo-territoriale-2026-konteksti-mesimet-nga-2014-pritshmerite-dhe-sfidat/



