Instituti i Studimeve Politike (ISP) ka vijuar edhe gjatë vitit 2019 dhe 2020 të bëjë monitorimin e institucioneve kryesore të sistemit të drejtësisë, KLGJ, KLP, KED dhe KMRD. Monitorimi është kryer në kuadrin e projektit të ISP “Sistemi i ri i drejtësisë: transparencë dhe përfshirje. Monitorim aktiv i KLGJ, KLP, KED, KKRD” mbështetur nga Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë, Programi i Reformës në Drejtësi.
Reforma në drejtësi njohu zhvillime të reja në fundin e vitit 2019 dhe në fillimin e vitit 2020, me zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm, të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, SPAK dhe drejtuesit të tij, të katër anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, të tre anëtarëve të Gjykatës së Lartë. Më shumë se tre vite nga ndryshimet kushtetuese për reformën në drejtësi vendi ndodhet në fazën kur reforma ka nisur të japë rezultate konkrete dhe ku vëmendja kryesore kalon nga institucionet tek aktet konkrete të dhënies së drejtësisë. KLGJ dhe KLP luajtën një rol të rëndësishëm në këtë drejtim.
GJETJE DHE REKOMANDIME KRYESORE
KLGJ dhe KLP vijojnë të jenë edhe gjatë vitit 2019-2020 pika referimi dhe organet kryesore vendimmarrëse në jetësimin e reformës në drejtësi. Ato arritën që të plotësojnë detyrimin kushtetues për zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm, për zgjedhjen e SPAK, si dhe për zgjedhjen e anëtarëve të parë në Gjykatën e Lartë. Kjo është një bazë e mirë vendimmarrëse për të kaluar nga përpjekja e plotësimit minimal të institucioneve të larta të drejtësisë në synimin për mirëfunksionimin e tyre në kapacitete dhe vendimmarrje.
Vijimi pa një Gjykatë Kushtetuese dhe Gjykatë të Lartë vendimmarrëse dhe për më shumë se 1.5 vjet ishte dhe mbetet një shqetësim serioz për standardet e drejtësisë dhe aksesin për drejtësi të qytetarëve. Aktualisht GJK ka 4 anëtarë dhe GJL 3 anëtarë, por institucionet përgjegjëse KLGJ dhe KED duhet t’í kushtojnë rëndësi primare marrjes së masave të menjëhershme për përmbushjen e detyrimeve ligjore përsa i takon plotësimit të vendeve vakante në këto institucione jetike të sistemit të drejtësisë.
Procesi i vettingut dhe i zgjedhjes së institucioneve të reja është shoqëruar me vakanca në nivele të ndryshme të gjyqësorit dhe prokurorisë. KLGJ dhe KLP do të duhet të kenë një strategji, plan konkret dhe vizion të qartë për të minimizuar pasojat negative dhe për t’u paraprirë situatave të ngjashme, në mënyrë që sistemi të mbetet funksional dhe qytetarët të përfitojnë nga rezultatet e prekshme të reformës në drejtësi. Premtimi dhe pritshmëria e reformës ka qenë e mbetet ofrimi i drejtësisë së shpejtë, të pavarur dhe profesionale, si parakusht për suksesin e saj dhe rikthimin e besimit tek institucionet e drejtësisë.
KLGJ duhet të miratojë sa më shpejt Hartën Gjyqësore, si dokument bazë referimi për emërimet, ndryshimet, ngarkesën e punës, vendimmarrjet dhe funksionimin sa më të drejtë e maksimal të sistemit gjyqësor. Në përputhje me të KLGJ e KLP do të duhet të ketë gjithashtu një qasje strategjike në përputhje me Planet Strategjike të miratuara ose në shqyrtim, për të identifikuar prioritetet, standardet, pritshmëritë dhe rezultate më të prekshme të reformës dhe vendimmarrjes së tyre.
KLGJ do të duhet të përcaktojë qartësisht numrin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë (neni 90, ligji 98/2016), si dhe KLP të marrë masa për plotësimin tërësor të strukturave të SPAK. KED do të duhet të jetë shumë me efikas në procesin e kandidatëve për në Gjykatën Kushtetuese.
Këshilli i Monitorimit nga Kuvendi të Reformës në Drejtësi (KMRD), si edhe gjatë 2019 edhe më 2020 nuk arriti të krijojë një institucion referues dhe funksional, ndaj nevoja e një sjellje më aktive, më transparente dhe të orientuar drejt prioriteteve të misionit të tij mbetet sfida për periudhën në vijim.
KLGJ dhe KLP, me aktivitetin e tyre e zhvendosën vëmendjen dhe interesin e opinionit publik dhe të medias, nga elementët administrativë të përbërjes dhe funksionimit të tyre, tek vendimmarrjet për jetësimin e institucioneve kryesore të sistemit dhe në rritjen e standardeve të organizimit gjyqësor dhe të prokurorisë së vend.
KLP ka miratuar disa rregullore të rëndësishme, por nuk ka miratuar një rregullore të brendshme që është domosdoshmëri për zbatimin e parimeve të mirëqeverisjes. Po ashtu, Rregullorja “Mbi kriteret dhe procedurën për ngritjen në detyrë të prokurorëve pranë SPAK” u miratua pas mbylljes së afatit për dorëzimin e kërkesave nga kandidatët e interesuar për të aplikuar në pozicionet vakante në SPAK, praktikë që duhet ndryshuar e përmirësuar në të ardhmen.
Për të gjithë procesin e komandimeve dhe emërimeve të përkohshme secila strukturë, sidomos KLP, do të duhet të kenë një plan strategjik dhe Rregullore mbi promovimin, standardizim të vendimmarrjeve dhe shumë më tepër transparencë dhe informim publik.
KED ka pasur një rol thelbësor gjatë periudhës maj 2019 – mars 2020 2019-mars 2020 në përzgjedhjen e kandidatëve për në Gjykatën Kushtetues edhe për Inspektor të Lartë të Drejtësisë. Praktika e ndjekur nga KED ndonëse është vlerësuar pozitivisht ka shkaktuar debate e kontestime të mëdha publike. Mosmarrëveshjet u adresuan në Komisionin e Venecias për opinion vlerësues dhe përfshinë edhe institucionin e Presidentit, Kuvendit etj, ndërkohë që një zhvillim kritik ishte pamundësimi prej tij i institucionit të Avokatit të Popullit për ndjekjen normale të mbledhjeve dhe vendimmarrjeve.
KED pati probleme dhe mangësi të mëdha në transparencën e veprimtarisë së tij sidomos në lidhje me vonesat e pajustifikueshme të publikimit të procesverbaleve të debatit në mbledhje dhe në vendimmarrje. Për shkak se KED i zhvillon mbledhjet me dyer të mbyllura publikimi i procesverbaleve është detyrim ligjor, standard demokratik, por edhe ndihmon në mbushjen e boshllëkut që krijohet në publik.
KED u ripërtëri gjatë muajit dhjetor 2019, përmes një procedure transparente, megjithatë kryetari mbeti i njëjtë edhe për shkak se Gjykata e Lartë ka vetëm një anëtar, të cilit i ka mbaruar mandati 9 vjeçar që në vitin 2014. Mungesa e konkurrencës për të qenë anëtar apo kryetar i KED, sipas përcaktimeve ligjore, e dobësoi edhe raportin e besimit publik tek KED dhe ndikoi në rritjen e kritikave ndaj tij.
Komisioni i Venecias është ende në shqyrtimin e praktikës që lidhet me emërimet e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, ndërsa Presidenti i Republikës ka iniciuar kallëzim penal ndaj kryetarit të KED[1]. Filtri i përdorur nga KED për përzgjedhjen e kandidaturave ka qenë tepër i imët, duke evituar në këtë mënyrë gjetjet që mund të verifikohen pas emërimit, të cilat do të çonin në tërheqjen e kandidatëve dhe në lënien e vendit bosh nga ana e tyre. Ky verifikim mundëson plotësimin e vakancave në mënyrë përfundimtare dhe krijimin e organeve të qëndrueshme të drejtësisë.
Afati kohor prej 15 ditësh, për plotësimin e formularëve për deklarimin e pasurive, është konsideruar i pamjaftueshëm prej kandidatëve pasi ata kanë qenë në pamundësi objektive nisur nga numri i madh i institucioneve në të cilat duhet të tërhiqnin dokumentacionin përkatës brenda dhe jashtë vendit. Kjo ka sjellë tërheqjen e tyre. Prandaj, është e domosdoshme që të ketë një bashkëveprim ndërmjet institucioneve për të mundësuar aplikimin dhe shtimin e numrit të kandidatëve, të cilët janë pakësuar ndjeshëm si rezultat i tërheqjes për shkak të pamundësisë në dorëzimin e dokumentacionit të nevojshëm.
Përjashtimi i Avokatin e Popullit si dhe përfaqësuesit e subjekteve të cilët ftohen sipas ligjit në bisedimet e çështjes, si edhe gjatë votimit të sjellë një kufizim të paligjshëm të kompetencave të Avokatit të Popullit, pasi i mohohet e drejta për të marrë dijeni dhe për të mbrojtur interesat e palëve. Gjithashtu, ky fakt ngre pikëpyetje edhe përsa i përket transparencës dhe marrjes përsipër të përgjegjësisisë në marrjen e vendimeve. Vetë instituticioni i Avokatit të Popullit ka ngritur nje padi kunder KED në Gjykatën Administrative të Apelit për shkelje të kompetencave të këtij institucioni.
Numri i kandidatëve të cilët plotësonin kushtet ligjore për tu zgjedhur anëtarë të Gjykatës Kushtetuese ose kandidatët për ILD ka qenë tepër i ulët, madje në vakancat e Gjykatës Kushtetuese paraqiten të njëjtët emra për vakanca të ndryshme.
Është e rekomandueshme që kandidaturat që do të përfshihen në listat e KED të kenë përfunduar fillimisht procesin e vettingut, pasi kjo do të shmangte vënien në lëvizje të institucioneve të emërtesës si dhe cënimin e besimit të publikut në një rast shkarkimi të mëvonshëm të kësaj kandidature nga organet e vettingut. Kriteret e vendosura nga ligji janë të forta dhe burimet njerëzore të interesuara për GJK janë të pamjaftueshme për të garantuar një konkurrueshmëri të lartë midis kandidaturave.
KLGJ dhe KLP treguan vëmendje ndaj rasteve të cenimit të jetës ose të drejtave të gjyqtarëve dhe prokurorëve, duke i marrë ata nën mbrojtje, si dhe u treguan refraktarë dhe nxitën hetime në rastet kur gjyqtarë apo prokurorë u bënë pjesë të akuzave, skandaleve apo incidenteve të rënda që cenojnë figurën e tyre. Krijimi i ILD përbën një zhvillim pozitiv dhe një mundësi që çdo ankesë dhe rast të kalojë për trajtim ligjor dhe disiplinor, sipas ligjit.
KLGJ dhe KLP rekomandohet të krijojnë në harmoni dhe me standarde të njëjta, rregullore të brendshme funksionale dhe kodet e etikës. Pas fazës së parë të jetësimit dhe vendimmarrjeve të para të tyre, tashmë nevoja për më shumë transparencë në debatet e brendshme, në parandalimin e konfliktit të interesit dhe në apelimin e standardeve më të larta etike në punën e tyre dhe në marrëdhëniet publike janë nevojë dhe kërkesa të kohës.
KLGJ dhe KLP kanë dëshmuar standarde profesionale në organizimin e mbledhjeve të tyre, drejtimin dhe menaxhimin e debatit, në aplikimin e elementëve të solemnitetit dhe evitimin e gjuhës jo etike, si dhe në ndarjen e rendit të ditës me grupet monitoruese të shoqërisë civile.
KLGJ dhe KLP kanë raportuar rregullisht në parlament dhe në strukturat e integrimit, duke përmbushur detyrimin e tyre ligjor, por edhe duke ndikuar pozitivisht në prezantimin e problematikave dhe bilancit të tyre të punës. Në aspektin ndërinstitucional KLGJ dhe KLP kanë qenë shumë më korrekt në bashkëpunim me parlamentin dhe qeverinë sesa këto të fundit. Mbështetje logjistike ende nuk është e plotë, struktura organike e KLGJ dhe KLP ende nuk është plotësuar, elementët e sigurisë ende nuk janë garantuar dhe një numër kërkesash e ankesash të tyre të parashtruar në parlament ende nuk kanë marrë zgjidhje.
KLGJ dhe KLP kanë pasur bashkëpunim intensiv me partnerët kryesorë ndërkombëtarë të Shqipërisë, gjë që i ka ndihmuar të forcojnë elementët e pavarësisë së tyre në raport me aktorët politikë në vend. Megjithatë, fokusimi kryesisht vetëm tek partnerët ndërkombëtarë mund të mos jetë efektiv në të ardhmen, ndërkohë që fokusimi më i madh në bashkëpunimin e brendshëm institucional dhe në transparencën publike me qytetarët do të mund të kishte ndikim më afatgjatë në qëndrueshmërinë e punës së tyre dhe në bilancin e reformës në drejtësi.
KLGJ dhe KLP shfaqën gjatë periudhës së monitorimit shumë më tepër elementë të transparencës sesa KLD e mëparshme. Mbledhjet më të rëndësishme u bënë publike, media raportoi lirisht për çdo vendimmarrje dhe aksesi për informacion nuk pati kufizime. Problematika mbetet respektimi i plotë i detyrimeve që burojnë nga programi i transparencës në ligjin 118/2014 për të drejtën e informimit, pasi faqet online të dy institucioneve ende nuk janë burim i plotë informimi dhe referimi.
KLGJ ka arritur të miratojë mbi 449 vendime në 14-15 muaj, çka përbën një volum të madh pune, megjithatë rreth 16-18% e rasteve kanë qenë vendime për transferime të përkohshme të gjyqtarëve. Sfidë e KLGJ-së vijon të mbetet riorganizimi i organeve gjyqësorë në varësi të numrit të çështjeve dhe gjyqtarëve përkatës, për të reduktuar volumin e madh të vendimmarrjeve nga ana e tij, për lëvizjet e përkohshme të gjyqtarëve nga njëra gjykatë në tjetrën.
KLGJ dhe KLP duhet të reduktojnë në maksimum praktikat e shumta të deritanishme të caktimit të përkohshëm të prokurorëve apo gjyqtarëve, si dhe të orientohen në emërime përfundimtare të tyre, si parakusht për rritjen e cilësisë, besimit dhe profesionalizmit të vendimmarrjes në sistemin e drejtësisë.
KLGJ dhe KLP do të duhet të marrin masa për plotësimin 100% të stafit mbështetës, në kualifikimin e tyre dhe në zgjerimin e kapaciteteve të brendshme të përpunimit të të dhënave, mbi të cilat mund të ndërtohen strategji që ofrojnë zgjidhje në të ardhmen. Synimi i tyre duhet të jetë trajtimi i çështjeve përpara se të shfaqen si pengesa, jo thjesht menaxhimi i pengesave që vazhdimisht shfaqen në gjyqësor apo prokurori.
Komisionet e brendshme të punës në KLGJ dhe KLP, sipas ligjit, duhet të bëjnë raportime vjetore (çdo muaj janar), gjë që meriton të jetë në vëmendje, për të siguruar funksionalitet maksimal të tyre, por edhe për të rritur transparencën mbi aktivitetin dhe këto vendimmarrje.
KLGJ duhet të fokusohet shumë më tepër në sfidën e saj për plotësimin e vendeve në Gjykatën e Lartë, si dhe në marrjen e masave për respektimin e afateve ligjore pavarësisht vështirësive e mungesave në personelin gjyqësor.
KLGJ dhe KLP duhet të publikojnë rregullisht mendimet kundër të anëtarëve dhe të krijojnë akses për median dhe grupet civile, për rastet e ankesave ndaj vetë anëtarëve të tyre.
KLGJ ende nuk ka miratuar hartën gjyqësore në vend, pavarësisht se është një prej detyrimeve ligjore të tij, ndërsa duhet të bëjë më shumë për hartimin e një plani për mbarëvajtjen e veprimtarisë së KLGJ-së në drejtim të planifikimit dhe organizimit më të efektshëm të pushtetit gjyqësor në përballimin e shërbimeve publike të kërkuara dhe të impaktit nga procesi i vettingut;
KLP ka zhvilluar rreth 50 mbledhje në 14-15 muaj, një volum i madh pune, por që tashmë më shumë sesa sasi mbledhjesh kërkon rritje të standardeve cilësore të tyre. Ai duhet të përshpejtojë punën për plotësimin e vendeve vakante në vetë përbërjen e tij.
KLP u përball me problematikën e ndërprerjes së mandatit për së paku dy anëtarë të tij të deritanishëm, një problematikë që krijon debat mbi legjitimitetin dhe integritetin e vendimmarrjes së deritanishme të anëtarëve që rezultojnë të papërshtatshëm nga organet e rivlerësimit, KPK dhe KPA.
KLGJ dhe KLP duhet të planifikojnë në mënyrë efikase burimet e tyre financiare dhe njerëzore, me qëllim përmbushjen e pritshmërive, duke miratuar një planifikim strategjik afatmesëm të aktivitetit të tyre duke identifikuar përparësitë, sfidat dhe risqet e mundshme.
KLP ka aplikuar disa herë shtyrjen e afateve të shpallura ligjore që lidhen me kandidime ose procese zgjedhore, siç ishte rasti i përbërjes së SPAK dhe më pas i drejtimit të tij, por në të ardhmen sugjerohet vendosja e afateve të arsyeshme ligjore dhe respektimi maksimal i tyre.
Praktikat e vendimmarrjeve, si p.sh, të KLP, për pagesat e prokurorëve për punën e kryer jashtë orarit zyrtar apo për veprimtaritë jashtë funksionit të Prokurorëve janë modele pozitive referuese.
Përgatitja e programit të transparencës për KED, në përputhje të plotë me nenin 7 të ligjit nr.119/2014 “Për të Drejtën e Informimit”, vlerësohet si një mënyrë konkrete përmes së cilës KED ndërton dhe rrit transparencën në punën e tij institucionale, nën garancinë e LDI-së. Veprimtaria e KED është lehtësisht e kuptueshme dhe e aksesueshme nga të gjithë,pa qenë nevoja e kërkesave për marrje dijeni.
Për një funksionim sa më të mirë të KED të 2020, duke u bazuar edhe tek eksperienca e KED paraardhëse, shtimi i kapaciteteve njerëzore të angazhuar pranë këtij këshilli do të mundësonte një përmbushje sa më të plotë të të gjitha detyrimeve dhe parashikimeve ligjore, si për sa i përket publikimit të materiale të mbledhjeve, të procesverbaleve, akteve normative, etj, si dhe plotësimi i të gjitha vakancave në Gjykatën Kushtetuese, duke përmbushur në këtë mënyrë vetë funksionin dhe qëllimin për të cilin është parashikuar dhe krijuar ky Këshill.
Një fakt i konstatuar në lidhje me transparencën në marrjen e vendimeve dhe paanshmërinë e Këshillit është edhe rasti i miratimit të metodologjisë së vlerësimit. KED ka shpallur thirrjet për kandidatët për ILD, dhe pas paraqitjes së kandidaturave, miratohen kriteret e vlerësimit të kandidaturave, kur në fakt më transparente do të ishte nëse kjo metodologji vlerësimi do të ishte miratuar para shpalljes së thirrjes për vendin vakant. Miratimi i metodologjisë së vlerësimit, pasi merret dijeni për kandidatët që kanë aplikuar, kriteret që ata plotësojnë dhe eksperiencat që ata kanë mund të ngrejë dyshime se këto kritere vlerësimi dhe kjo metodologji mund të jetë miratuar duke favorizuar një ose disa persona të preferuar nga anëtarët.
Raportin e plotë monitorues, analizën e detajuar dhe rekomandimet mund ta lexoni në linkun: