Instituti i Studimeve Politike (ISP) është angazhuar në kuadër të projektit “Fuqizimi i integritetit të zgjedhjeve dhe i qëndrueshmërisë së partive politike”, i cili është duke u zbatuar nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KSHH) në partneritet me Institutin e Studimeve Politike (ISP), BIRN Albania dhe Qëndresa Qytetare (QQ), mbështetur financiarisht nga Qeveria Britanike. Pjesë e rëndësishme e angazhimit është monitorimi i të gjithë kuadrit ligjor të zgjedhjeve, por edhe evidentimi periodik i zhvillimeve dhe problematikave që lidhen me to. ISP parashikon publikimin e disa raporteve periodike monitoruese për KQZ, KAS, Kolegjin Zgjedhor, partitë politike, median, ndikimet e burimeve informale dhe aktorëve të jashtëm, si dhe standardet e jetësimit të dekriminalizimit. Ky është një prej raporteve periodike të fazës aktuale realizuar nga stafi i ISP, mbi vendimarrjet e KQZ ne periudhen janar-shkurt 2023.
Gjetjet kryesore:
• Deri në 28.02.2023 janë realizuar 30% e vendimeve të planifikuara nga Komisioneri dhe Komisioni Rregullator, sipas Programit Analitik. Pjesa më e madhe e tyre janë miratuar përtej afateve të përcaktuara për këtë qëllim.
• Nga mbledhjet për miratimin e këtyre akteve konstatohet mungesa e debateve apo diskutimeve nga të pranishmit lidhur me vendimmarrjet. Sa i përket organizatave të shoqërisë civile, konstatohet një prani e vogël e tyre gjatë vendimmarrjeve, sikurse edhe roli aktiv i atyre që marrin pjesë në proces, duke kontribuar në shtesa aktesh apo kërkesa për ndryshime.
• Temë e cila ka marrë vëmendjen e anëtarëve të organeve vendimmarrëse, ka qenë diskutimi lidhur me portalin “Aktivisti”, portal ky i denoncuar edhe në media nga opozita, me pretendimin se cenon të drejtën e privatësisë dhe lirinë e votës. Për këtë portal kanë nisur tashmë edhe kërkesat për informacion në institucionet ligjzbatuese.
• Problematike vijon ende të mbetet situata lidhur me zbatimin e detyrimeve të organeve publike për të raportuar në KQZ mbi veprimtaritë e tyre publike për periudhën 4 (katër) muaj përpara datës së zgjedhjeve deri në ditën e zgjedhjeve. Pavarësisht tërheqjes së vëmendjes nga ana e Komisionerit për raportime, një pjesë e këtyre institucioneve vijojnë ende të mos raportojnë në kohë.
• Ndërkaq, sikurse e përmendëm edhe më sipër, rezulton se vetëm për Partinë Demokratike nuk janë miratuar ende anëtarët e komisioneve të zonave të administrimit zgjedhor, kur KQZ ka vendosur tashmë ngritjen e Komisioneve të Zonave të Administrimit Zgjedhor (KZAZ) dhe ka njoftuar se mbledhjet e para të KZAZ-ve do të fillonin nga data 13.02.2023. KZAZ përbëhen nga 7 anëtarë (2 PS+1 PSD, 2 PD+1 PL, s dhe një anëtar i ndarë në 50% nga secila palë, PS ose PD). Kryetari dhe zëvendëskryetari i KZAZ-së zgjidhen nga KQZ-ja, me propozim të KZAZ-së, sipas formulës proporcionale, njëri nga PS dhe tjetri nga PD. Por, në kushtet aktuale, kur për Partinë Demokratike nuk janë miratuar ende anëtarët e KZAZ-ve, rezulton se këto të fundit nuk janë të plota.
Raporti i plote mund te lexohet ketu:
ISP – Raport Monitorimi mbi vendimmarrjet e KQZ janar-shkurt 2023 (UK)