Instituti i Studimeve Politike (ISP) me mbështetjen e Programit të Shoqërisë Civile për Shqipërinë dhe Kosovën, financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) në partneritet me Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim (PA) është duke realizuar projektin “Parlament i pastër: llogaridhënie dhe transparencë”. Periudha e zhvillimit të projektit është janar 2019 – prill 2020. Ky është raporti i katërt dhe i fundit i projektit dhe përmbledh periudhën janar-prill 2020.
GJETJET KRYESORE E REKOMANDIME TË RAPORTIT (IV)
1) Në vlerësimin e përgjithshëm të ecurisë së monitorimit të ISP (janar 2019-prill 2020) është arritur të krijohet bazamenti ligjor, procedural dhe etik i jetësimit integral të Kodit të Sjelljes dhe parandalimit të Konfliktit të Interesit. Për herë të parë deputetët u përballën me procese gjyqësore dhe masa disiplinore në zbatim të KI dhe KS, si dhe u jetësua Regjistri përkatës i deklarimit. Bilanci pozitiv është modest, por përbën një bazë të qëndrueshme dhe të referueshme për rritje të standardeve në të ardhmen.
2) Sesioni aktual parlamentar u dominua nga aktiviteti në gjendje të jashtëzakonshme (gjendje e fatkeqësisë natyrore dhjetor 2019-qershor 2020), sidomos nga situata e pandemisë Covid-19, duke aplikuar praktika të reja parlamentare. Kalimi i aktivitetit online dhe në respekt me distancën fizike u shoqërua me cenimin e standardeve të transparencës, konsultimit dhe llogaridhënies publike. Kjo praktikë do të duhet të shërbejë si shtysë për të krijuar protokolle të reja të ngjashme në situata të njëjta në të ardhmen, duke evituar natyrën eksperimentale dhe problematikat e konstatuara gjatë 2020.
3)Kuvendi, me gjithë situatën e jashtëzakonshme, është përpjekur të respektojë për aq sa ka qenë e mundur, parimet e Kodit të Sjelljes dhe të Konfliktit të Interesit, – një tregues se tashmë, mekanizmi i krijuar pranohet si standard dhe mund të vijojë të jetë pikë referimi përmes përmirësimeve cilësore në të ardhmen.
4) Gjatë periudhës janar-prill 2020 ka pasur vetëm një deklarim të ri në Regjistrin e Konfliktit të Interesit. Nuk ka pasur pretendime të tjera për rast të konfliktit të interesit bazuar nga ligjërimi parlamentar.
5) Ndryshimet në Rregulloren e Kuvendit (2019) kërkojnë që secili grup parlamentar të ketë rregulloren e funksionimit të tij. ISP ka asistuar grupet e reja dhe deputetët e interesuar për të përfshirë në këto rregullore të brendshme standarde etike parandaluese për gjendje të mundshme të Konfliktit të Interesit. Ky është një zhvillim pozitiv për parlamentin, për grupet dhe për problematikën e zbatimit integral të Kodit të Sjelljes.
6) Nga monitorimi i Kuvendit rezulton se sa herë ka debate të ashpra politike në Kuvend, deputetët dhe Kuvendi i shmangen rregullave etike të komunikimit dhe praktikave të përcaktuara në Rregulloren e Kuvendit. Disa raste flagrante të gjuhës fyese, denigruese, seksiste apo diskriminuese, të cilat në situata normale mund të ishin elementë penalizues sipas Kodit të Sjelljes, gjatë sesionit aktual u toleruan në emër të nevojës për t’u përqendruar tek axhenda dhe vendimmarrja finale parlamentare. Në të ardhmen praktika të tilla meritojnë shumë më tepër vëmendje dhe trajtim me standarde të njëjta.
7) Gjatë vitit 2020 vijon procesi gjyqësor për një rast të identifikuar nga ISP dhe ILDKPKI për gjendje në konflikt interesi dhe papajtueshmëri të mundshme të mandatit parlamentar. Ky është rasti i parë që përfundon në gjykatë, ndërkohë që Kuvendi, si palë në proces, do të duhej të kishte nisur procedura të verifikimit të brendshëm, praktikë të cilën ai nuk e ka ndjekur deri në prill 2020.
8). Gjithashtu gjatë 2019-2020 u evidentuan së paku dy raste të tjera: rasti kur ILDKPKI adresoi raportimet e ISP për konflikt interesi e papajtueshmëri mandati për një deputet, si dhe rasti i cenimit të dukshëm të praktikave etike në një emërim nga Kuvendi. Dy rastet iu përcollën nga ILDKPKI Kuvendit me kërkesën për të bërë një vlerësim të brendshëm të tij përmes strukturës së tij monitoruese. Deri në fundin e muajit prill 2020 Kuvendi nuk ka kthyer përgjigje për dy rastet, si dhe nuk ka provë se i ka trajtuar ato përmes strukturës së tij përgjegjëse. Shqetësimi i ngritur më parë nga ISP se strukturat administrative përgjegjëse në Kuvend nuk kanë fuqi të atillë sa të marrin në gjykim raste të konfliktit të interesit të deputetëve apo të vendimmarrjes së Kuvendit, u provua i drejtë në dy rastet e cituara më lart.
9) ISP realizoi në fundin e vitit 2019 një anketim me gratë deputete dhe më pas në mars 2020 u angazhua në një trajnim me to, ku një prej aspekteve ishin çështjet që kanë të bëjnë me Kodin e Sjelljes, standardet dhe praktikat e mira të përfaqësimit dhe të aktivitetit parlamentar. Të dhënat e anketimit treguan se në dallim nga detyrimet në Rregullore, një pjesë e deputetëve (sidomos deputetët e rinj) nuk kanë marrë trajnimet e nevojshme nga Kuvendi dhe nuk i njohin sa duhet përgjegjësitë që burojnë nga Rregullorja dhe Kodi i Sjelljes.
10) Monitorimi gjatë sesionit të fundit parlamentar (janar-prill 2020) tregoi se nuk ka pasur më deklarime të deputetëve në Regjistrin e Dhuratave dhe as në Regjistrin e deklarimit për pjesëmarrje në veprimtari të organizuara nga të tretë. Nëse për rastin e parë mungojnë informacionet dhe denoncimet për raste të dyshuara, në rastin e dytë praktika e deklarimit vijon të jetë e mangët, pasi nga monitorimi i aktivitetit të deputetëve janë evidentuar raste të shumta të pjesëmarrjes së deputetëve në aktivitete të të tretëve, të padeklaruara në Regjistër.
11) Gjatë periudhës janar-prill së paku një deputet u penalizua për sjellje jo etike në Kuvend, në zbatim të Kodit të Sjelljes. Dy raste të paralajmëruara në dhjetor 2019 nuk u trajtuan nga Kuvendi gjatë vitit 2020 ashtu siç ishte vepruar me raste të njëjta më parë.
12) Miratimi nga Kuvendi i disa akteve që lidhen me Aktet Normative të Këshillit të Ministave u krye pa verifikim të thelluar të rasteve të mundshme të konfliktit të interesit.
13) Praktika pozitive e bashkëpunimit me ILDKPKI gjatë 2019 tregoi se nëse ka vullnet pozitiv institucional, ekzistojnë garancitë ligjore për të përmbushur përgjegjësitë ligjore në rastet e konfliktit të interesit. Nëse në një rast të dyshuar ILDKPKI hetoi dhe mori masa penalizuese sipas ligjit, në një rast tjetër të dyshuar gjatë 2020 ILDKPKI ndoqi standard tjetër, – nuk bëri hetime, por ia përcolli dokumentacionin Kuvendit për të bërë vlerësimet e tij. Në mungesë të reagimit të Kuvendi, ILDKPKI gjithashtu nuk reagoi. Përvoja të tilla pozitive dhe kritike nxjerrin në pah nevojën e njësimit të standardeve të punës nga institucionet përgjegjëse për konfliktin e interesit , përfshirë ILDKPKI dhe Kuvendin.
14) Gjatë periudhës janar-prill 2020 ka pasur raste të pakta të deklarimeve e denoncime në media dhe publik për raste të mundshme të konflikit të interesit nga deputetët. Megjithatë edhe në këto raste Kuvendi nuk ndërmori akte verifikimi, si dhe nuk u respektua praktika sipas të cilës, në seancën më të parë deputeti duhet të sqarojë pozicionin e tij ndaj një akuze për konflikt të mundshëm interesi. Kuvendi si institucion, por edhe grupet parlamentare mund e duhet të jenë më të përfshira në zbatimin e detyrimeve të tilla që burojnë nga Kodi i Sjelljes dhe Rregullorja e Kuvendit.
Raporti i plotë mund të lexohet ose shkarkohet këtu:
ISP – RAPORTI IV MBI KONFLIKTIN E INTERESIT (JANAR-PRILL 2020) – FINAL 2020