Instituti i Studimeve Politike (ISP) me mbështetjen e Ambasadës së Zvicrës në Tiranë po monitoron Kuvendin dhe aktivitetin parlamentar në Shqipëri. Qëllimi i monitorimit është njohja, evidentimi dhe promovimi i bilancit parlamentar, rolit të parlamentit, standardeve të transparencës dhe të llogaridhënies, të përfaqësimit dhe të funksionit kushtetues të institucionit të Kuvendit. Projekti monitorues është vazhdim i monitorimit të mëparshëm të kryer nga ISP nga viti 2016, fillimisht me mbështetjen e FES (2016-2017) dhe më pas me mbështetjen e ambasadës së Holandës në Shqipëri (2017-2020).
Projekti aktual shtrihet deri në vitin 2023 dhe në funksion të tij është edhe platforma online www.deputetim.al ku janë të pasqyruara raportet tona të monitorimit, aktiviteti parlamentar, të dhënat për deputetët, treguesit e efikasitetit të tyre, fjalimet e mbajtura dhe të dhëna të tjera specifike. Database është në plotësim të vazhdueshëm me të dhëna të reja që dalin nga monitorimi.
Një prej risive të monitorimit të kryer nga ISP është përpjekja për të evidentuar nivelin e efektivitetit të deputetëve mbi bazë të kontributeve personale, mbi bazën e grupeve politike, mbi bazën e gjinisë dhe mbi bazën e përfaqësimit elektoral dhe përvojës parlamentare. Praktika e ndjekur prej vitesh njihet nga deputetët dhe bazohet në kriteret thelbësore të përgjegjësive të deputetëve: nismat ligjore, propozimet në formë të amendamenteve dhe nismave politike, pjesëmarrja dhe diskutimet në komisione dhe në seancat plenare, pjesëmarrja dhe votimi i akteve në parlament, ushtrimi i të drejtës për interpelanca dhe seanca pyetjesh, si dhe për pyetje të adresuara ndaj institucioneve, si dhe monitorimi i aktivitetit parlamentar bazuar në daljet në media të deputetëve dhe aktivitetit të tyre mediatik (publik). Deputetët marrin vlerësime negative në rastet e penalizimit disiplinor nga Kuvendi. Risi tjetër e këtij raporti është vlerësimi paraprak i monitorimit të funksionit kontrollues të Kuvendit në raport me institucionet e pavarura dhe ato të krijuara me ligj, si dhe reflektimi analitik i përbërjes parlamentare pas zgjedhjeve të 25 prillit.
Raporti i dytë do të jetë publik në fillim të gushtit 2022, si pasqyrim i punës së Kuvendit në sesionin e ardhshëm, janar-korrik 2022.
GJETJET KRYESORE TË RAPORTIT
Legjislatura e re parlamentare shënoi kthimin në normalitet të institucionit me pjesëmarrjen e të gjitha partive dhe grupeve në punimet e parlamentit. Ndikimet e disa zhvillimeve të brendshme në PD dhe votat në bllok të mazhorancës për çdo akt në shqyrtim, e dobësuan funksionalitetin dhe pluralitetin e Kuvendit, gjithsesi, legjislatura aktuale shfaqet më cilësore sesa në vitet 2019-2021.
Kuvendi, ndonëse shënoi disa elementë pozitiv progresi, ende nuk ka arritur të forcojë rolin kushtetues të kontrollit mbi pushtetin ekzekutiv, dhe ekziston perceptimi i gjerë se qeveria vijon të ketë ndikim dhe kontroll si në axhendën parlamentare ashtu edhe në vendimmarrjet e tij. Kryeministri votoi vetëm 59% të akteve të propozuara nga qeveria e tij në Kuvend.
Legjislatura e re solli ndryshime thelbësore në përbërjen e trupës drejtuese të Kuvendit (kryesi, komisione, sekretariate), harmoni më të madhe në përfaqësim midis deputetëve me eksperiencë dhe prurjeve të reja, si dhe një qasje më konsensuale të votimit të akteve të rëndësishme parlamentare (42% të akteve).
Qeveria vijon të ketë monopolin e nismave ligjvënëse (94%), 2 nisma për ndryshimin e Kushtetutës vijojnë të jenë në procedurë, ndërkohë që së paku 3 nisma serioze ligjore u iniciuan nga deputetët. Parlamenti i dha mbështetje nismës së opozitës për ngritjen e dy komisioneve hetimore, por refuzoi një nismë të tretë, ndërkohë që secili prej komisioneve nuk ka arritur ende të ketë produkt ligjor dhe institucional, për shkak të përpjekjeve destruktive të palëve brenda komisionit, si për të avancuar akuzat ashtu edhe për të penguar kryerjen e procesit hetimor.
Deputetët realizuan 3 interpelanca dhe 1 seancë pyetjesh, më shumë se 35 deputetë morën pjesë në debatet e dedikuara problematikave të zgjedhësve dhe më shumë se dy të tretat e deputetëve ishin pjesëmarrës në debatet aktive në komisione dhe në seanca plenare. Institucioni i interpelancës, i seancës së posaçme për pyetje dhe për zgjedhësit, etj, vijojnë të jenë të brishtë duke u dominuar nga retorika politike ditore.
Deputetët me nivelin më të lartë të efikasitetit në sesionin parlamentar ishin Jorida Tabaku (PD) dhe Erion Braçe (PS), ndërkohë që 18 deputetë nuk ishin aktiv në komisione dhe as në seanca plenare, duke mos lënë gjurmë të aktivitetit të tyre parlamentar. Në nivel grupesh, deputetët e PD patën koefiçientin më të lartë të efikasitetit (36%), ndjekur nga deputetët e LSI (34%) dhe më pas ata të PS (33%). Deputetët e PSD ishin grupi partiak me rekorde më negative, duke mos pasur asnjë diskutim në komisione dhe as në seanca plenare, si dhe duke mos përdorur asnjë prej mekanizmave ligjvënës e përfaqësues që ofron Kuvendi.
Gratë deputete ishin shumë më aktive sesa deputetët meshkuj (+3% në nivel krahasues në parlament), ato patën statistikisht 4 diskutime për deputete ndaj 3 diskutimeve për deputetët meshkuj. Nga ana tjetër, deputetët e vjetër ishin +7% më aktivë sesa deputetët e rinj, prurje nga zgjedhjet parlamentare të vitit 2021. Opozita dominoi me 52% të diskutimeve, por në kohë diskutimi mazhoranca ishte dominuese.
Ligjërimi politik parlamentar vijon të jetë i ngarkuar dhe i personalizuar, në disa raste edhe denigrues mbi bazë gjinore, moshore dhe politike, duke mbetur një pengesë serioze në qëllimin e Kuvendit për rritjen e besimit publik, të integritetit dhe të llogaridhënies.
Praktikimi i mbledhjeve të komisioneve online, ndonëse është i kushtëzuar dhe tenton të ofrojë akses më të madh publik, vijon të shfaqë vështirësi në jetësimin e transparencës dhe aksesit për median e publikun. Vonesa në publikimin e procesverbaleve dhe mangësitë në procesin e konsultimeve publike mbeten një shqetësim i vazhdueshëm.
Kuvendi ka shënuar progres në drejtim të rritjes së disa elementëve të transparencës, sidomos në aspektin statistikor. Një database e ofruar online nga Kuvendi me bilancin e akteve, votimeve, kohës së debatit, angazhimeve gjinore dhe politike, mbi natyrën e akteve dhe vendimmarrjet, etj, përbën një zhvillim pozitiv dhe plotëson një prej mangësive të legjislaturave të kaluara. Gjithashtu disa broshura dhe manuale informative mbi Kuvendin, rolin dhe aktivitetin e tij përbëjnë gjithashtu risi dhe kontribut pozitiv në drejtim të konceptit “parlament i hapur”.
REKOMANDIMET KRYESORE
Kuvendi duhet të investojë më shumë në rritjen e klimës së besimit politik midis mazhorancës dhe opozitës për prioritetet politike e legjislative të vendit, siç janë reforma zgjedhore, ndryshimet kushtetuese, zgjedhja e Presidentit të Republikës, reforma në drejtësi dhe kriteret e procesit të integrimit.
Kuvendi ka nevojë të trajtojë me prioritet ndryshime përmirësuese në Rregulloren e Kuvendit dhe në ligjin për statutin e deputetit, si dhe në aktet plotësuese rregullatore, në mënyrë që normat organizative dhe rregullimi i jetës parlamentare të përputhet me sfidat e sotme të parlamentit të një vendi kandidat për në BE, për më shumë transparencë, konsultim dhe llogaridhënie.
Kuvendi duhet të forcojë komponentin e kontrollit kushtetues mbi pushtetin ekzekutiv dhe institucionet e varësisë dhe ato të pavarura. Platforma institucionale duhet të jetë më e gjerë, më transparente dhe më aktive, në përputhje me rezolutat, por edhe sfidat e reja të institucioneve dhe të vendit.
Partitë politike dhe grupet parlamentare duhet të evitojnë sa është e mundur transferimin e konflikteve të tyre të brendshme në axhendën parlamentare, si dhe të përmirësojnë aktet e tyre të brendshme rregullatore, duke nxitur standarde më të larta etike, konkurrencë dhe cilësi në përfaqësimin parlamentar të deputetëve të tyre.
Kuvendi mund të aplikojë standarde më të larta transparence dhe konkurrence në shpalljen e vendeve vakante dhe në procesin e zgjedhjeve në institucione, duke aplikuar seanca dëgjimore, duke ofruar informacion cilësor mbi kandidatët, duke respektuar afatet ligjore dhe duke evituar rastet e vendeve vakante.
Komisionet e përhershme në Kuvend do të duhet të publikojnë raportet vjetore të aktivitetit të tyre, të cilat të jenë të disponueshme edhe për publikun, si dhe të kenë në themelin e tyre bilancin real të punës, problematikave, sfidave dhe përgjegjësive. Forcimi i komisioneve është në interes të Kuvendit dhe procesit legjislativ, transparenca dhe llogaridhënia e tyre është në interes të publikut, procesit ligjvënës dhe besimit publik tek parlamenti.
Kuvendi ka nevojë urgjente për një rikompozim dhe riorganizim të faqes online, duke krijuar një faqe më aktive, më të referueshme, më të plotë dhe më të ngjashme me modelet e mira të parlamenteve të vendeve anëtare në Bashkimin Europian.
Në seancat plenare dhe për rrjedhojë edhe në publikimin e procesverbaleve drejtuesi i seancës, në momentin që deklaron votimin, duhet të deklarojë me zë edhe rezultatin shifror të votimit, në mënyrë që rezultati të reflektohet në procesverbal dhe kështu, të plotësojë standardet e dokumentacionit zyrtar.
Kuvendi duhet të dëshmojë vëmendje më të madhe ndaj standardeve të Kodit të Etikës, përfshirë hetimin e rasteve të mundshme të konfliktit të interesit, marrjen e masave administrative në rastin e shkeljeve të etikës dhe gjuhës denigruese, jetësimin e regjistrave të deklarimit dhe hetimin e thelluar të çdo rasti të raportimit publik mbi shkelje të mundshme nga Kuvendi apo deputetët në aktivitetin e tyre parlamentar.
Raportin e plotë mund ta lexoni / shkarkoni këtu: