Institucionet e vettingut qëndrojnë në themel të pritshmërive dhe premtimeve për një sistem drejtësie funksional dhe më profesional. Çfarë ndodh kur vetë institucionet e drejtësisë si KPA apo institucione thelbësore, si ai i Presidentit, tolerojnë shkelje të Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi? Alibia se Shqipëria ishte në proces zgjedhor nuk vlen, pasi shteti funksionon edhe kur partitë konkurrojnë për vota. Fakt është: KPA, organi më i rëndësishëm i vettingut në drejtësi vijon të jetë prej muajsh pa anëtarësi të plotë. Fakt është gjithashtu se njëri prej anëtarëve të KPA është shkarkuar megjithatë vota/mendimi i tij ka qenë përcaktues në një numër të madh vendimmarrjes të KPA gjatë viteve 2017-2020.
Instituti i Studimeve Politike (ISP) monitoron vendimmarrjet e institucioneve të Presidentit, të qeverisë, të Kuvendit në funksion të reformës në drejtësi. në këtë kuadër, ISP rikujton se në datën 8 Mars 2021, Gjykata e Apelit kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), ka lënë në fuqi me forme të prere dënimin me 6 muaj burg për ish-anëtarin e Komisionit të Pavarur të Apelimit Z. Luan Daci. Këtij të fundit iu konvertua dënimi nga 6 muaj burg në shërbim prove për falsifikim dokumentesh.
Që nga data 8 Mars 2021, KPA funksionon me vetëm 6 anëtar për shkak të vakancës së krijuar nga vendimi i mësipërm i gjykatës dhe praktikat e ndjekura nga z. Daci figurojnë të pezulluara deri në paraqitjen e anëtarit të ri. Bazuar në Nenin 7 të Ligjit Nr.84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtareve dhe prokuroreve”, Presidenti i Republikës ka detyrimin ligjor të filloje me iniciativën e tij procedurat e shpalljes së vendit vakant në KPA, duke bashkëpunuar ngushtësisht me ONM për të pranuar, shqyrtuar dhe renditur kandidaturat, të cilat me pas i kalojnë për shqyrtim dhe miratim Kuvendit. Dispozita e mësipërme parashikon gjithashtu (për analogji me rastet e emërimeve fillestare dhe vakancave qe lindin gjatë aktivitetit të KPA) se në rast se Presidenti i Republikës nuk përfundon procesin brenda 45 ditëve nga datat në të cilën vendimi penal ka marrë formë të prere, kjo kompetencë i kalon Avokatit të Popullit.
Megjithëse kanë kaluar 68 ditë nga vakanca e krijuar me vendim të formës së prerë të Gjykatës se Apelit kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ISP konstaton se Presidenti i Republikës ka zgjedhur të heshtë në kundërshtim me detyrimet kushtetuese dhe ligjore. Pretendimet informale se Presidenti nuk është njohur ende zyrtarisht mbi përmbajtjen e këtij vendimi gjykate, përbëjnë një nonsens juridik, për aq kohë sa vetë këto vendime shpallen në mënyrë publike, pa qenë nevoja për sigurimin e tyre nëpërmjet procedurave ekstraligjore. Nga ana tjeter vetë KPA mund ta adresonte institucionalisht dhe publikisht problematikën e krijuar me vakancën e një prej anëtarëve të tij.
Në këto kushte ajo që konstatohet lehtësisht është mungesa e respektit institucional për parimet & përgjegjësitë kushtetuesen dhe aftësia jonë për të krijuar kriza e pengesa institucionale të panevojshme dhe me kosto për standardet e brishta të së drejtës dhe të demokracisë funksionale në Shqipëri. ISP apelon institucionin e Presidentit, KPA dhe institucionet e tjera të përfshira në procedurë, të bashkëveprojnë dhe të përmbushin në kohë dhe me cilësi detyrimet e tyre kushtetutese e ligjore.
ISP