Reforma në drejtësi është bazuar në premtimin për integritet, transparencë, llogaridhënie dhe qasje të re të institucioneve të drejtësisë dhe institucioneve të reja ndaj mandatit dhe përgjegjshmërisë publike. Në këtë kuadër, respektimi formal i mandateve kohore kushtetuese është abc-ja e këtij procesi dhe duhej të ndodhte automatikisht, pa asnjë pengesë. Pasi Kuvendi ndryshoi mandatet kushtetuese kohore të KPK dhe IKP duke shtuar nga dy vite të tjera, jemi në situatën kur Kuvendi ka shkelur të gjitha afatet ligjore dhe kushtetuese lidhur me përgjegjësinë për zgjedhjen e anëtarëve të rinj në KLGJ dhe KLP, ku përfshihen edhe dy drejtuesit aktual të këtyre institucioneve.
Kuvendi i Shqipërisë, në mbështetje të pikës 8, të nenit 149, të Kushtetutës dhe të pikës 16, të nenit 35, të ligjit nr. 115/2016, “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, duhet të zgjedh anëtarët e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë”. Mandati i tyre është 5 vjet. Referuar vendimit të fundit (2018) mandati ishte i vlefshëm deri në dhjetor 2023. Afati fundor citohet edhe në CV zyrtare të drejtuesve aktualë të KLP dhe KLGJ.
Aktualisht jemi në mesin e muajit prill 2024, pra 4 muaj pas skadimit të mandatit ligjor të drejtuesve aktualë dhe Kuvendi ende nuk ka avancuar procedurat parlamentare për zgjedhjen e anëtarëve të rinj të KLGJ dhe KLP, nga trupa e pedagogëve, nga avokatia dhe nga shoqëria civile. Për shembull, procedura e nisur në fundin e vitit të kaluar me aplikime dhe shqyrtim paraprak nga një Komision i Posaçëm dhe Avokati i Popullit mori shumë më tepër kohë sesa pritej, – procesi kaloi në ankimime dhe vendime gjyqësore dhe tashmë është depozituar lista e kandidatëve në Kuvend.
Shqetësimi më i madh nuk lidhet thjesht e vetëm me procedurat dhe afatet, por me mundësinë e ekzistencës së një skenari paraprak për të pamundësuar procedurat në afatet ligjore dhe kushtetuese dhe për pasojë, për zgjatjen e mandateve tek afatit kohor kushtetues. Një paralajmërim të tillë ISP e bëri në tetor 2023 tek Komisioni i Ligjeve në parlament, dhe ndonëse zyrtarët e komisionit e refuzuan, vetë koha rezultoi se paralajmërimi ishte i saktë.
Instituti i Studimeve Politike (ISP) apelon Kuvendin të respektojë afatet kushtetuese dhe praktikat e mira ligjore dhe vendimmarrëse në ushtrimin e funksionit të vet zgjedhor/emërtues. Kuvendi duhet të bëjë publike dokumentacionin dhe praktikën, të ketë kalendar prioritare lidhur me zyrtarët që duhet të zgjidhen nga Kuvendi dhe të ndahet nga praktikat e gabuara të lobimeve informale për zgjatje mandati të drejtuesve të institucioneve të pavarura ose të klimës penguese për zgjedhjen e tyre në kohë.