Bazuar në të dhënat zyrtare të konfirmuara në konventën e OKB-së për personat e zhdukur me forcë, rezulton se, “elementet e zhdukjes me forcë në Shqipëri evidentohen gjatë periudhës së diktaturës komuniste. Sipas të dhënave zyrtare, rezultojnë 5157 persona të zhdukur apo të ekzekutuar për motive politike, pa vendim gjykate, gjatë periudhës 30.11.1944 – 01.10.1991”.
Shqipëria e ka miratuar këtë konventë në vitin 2007 dhe ka marrë përsipër të garantojë nisjen e procesit të identifikimit të vendvarrimeve e më pas të nisjes së procesit të zhvarrimeve. Deri tani janë bërë hapa minimalë drejt zbatimit të kësaj konvente. Është ngritur Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit te Shtetit (AIDSSH), i cili në bashkëpunim me Komisionin Nërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP) dhe Institutin e Integrimit të Ish të Përndjekurve Politikë (IIPP) duhet të kryejë procesin e gjetjes, zhvarrimit dhe identifikimit të personave të zhdukur me forcë gjatë diktaturës komuniste. Procesi është në fazën e parë, të mbledhjes së dëshmive për vendvarrimet e të zhdukurve me forcë.
Deri në dhjetor 2020, janë 643 raste raportimi nga familjet e personave të zhdukur dhe burime të tjera, në lidhje me personat e zhdukur nga regjimi komunist prane IIPP, AIDSSH dhe ICMP. Në tetor 2016, një grup pune nga OKB vizitoi Shqipërinë për të verifikuar se si po zbatohen pikat e konventës nga pala shqiptare. Grupi i punës konstatoi me keqardhje se për shumicën e pikave nuk është bërë asnjë hap përpara. Ndër të tjera, konventa detyron qeverinë shqiptare t’i garantojë viktimave të zhdukjes zgjidhje efikase, përfshirë dhe një proces hetimor ‘ex officio’ të plotë dhe të paanshëm me synim identifikimin e atyre që pretendohet se janë përgjegjës për zhdukjet, si edhe vendosjen e sanksioneve të përshtatshme.
Lidhur me këtë pikë, grupi i punës pranë OKB-së konstatoi me shqetësim se gjatë kësaj kohe ka ndodhur e kundërta, pasi në administratën e lartë shtetërore gjenden persona, të cilët pretendohet se kanë qënë pjesë e procesit të zhdukjes me forcë gjatë diktaturës komuniste. Në raportin e grupit të punës konstatohet se prej momentit të ratifikimit të konventës nga Republika e Shqipërisë, nuk ka pasur asnjë rast që është hetuar apo gjykuar për krimin e zhdukjes me forcë.
Dokumentari i titulluar “Pesha e baltës” është i realizuar nga gazetarja e njohur Luljeta Progni dhe është i fokusuar pikërisht tek problematika e procesit të kërkimit dhe gjetjes së personave të zhdukur me forcë gjatë diktaturës komuniste.
Projekti “They are not lost anymore” realizohet nga ISP me mbeshtetjen e ICMP (Komisioni Nërkombëtar për Personat e Zhdukur).