Instituti i Studimeve Politike (ISP) në bashkëpunim me departamentin e drejtësisë në Universitetin “Ismail Qemali” në Vlorë, organizoi një debat publik me studentët, mbi problematikat e përdorimit të burimeve shtetërore në fushatat elektorale në Shqipëri. Aktiviteti u bë në kuadër të projektit “Për zgjedhje të ndershme: Të ndalojmë shpërdorimin e burimeve shtetërore”, i cili realizohet nga ISP me mbështetjen e Programit të USAID-it në Shqipëri (ACDC – Zhvillimi dhe Bashkëpunimi i Përshpejtuar i Shoqërisë Civile). Studentët u njohën me problematikat kryesore të praktikave të deritanishme shqiptare të përdorimit të burimeve shtetërore në fushatat elektorale, bazën ligjore dhe modelet perëndimore, si dhe sfidat me të cilat përballet aktualisht vendi në kuadër të zgjedhjeve lokale 2019.
ISP prezantoi gjetjet kryesore nga monitorimi i kryer në sjelljen e qeverisë qendrore dhe tri bashkitë, Vlorë, Durrës e Kamzës, ku rezulton se në tërësi ka tendencë të shpërdorimit të burimeve shtetërore në fushatë elektorale, përdorim të burimeve njerëzore dhe financiare shtetërore në funksion të fushatës, përdorim të siglave dhe logove partiake në funksion të fushatës, si dhe elementë abuzues në punimet para-elektorale, në investimet me sfond elektoral, në diskriminim politik të zonave apo në raste të shumta të përdorimit të administratës në funksion të agjendave partiake paraelektorale.
Prof. Ervin Karamuço, ekspert i zgjedhjeve dhe i të drejtës administrative, Dr. Erjon Hitaj, përgjegjës i departamentit dhe ekspertja e zgjedhjeve Silvana Jaupaj (ISP) solli përvoja dhe bëri vlerësime mbi problematika zgjedhore të keqpërdorimit të burimeve shtetërore në fushata elektorale, si dhe nxiti të rinjtë studentë të angazhohen në monitorimin aktiv të fushatave, partive, institucioneve përfaqësuese dhe në forcimin e kulturës së ligjit dhe në jetësimin e elementëve të munguar të demokracisë funksionale në Shqipëri. Studentët dhe ekspertët diskutuan më pas çështje konkrete lidhur me problematikat.