Instituti i Studimeve Politike (ISP) po kryen prej shtatorit 2019 e në vijim, monitorimin e aktivitetit të institucioneve të reja të drejtësisë, si dhe ligjërimit politik dhe publik në Shqipëri ndaj kësaj reforme. Angazhimi është pjesë e projektit të ISP “Sistemi i ri i drejtësisë: transparencë dhe përfshirje. Monitorim aktiv i KLGJ, KLP, KED, KKRD” mbështetur nga Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë, Programi i Reformës në Drejtësi.
Ligjërimi politik e publik mbi reformën në drejtësi mbetet aktual në debatet mes eksponentëve partiakë, institucioneve kombëtare dhe ndërkombëtare si dhe në nivel mediatik mes ekspertësh, opinionistësh, përfaqësues të shoqërisë civile etj. Reforma në drejtësi mbështetet nga institucionet ndërkombëtare perëndimore dhe deklaratat e nxjerra nga ky studim tregojnë përkujdesjen e veçantë të tyre ndaj reformës. Ajo mbetet një nga treguesit më cilësor të zhvillimit institucional dhe progresit demokratik të Shqipërisë. Reforma në drejtësi është përshëndetur nga ndërkombëtarët, jo vetëm si një sukses në nivel kombëtar, por edhe si një shembull për t’u aplikuar edhe në shumë shtete të tjera në zhvillim.
Në dallim nga periudha e mëparshme e monitorimit, në këtë stad, media ka bërë përpjekje për të trajtuar tema më profesionale në çështjet e reformës në drejtësi, sesa thjesht pasqyrimin e deklaratave dhe pozicioneve politike të aktorëve politikë. Për rrjedhojë, vihet re një qëndrim më i ekuilibruar dhe më me pak ndikime politike të mediave në raport me studimet e kaluara. Arsye për këtë është edhe përfshirja më e madhe dhe më e drejtpërdrejtë e subjekteve ndërkombëtare në mbështetje të reformës në drejtësi.
Partitë politike dhe liderët kryesorë politikë kanë zhvilluar një ligjërim të personalizuar dhe me kurbë në rritje mbi temën e reformës në drejtësi në muajt e marrë në studim. Tipar i ri i kësaj periudhe është përfshirja e drejtpërdrejtë dhe me tone kritike ndaj reformës në drejtësi e Presidentit të Republikës. Ky veprim përfshiu në debat përfaqësuesit e mazhorancës, opozitës dhe kryesisht përfaqësuesit ndërkombëtarë, të cilët kanë qenë vazhdimisht në mbështetje të reformës në drejtësi.
Mazhoranca vijon ta trajtojë reformën në drejtësi si premtim i saj politik dhe si rezultat i vendimmarrjeve të saj politike, duke refuzuar kritikat dhe duke identifikuar veten me reformën. Forma të tilla ligjërimi më shumë e dëmtojnë sesa e ndihmojnë procesin e jetësimit të reformës, pasi debate të tilla i japin asaj konotacion politik.
Partitë kryesore opozitare vijojnë të akuzojnë mazhorancën për kapje politike të procesit të vettingut dhe reformës në drejtësi, duke krijuar idenë se reforma nuk ka arritur pritshmëritë dhe as standardet e kërkuara. Pafuqia e opozitës për të bërë dallimin midis zhvillimeve pozitive dhe kritike në reformën në drejtësi ka krijuar perceptimin se ajo është kundër saj, gjë që dëmton besimin tek efektet afatgjata të reformës.
Të dhënat e monitorimit tregojnë në tërësi se edhe në këtë raport të katërt ka një mungesë të njohurive të thelluara të koncepteve bazë të reformës në drejtësi, të vettingut dhe të elementëve thelbësorë të reformës, nga një pjesë e subjekteve të monitoruara në këtë studim. Kjo gjë mbështetet edhe me aspektin e ri monitorues me gjetjen kryesore: mungesën e referimit të kuadrit ligjor në temën e reformës.
Faktori ndërkombëtar mban peshën më të rëndësishme në ligjërimin publik dhe politik mbi reformën në drejtësi, krahasuar me palët politike, shoqërinë civile, institucionet publike dhe deklaratat e ekspertëve.
Reforma në drejtësi si një proces reformues po ndikon, jo vetëm në procesin legjislativ dhe në gjyqësorin në tërësi, por gjithashtu në çdo sektor publik dhe veçanërisht tek kultura politike e shoqërisë shqiptare duke krijuar në të ardhmen institucione ku qytetarët mund të kenë më shumë besim. Rritja e besimit tek institucionet do të rrisë ndjeshëm besimin e njerëzve ndaj njeri tjetri duke ndikuar te zhvillimi i përgjithshëm i shoqërisë. Ndaj është e nevojshme që përtej interesave të ngushta e afatmesme, reforma në drejtësi duhet të vlerësohet si një objektiv i përbashkët kombëtar i të gjithë shoqërisë dhe institucioneve shqiptare.
Ligjërimi në nivel parlamentar në këtë periudhë të monitorimit nuk kishte hapësirë për debate dhe kundërshti të shumta, si arsye se opozita ka djegur mandatet parlamentare. Mandatet e reja të opozitës kanë pasur një qasje kritike jo konstante nga mazhorancës në kuadër të ligjërimit mbi temën e reformës në drejtësi. Subjektet ndërkombëtare vazhdojnë edhe në këtë periudhë monitoruese të insistojnë në vijimësinë e reformës dhe rëndësinë e mbylljes së procesit sa më shpejt të jetë e mundur, duke u përfshirë në takime në politikanë të kaheve të ndryshme dhe drejtuese të institucioneve publike për të përforcuar dialogun në funksion të vijimësisë së reformës në drejtësi. Në këtë periudhë ekspertët e drejtësisë, studiues dhe përfaqësues të shoqërisë civile janë përfshirë më shumë në procesin ligjërues, kryesisht si arsye e vijimësisë së zgjedhjes së drejtuesve në institucionet e reja të drejtësisë kryesisht në periudhën shtator – nëntor 2019.
Raporti i detajuar me analizë, të dhëna krahasimore, gjetjet kryesore dhe rekomandime mund të lexohet këtu:
ISP – LIGJËRIMI POLITIK E PUBLIK MBI REFORMËN NË DREJTËSI – 2020