Në zgjedhjet vendore të 14 majit kandidati i subjektit “Bashkë Fitojmë” z. Dhionisios (Alfred) Petro Beleri fitoi zgjedhjet për kryetar në bashkinë Himarë. Kandidati ishte arrestuar më 12 maj, i akuzuar për “korrupsion aktiv në zgjedhje”. Ky është rasti i veçantë, po jo i vetëm kur një kandidat në gjendje ligjore burgimi dhe pamundësie për të votuar fiton garën zgjedhore dhe merr mandatin e dhënë nga zgjedhësit. Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2001 një kandidat për deputet në gjendje arresti arriti të fitojë mandatin dhe Gjykata e Lartë i dha të drejtën e ushtrimit të funksionit në parlament. Vendimi erdhi pas konfirmimit të mandatit nga Komisioni i Mandateve në Kuvend, ndërkohë që në rastin e fundit, KQZ me vendim nr. 611, datë 25.5.2023 ka konfirmuar zyrtarisht dhënien e mandatit të Kryetarit të Bashkisë Himarë, Qarku Vlorë, z. Dhionisios (Alfred) Petro Beleri.
Instituti i Studimeve Politike (ISP), në pozitën e organizatës që monitoron standardet e integritetit të zgjedhjeve, të kandidatëve dhe rekordet e dekriminalizimit, si dhe progresin e Shqipërisë në raport me kushtet e BE-së dhe të Bundestag-ut vlerëson se:
- Kandidati Beleri nuk plotësonte kushtet e integritetit të shpallura nga vetë aktet e brendshme rregullatore të subjekteve politike mbështetëse për të qenë kandidat për kryetar bashkie
- Kandidati Beleri, në zgjedhjet e vitit 2019, u refuzua për kandidim nga KQZ dhe Kolegji Zgjedhor, mbi bazën e të dhënave kritike lidhur me rekordet e dekriminalizimit
Krahas këtyre vlerësimeve, Instituti i Studimeve Politike mban shënim dhe respekton faktin se KQZ aktuale e legjitimoi kandidimin, procesin zgjedhor dhe rezultatin e zgjedhjeve, duke respektuar votën e shumicës së votuesve të bashkisë Himarë. Kushtetuta e RSH sanksionon parimin se “populli e ushtron sovranitetin nëpërmjet përfaqësuesve të tij ose drejtpërsëdrejti” dhe se “qeverisja bazohet në një sistem zgjedhjesh të lira, të barabarta, të përgjithshme e periodike”. Qytetarët e Himarës e kanë ushtruar sovranitetin dhe qeverisja në atë bashki duhet të reflektojë parimin kushtetues të zgjedhjeve.
Në konkluzion të monitorimit të procesit të nisur më 12 maj, Instituti i Studimeve Politike (ISP) vlerëson se:
- Operacioni special që çoi në arrestimin e kandidatit Beleri ishte në disproporcion me akuzën dhe në kontrast të thellë me akte të tjera të Policisë dhe Prokurorisë për raste të njëjta flagrante të kandidatëve apo individëve, sidomos atyre me mbështetje politike të partisë në pushtet;
- Pamundësia e kandidatit për të marrë pjesë në ditën e votimit ishte gjithashtu masë disproporcionale dhe me bazë të dobët legjitimiteti ligjor dhe administrativ;
- Refuzimi i kërkesave apeluese të kandidatit fitues të bashkisë Himarë për të ushtruar funksionet në kushte të tjera alternative ligjore deri në hetimin dhe gjykimin e plotë të rastit, përbën gjithashtu praktikë të sforcuar ligjore dhe të dyshueshëm si të motivuar nga motive jo ligjore, kryesisht presione dhe interesa politike dhe ekonomike.
Në këto rrethana dhe bazuar në faktin se KQZ ka njohur mandatin, për të cilin edhe në kushtet e akuzës dhe ndalimit nga organet e drejtësisë kanë votuar shumica e qytetarëve zgjedhës në bashkinë Himarë më 14 maj:
- Instituti i Studimeve Politike (ISP) apelon tek organet përgjegjëse ligjzbatuese të lejojnë kryerjen e betimit dhe fillimin e ushtrimit të detyrës së kryetarit të ri të bashkisë Himarë, si dhe të vijojnë paralelisht hetimin shterues për akuzën e ngritur.
ISP ka bindjen se në asnjë rrethanë dhe për asnjë motiv administrativ nuk mund të drejtohet më tej një bashki nga një kryetar që ka humbur zgjedhjet dhe as nuk mund të ndalohet një kryetar bashkie fitues të ushtrojë sovranitetin e fituar përmes votës së fshehtë. Praktika e ndjekur nga Gjykata e Lartë më 2001 për rastin e mandatit të deputetit, i cili akuzohej për një vepër shumëfish më të rëndë penale, vlen si rast referues edhe në vlerësimin e rastit të tanishëm në lidhje me mandatin e kryetarit të bashkisë. Parimet kushtetuese dhe normat ndërkombëtare të pranuara nga Shqipëria janë shumë më të rëndësishme sesa aktet administrative dhe praktikat e brishta ligjore dhe administrative të ndërmarrë për motive ligjore ose politike nga organe të posaçme ligjzbatuese.
Instituti i Studimeve Politike (ISP)