Detyrimi ligjor: Kodi Zgjedhor, neni 167/1, i jep të drejtën KQZ të kërkojë informacion të rregullt organeve të policisë dhe të prokurorisë për hetimin e veprave penale në fushën e zgjedhjeve. KQZ është e detyruar që të mbajë, përditësojë dhe publikojë statistikë të rregullt për hetimet penale.
Problemi: Organet e drejtësisë kanë bërë disa deklarime në media lidhur me rastet nën hetim, ndërkohë që ka pasur një numër të madh denoncimesh nga subjektet zgjedhore. KQZ ende nuk ka një database të plotë të të gjitha rasteve, përfshirë rastet e pretendimeve ndaj personelit të administrimit zgjedhor.
Zgjidhja? Paralelisht me vijimin e hetimeve nga Prokuroria KQZ duhet të ketë një database të saktë dhe të plotë të gjitha rasteve të hetimeve për vepra penale që lidhen me zgjedhjet, sidomos ato lidhur me strukturën e administrimit zgjedhor dhe me organet shtetërore dhe publike.
Instituti i Studimeve Politike (ISP) është duke monitoruar KQZ dhe fushatën elektorale, si pjesë të angazhimit në projektin “Monitoring the 2021 Parliamentary Elections in Albania” mbështetur financiarisht nga qeveria e Mbretërisë së Bashkuar përmes ambasadës britanike në Tiranë.