Ky studim i përgatitur nga Prof. Ilir Kalemaj, ekspert i kontraktuar nga ISP, ka për qëllim një vështrim krahasues mes legjislacionit dhe rregulloreve të Shqipërisë në raport me ato të vendeve të BE-së dhe Mbretërisë së Bashkuar, si disa nga vendet pararojë në drejtim të ligjeve dhe rregulloreve, të cilat shërbejnë dhe si praktikat më të mira për vende si Shqipëria. Siç theksohet në raport, kërcënimet kryesore në vendet evropiane për momentin ngelen ato që vijnë nga sulmet direkte dhe indirekte nga vendet e treta, të cilat synojnë destabilizim shoqëror përmes cënimit të integritetin zgjedhor, duke kërcënuar kësisoj edhe besueshmërinë e vet procesit demokratik dhe në institucionet shtetërore. Në Shqipëri kërcënimet kryesore për momentin janë ato që vijnë nga binomi krim-politik, financimi jo transparent i partive politike dhe korrupsioni të cilat çojnë në zgjedhje të kontestuara dhe ndikojnë në vijëmësinë e demokracisë hibride.
Ndonëse për momentin kërcënimet nga aktorë të huaj malinj nuk shtrihen specifikisht në kërcënimin e integritetit zgjedhor ose të ketë shenja të qarta të financimit të partive politike, përtej retorikës akuzuese të partive mes vedi, kjo nuk duhet injoruar si një kërcënim i mundshëm. Ndaj dhe së fundmi është kërkuar në parlament ngritja e një komisioni të posacëm parlamentar për të hetuar mbi ndërhyrjet e jashtme në proceset demokratike të vendit.
Rastet e tjera në Ballkanin Perëndimor, ku më flagranti është ai në Mal të Zi, nuk na bëjnë imunë ndaj këtyre kërcënimeve në një të ardhme të afërt. Ndërkohë sulmet kibernetike të orkestruara nga aparati shtetëror iranian, ndonëse jo të lidhura drejtëpërsëdrejti me zgjedhjet, janë një këmbanë alarmi në këtë drejtim. Aq më tepër që në zgjedhjet lokale të 14 majit u eksperimentua për herë të parë në tre bashki me votimin elektronik, çka e bën edhe më vulnerabël sistemin tonë zgjedhor ndaj sulmeve të jashtme.
Ndër rekomandimet që ofrojmë në përfundim të këtij studimi, mund të rendisim:
- Partitë politike në Shqipëri duhet të zhvillojnë rregulla, procese dhe struktura të brendshme efektive për të mbrojtur demokracinë e brendshme, gjë që do të rriste më tej përgjegjshmërinë dhe transparencën e tyre në lidhje me financat e tyre, shpenzimet e tyre, përfaqësimin e tyre, qëllimet e tyre politike dhe sjelljen e tyre dikur në fuqi.
- Në lidhje me financimin e partive politike, Shqipëria e ka rregulluar atë nëpërmjet Ligjit për Partitë Politike Nr. 8580 të vitit 2000 si dhe përciptas përmes dispozitave përkatës në Kodin Zgjedhor. Por një ligj i vecantë për financimin e partive politike ende nuk është miratuar. Në vitin 2020 ka pasur një projektligj për financimin e partive politike, por ende nuk është miratuar me konsensus.
- Ndryshimet në Kodin Zgjedhor duhet të bëhen në përputhje me praktikat më të mira të rregullimit të financimit politik të të dyja partive dhe fushatave zgjedhore. Për më tepër, partitë politike duhet të kenë mekanizma të auditimit të brendshëm dhe të jashtëm për të garantuar transparencë dhe llogaridhënie. Fokusi kryesor duhet të jetë në zbatimin e legjislacionit. Aktualisht partitë duhet të dorëzojnë raporte financiare që kanë kaluar filtrin e auditimit të jashtëm për fushatat e tyre elektorale dhe shumica gjobiten në mënyrë modeste kur nuk e bëjnë atë në kohë ose i dorëzojnë të paplota. Por problemi kryesor janë financat e errëta që ndonjëherë janë dhjetë herë më shumë se ato të deklaruara dhe asnjë auditim i brendshëm apo i jashtëm nuk e ka shfaqur diferencën.
- Nga ana tjetër, është e rëndësishme që rregullore të mëtejshme duhet të bëhen dhe të zbatohen për të adresuar mosndëshkimin nga partitë politike dhe politikanët që shkelin rregullat dhe etikën financiare. Në përputhje me këtë rekomandim, mund të krijohet Komisioni i Pavarur i Etikës. Duket qartë se kjo kompetencë e dhënë aktualisht KQZ-së, nuk ka funksionuar në praktikë dhe ka nevojë për pavarësi kompetencash dhe efektshmëri më të lartë.
- Palët duhet gjithashtu të zhvillojnë mekanizma për të kundërshtuar ndikimin e padrejtë. Ata duhet të sigurojnë mbrojtje kundër ndikimeve të huaja dhe të mbrohen nga fushatat e dezinformimit të organizuara nga palë të treta keqdashëse. Nëse këto mekanizma do të adoptoheshin dhe zbatoheshin nga partitë politike në Shqipëri, kjo do të rriste transparencën dhe llogaridhënien dhe do ta bënte konkurrencën më të drejtë. Nga ana tjetër, vetë procesi i demokratizimit do të përfitonte dhe Shqipëria do të përmbushte më shpejt tranzicionin e saj.
- Mekanizma të tillë duhet të shoqërohen me forcimin e pavarësisë së organizatave të shoqërisë civile dhe mediave, në mënyrë që të rrisin presionin dhe ndikimin mbi partitë politike, si dhe të rrisin ndërgjegjësimin e publikut dhe angazhimin me partitë politike. Kjo nga ana tjetër mund të forcojë demokracinë dhe shtetin e së drejtës dhe ta bëjë Shqipërinë më imune ndaj ndikimeve të palëve të treta dhe kërcënimeve të brendshme dhe të jashtme.
Materialin e plotë mund ta lexoni online ose shkarkoni këtu:
ISP – Mbi integritetin zgjedhor, kandidateve – Shqiperia dhe modele referuese
Kjo broshurë informuese realizohet në kuadër të projektit “Fuqizimi i integritetit të zgjedhjeve dhe i qëndrueshmerisë së partive politike”, loti “Forcimi i rolit monitorues dhe kërkesës së llogarisë nga qytetarët nëpërmjet shoqërisë civile, medias dhe mbështetjes akademike”, zbatuar nga Komiteti i Helsinkit (KSHH) në partneritet me Institutin e Studimeve Politike (ISP), BIRN Albania dhe Qëndresa Qytetare (QQ), mbështetur financiarisht nga Ambasada Britanike.