Dy komisionet e posaçme parlamentare, Komisioni “Për thellimin e reformave për mirëqeverisjen, sundimin e ligjit dhe antikorrupsionin për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Evropian”, si dhe Komisioni “Për të koordinuar dhe mbikëqyrur të gjitha veprimet institucionale për të luftuar deziformimin dhe format e tjera të ndërhyrjes së huaj në proceset demokratike të vendit” kanë adresuar thirrje publike për organizatat e shoqërisë civile, përfshirë edhe Institutin e Studimeve Politike (ISP) për bashkëpunim në formën e pjesëmarrjes në grupet teknike të komisioneve dhe në fazat e ndryshme të diskutimeve dhe funksionimit të tyre.
Gjatë periudhës së diskutimit për ngritjen e Komisioneve ISP ka pasur qëndrime parimore për dy komisionet,
a) mbështetës parimor i nevojës për rregullimet ligjore në fushën e dezinformimit që lidhen me standardet dhe sfidat e një vendi anëtar në NATO në raport me sigurinë dhe ndikimet e aktorëve të tretë,
b) mbështetës i nevojës që çdo vendimmarrje parlamentare të jetë gjithëpërfshirëse dhe profesionale, që nuk synon as cenon integritetin e institucioneve të pavarura, parimet e shtetit të së drejtës dhe lirinë e medias/shprehjes.
c) mbështetës i nevojës për një parlament sa më funksional dhe transparent, që nuk keqpërdoret nga agjendat politike e elektorale afatshkurtra, dhe që përmbush me integritet funksionet klasike kushtetuese.
Instituti i Studimeve Politike (ISP) i është përgjigjur zyrtarisht me datë 1 korrik 2024 ftesës nga dy komisionet, duke theksuar se “ISP i mbetet besnik vlerësimit se detyra klasike e organizatave të shoqërisë civile nuk është atashimi me ekspertë dhe asistenca pranë komisioneve parlamentare, por monitorimi, shprehja e opinioneve, reagimi me vlerësim e sugjerime në rast kërkese, si dhe adresimi i interesit publik ndaj rasteve të vendimmarrjes në emër të tij. Për këto arsye thelbësore dhe parimore ISP nuk mund të jetë pjesë e asnjë strukture politike, administrative apo teknike në kuadër të Komisioneve të Posaçme dhe as të Kuvendit, por si edhe në të kaluarën, do të jetë i gatshëm të shpreh opinionet e veta nëse ato kërkohen nga Komisionet lidhur me draftet e vendimmarrjes dhe produktet e mundshme ligjore të tyre, si dhe do të vijojë të monitorojë nga afër ecurinë e Komisioneve, të Kuvendit dhe të aktivitetit parlamentar 2024-2025”.
Ndërkohë ISP ka shprehur disa vlerësime paraprake mbi komisionet, sidomos mbi Komisionin “Për thellimin e reformave për mirëqeverisjen, sundimin e ligjit dhe antikorrupsionin për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Evropian”.
I. Komisioni antikorrupsion mbivendoset mbi komisionet e tjera parlamentare, përfshirë Komisionin për Çështjet e Integrimit Europian, si dhe krijon një strukturë, të cilën sipas Rregullores, deri tani e kishte vetëm Konferenca e Kryetarëve (përbërje me kryetarë dhe nënkryetarë komisionesh), – një eksperiment që nuk gjendet në traditat e mira parlamentare. Mbivendosja dobëson komisionet e tjera, dublon produktet dhe stafet, si dhe në rastin e institucioneve të pavarura, përcjell mesazhin e gabuar të kontrollit dhe llogaridhënies përpara një strukture Ad-Hoc që nuk ka përgjegjësi dhe qëndrueshmëri afatgjatë parlamentare.
II. Dy komisionet ende nuk janë formatuar qartësisht në përbërje (merr pjesë vetëm njëra palë politike), nuk kanë ende metodologji të qartë dhe as kalendar të përcaktuar, nga diskutimet e deritanishme nuk ka ende qasje të qartë dhe të unifikuar mbi hapat që do të ndiqen dhe aktorët e përfshirë, si dhe konsultimet e para, ndonëse pozitive, ende nuk i kanë dhënë përgjigje synimit, garancive, fushëveprimit dhe produktit të pritshëm të tyre.
III. Dy palët politike i kanë dhënë komisioneve qasje të theksuar politike. Komisionet drejtohen nga politikanë të profilit të lartë politik të PS-së, të njohur ndër vite për retorikën e dukshme partiake në aktivitetin dhe vendimmarrjet e tyre parlamentare dhe politike. Emërimi i tyre është e drejtë e parlamentit dhe mazhorancës, por edhe jep mesazh kritik ndaj nevojës dhe pritshmërive për qasje konsensuale dhe konstruktive parlamentare. Vendimi aktual i opozitës për mospjesëmarrje është i gabuar, sepse në thelbin e tij përbën devijim nga përgjegjësitë e saj parlamentare, dobëson konceptin e kontrollit dhe përfaqësimit proporcional parlamentar, si dhe thellon natyrën identifikuese politike të komisioneve. Po ashtu, mungesa e qëndrimit alternativ/konstruktiv të opozitës, e dobëson legjitimitetin e komisioneve. Nëse parlamenti nuk bashkëpunon në reformat e mëdha, përfshirë reformën në drejtësi, reformat institucionale të sigurisë dhe atë zgjedhore, bazat e parlamentarizmit mbeten të brishta dhe produktet gjithashtu gjysmake.
Instituti i Studimeve Politike (ISP) do të vijojë të monitorojë nga afër ecurinë e Komisionit dhe të aktivitetit tjetër parlamentar 2024-2025.