Shqipëria ka 30 vite përvojë me zgjedhjet shumëpartiake, por ende debati për zgjedhjet, integritetin dhe legjitimitetin e produktit të tyre vijon të jetë tema kryesore politike. Në prill 2021 zhvillohen zgjedhjet parlamentare të rradhës. Mbajtja e zgjedhjeve të lira, të ndershme, konkurruese dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare është një kriter për Shqipërinë në raport me ecurinë e procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Në funksion të zgjedhjeve të vitit 2021 u ndryshua Kushtetuta dhe Kodi Zgjedhor, madje ky i fundit, dy herë brenda 4 muajsh. Ndryshimet përfshijnë formulën e përkthimit të votave në mandate, mënyrën e hartimit të listës së kandidatëve, formulën e koalicioneve parazgjedhore, përdorimin e teknologjisë në zgjedhje, pragun elektoral dhe administrimin elektoral nga KQZ. Elementë të tjerë të rinj janë ndryshimet për kuotat gjinore, forcimi i legjislacionit penal, një sistem i ri monitorimi për donacionet dhe përdorimin e burimeve shtetërore në fushatën elektorale, kufizime për reklamat televizive, mundësia ligjore e pjesëmarrjes së diasporës në votime, etj. Ndryshe nga shumica e reformave zgjedhore në Shqipëri, reforma e vitit 2020 nisi konsensuale dhe përfundoi e njëanshme, me ndryshimin e Kushtetutës në periudhën e COVID-19.
Në funksion të informimit të qytetarëve për ndryshimet e reja ligjore, për përvojën zgjedhore 1991-2020, për formulat e përdorura në zgjedhjet parlamentare e lokale, për sistemet zgjedhore dhe pragun zgjedhor, për raportet e Kushtetutës për zgjedhjet dhe për çështjet raportin tonë me zgjedhjet dhe legjitimitetin e tyre, etj, Instituti i Studimeve Politike (ISP) ka përgatitur një broshurë informative. Në Broshurë jepen elementët më të rëndësishëm që lidhen me zgjedhjet dhe proceset elektorale në Shqipëri 1991-2019 dhe pritshmëritë për 2020, si dhe ka shembuj krahasimorë me katër modele të tjera evropiane, (Hollanda, Kroacia, Sllovenia dhe Estonia). Broshura rendit dhe vlerësimet fundore të misioneve të OSBE/ODIHR mbi zgjedhjet në Shqipëri si dhe rekomandimet e tyre në dy zgjedhjet e fundit, 2017 (parlamentare) dhe 2019 (lokale).
Broshura është pjesë e kontributit të ISP në projektin “Unë marr pjesë! Zëri im, vota ime vlen”, i cili po realizohet nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KSHH) në bashkëpunim me Civil Rights Defenders (CDR) dhe ISP, me mbështetjen financiare nga Bashkimi Europian.
Kopje të broshurës do të jepen falas për pjesëmarrësit në aktivitetet e ISP dhe organizatave partnere në projekt që do të zhvillohen në disa rrethe, si dhe për median dhe shoqërinë civile, të interesuar dhe të angazhuar në çështjet zgjedhore.
Broshura e plotë mund të lexohet & shkarkohet këtu: