Gjatë vitit 2018 – 2019 Instituti i Studimeve Politike (ISP) me mbështetjen e Lëviz Albania në kuadër të projektit “Bashkitë e qarkut Tiranë: transparenca, qeverisja qytetare dhe llogaridhënia” u angazhuar në disa aktivitete të rëndësishme që lidhen me standardet e transparencës dhe qeverisjes qytetare në secilën prej pesë bashkive të qarkut Tiranë.
ISP realizoi vlerësimin paraprak të gjendjes së akteve ligjore dhe administrative që lidhen me transparencën si dhe zhvilloi tryeza pune dhe fokus grupe në secilën prej pesë bashkive dhe në universitete publike e private.
ISP realizoi të parin anketim të qytetarëve të pesë bashkive mbi standardet e transparencës, vlerësimet e tyre mbi strukturat drejtuese lokale, preferencat e tyre mbi rritjen e llogaridhënies dhe pjesëmarrjes, si dhe vlerësimet konkrete mbi shërbimet sociale që ofrohen nga pushteti vendor. Në këtë botim është pasqyruar raporti i detajuar i anketimit, i gjetjeve dhe konkluzioneve.
ISP realizoi të parin vlerësim edhe për aktivitetin e këshilltarëve dhe të këshillave bashkiakë në pesë bashkitë e qarkut Tiranë, lidhur me angazhimin e tyre në komunikimet publike e mediatike, – gjetjet e të cilit në raport krahasimor midis viteve 2018 dhe 2019 gjenden në vijim në pjesën e dytë të këtij botimi.
ISP realizoi edhe studime të tjera pjesore që lidhen me standardet e jetësimit të programit të konsultimit publik nga bashkitë e qarkut Tiranë, ecurinë e shërbimeve publike në dy prej shërbimeve, një shërbim bazë të pushtetit vendor dhe një shërbim të përfituar nga reforma e re territoriale, etj, materiale që gjenden online në faqen zyrtare të Institutit.
ISP realizoi edhe një numër të madh debatesh publike në universitete, stacione televizive, media të ndryshme, etj, në funksion të sensibilizimit të standardeve të transparencës, pjesëmarrjes, llogaridhënies dhe konsultimeve publike, – përmbledhja e të cilave gjendet në faqen online të ISP dhe në profilet e tij në rrjetet e ndryshme sociale, kryesisht facebook, instagram dhe twitter.
Bashkëngjitur ISP prezanton në botim print dy prej materialeve kryesore të projektit, anketimin me qytetarët e pesë bashkive dhe vlerësimin e raportit të këshilltarëve me komunikimet publike. Botimi dokumenton gjetje me rëndësi për pushtetin vendor në ecilën bashki dhe për qytetarët e pesë bashkive, por edhe një material referimi profesional për të gjitha institucionet e qeverisjes vendore dhe ato qendrore që kanë raporte e detyrime me nivelet vendore. Raporti u shërben këshillave bashkiakë të rinj dhe aktorëve politikë konkurrues në zgjedhjet lokale, strukturave të reja që dalin nga zgjedhjet lokale 2019 dhe të gjithë aktorëve të tjerë që kanë në fokus qeverisjen vendore, mirëqeverisjen, transparencën, llogaridhënien dhe standardet e informimit publik.
Raportet janë paraqitur me stafet përgjegjëse realizuese dhe me përmbajtjet e tyre të integruara, në mënyrë që të krijojnë pamjen e plotë të qëllimit, metodologjisë, stafit realizues, gjetjeve dhe rekomandimeve sipas tematikave që ato paraqesin.
ISP falënderon qytetarët që iu përgjigjën pozitivisht anketimit, stafin realizues, Lëviz Albania për mbështetjen, bashkive për bashkëpunimin, grupeve komunitare në secilën bashki për pjesëmarrjen dhe interesin, medias për pasqyrimin e gjetjeve dhe partnerëve tanë për sugjerimet.
ANKETIMI DHE RAPORTI I PLOTË PËR KËSHILLTARËT GJENDET NË LINKUN MË POSHTË: