Të gjitha partitë në çdo proces zgjedhor premtojnë gjelbërim, kopësht e parqe lojrash për fëmijë, vende të gjelbëruara për shëtitje e ajrosje, si dhe nisin fushata masive për mbjellje pemësh. Gjatë 2011-2019 nga dy palët politike (2011-2013 PD dhe 2013-2019 PS) janë premtuar mbjellja në total rreth 4.7 milionë pemë të reja vetëm në Tiranë, madje është thënë se tashmë janë mbjellur 2.5 milionë! Imagjinoni sikur partitë, qeveritë dhe kryetarët e bashkive të kishin mbajtur premtimin! Me 4.7 milionë pemë në Tiranë nuk do të kishim pallate por pyje e lulishte masive, – në fakt, kemi të kundërtën, – nuk ka pyje dhe as lulishte, por pallate dhe gradacela masive!
Më poshtë është statistika e sipërfaqes së ndërtimit në vitet e fundit, të hartuara nga Instituti i Studimeve Politike sipas të dhënave të mbledhura nga INSTAT. Përfundimi? Kurba rritet e rritet pafund dhe 12 bashkitë më me shumë sipërfaqe ndërtimi nuk përputhen me 12 bashkitë prioritare dhe më me kontribut në zhvillimin ekonomik të vendit.
Pesë janë shqetësimet në këtë rast: së pari, cili është problemi kryesor i shqiptarëve sot, ndërtimet e reja, qendrat e reja tregtare, gradacelat e reja apo puna, shëndeti, shkollimi dhe shteti i së drejtës? Së dyti, nga vijnë financimet për investime të tilla në rritje galoponte? Nga kursimet e prindërve, nga pensionet, nga rrogat apo (edhe) nga burime informale financimi, duke përdorur ndërtimin si mekanizëm të legalizimit të parave të papastra? Si është e mundur që në vendin me valën më të madhe të emigrantëve që braktisin vendin, ka boom ndërtimesh dhe investimesh në gradaçela e qendra tregtare? Së treti, çdo kandidat për kryetar bashkie e çdo kandidat për kryeministër ka premtuar të vendosë moratorium 1-2 vjeçar për lejet e ndërtimit dhe pas ardhjes në pushtet, ata kanë harruar premtimet duke bërë të kundërtën. Ironia është se edhe kryetarët e bashkive që u “zgjodhën” më 2019 brenda më pak se një viti kanë lënë gjurmë rekordesh në dhënien e lejeve të ndërtimit, përfshirë bashki ku nuk ka kryetar si Durrësi apo Vora!! Së katërti, Shqipëria më 2019 pati një tërmet me pasoja tragjike në jetë, siguri dhe materiale, më 2020 u ndesh me COVID pasojat e të cilës vijojnë, e megjithatë në vend që fokusi shtetëror e shoqëror të jetë në prioritetet afatgjatë dhe të zhvillimit të qëndrueshëm, të dhëna të tilla nga INSTAT tregojnë se ato janë shumë më të ndryshme nga pritshmëritë qytetare.
Së fundi, vetëm një pakicë biznesmenësh të ndërtimit kanë përvojë rreth dy dekada, kanë teknologji dhe kanë biznes të qëndrueshëm, kurse pjesa më e madhe e tyre janë rritur përmes lidhjeve informale politike, duke qenë financuesit kryesorë të partive politike, të medias, të deputetëve, të figurave të larta kushtetuese. Midis këtyre të fundit bëjnë pjesë shumica e klientëve të OFL të viteve të fundit, shumica e viktimave në atentate, shumica e personave në listën e më të kërkuarve nga Interpol, por edhe shumica më aktive me investime në miniera, media, sport, tregti, etj! Në vendet me zhvillim të qëndrueshëm shtresa e pasur bën pjesë tek elita e kulturuar dhe me ndikim pozitiv në shoqëri, tek ne raportet duken të përmbysura.
A pasqyron kjo tabelë Shqipërinë që ne duam? A përputhet ajo me prioritetet shtetërore e publike? A ka domethënie dhe impakt në proceset zgjedhore dhe faktin se sa më shumë kalojnë vitet aq më shumë rriten “investimet” në deformimin e votës dhe të demokracisë përfaqësuese në vend? A lidhet kurba me nismat e amnistisë fiskale? Dhe a tregon kjo përse në vendin më të varfër në Evropë kemi përqindjen më të lartë të biznesmenëve deputetë në nivel kontinenti?
Instituti i Studimeve Politike (ISP)